POSTIMET E FUNDIT

Kosova në zgjedhje: shpërndahet Kuvendi pas dështimit për zgjedhjen e presidentit

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, pasi presidentja Vjosa Osmani ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës. Vendimi vjen pas dështimit të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, proces që sipas Kushtetutës duhej të përfundonte brenda afatit të përcaktuar.

Në një konferencë për media, Osmani deklaroi se vendimi për shpërndarjen e Kuvendit erdhi pasi deputetët, sipas saj, vendosën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja duke mos përmbushur detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha presidentja.

Ajo theksoi se, në përputhje me kompetencat kushtetuese që i takojnë presidentit të vendit, ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e legjislativit.

“Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, u shpreh Osmani.

Presidentja foli edhe për dështimin e seancës së jashtëzakonshme të mbajtur më 5 mars për zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas saj, ky dështim nuk ishte i rastësishëm, por rezultat i kalkulimeve politike.

“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin”, deklaroi ajo.

Osmani theksoi se Kushtetuta e përcakton qartë afatin për zgjedhjen e presidentit dhe se ai afat përfundoi në mesnatën e së enjtes. Sipas saj, procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë deri në 60 ditë para përfundimit të mandatit aktual, por duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të tij.

“Afati përfundimtar është i qartë: ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, theksoi Osmani.

Ajo shtoi se deputetët kishin në dispozicion 23 ditë për ta përmbushur këtë obligim kushtetues, por vendosën të mos e bëjnë këtë.

“Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë këto ditë, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë dhe nuk e zhbën detyrën time që ta shpërndaj këtë Kuvend, i cili dështoi”, deklaroi presidentja.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur për zgjedhjen e presidentit u mbyll pa votim, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sqaroi se në raundin e parë dhe të dytë të votimit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë që procesi të konsiderohet i vlefshëm. Për shkak të mungesës së këtij numri deputetësh në sallë, votimi nuk u zhvillua dhe seanca u ndërpre.

Me shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, vendi hyn në një fazë të re politike dhe pritet që institucionet përkatëse të përcaktojnë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB