Kosova do të përfaqësohet me dy boksierë në Kampionatin Evropian për meshkuj dhe femra, i cili do të mbahet nga 15 deri më 26 shtator në Sofje të Bullgarisë. Federata e Boksit e Kosovës ka bërë të ditur se ndeshjet e kampionatit do të nisin më 17 shtator, ndërsa ky do të jetë një edicion historik, pasi për herë të parë organizohet nën kujdesin e organizatës European Boxing.
“Kosova me dy boksierë në Kampionatin Evropian në Sofje Kosova do të përfaqësohet me dy sportistë, një boksiere dhe një boksier, në Kampionatin Evropian për meshkuj dhe femra, i cili do të zhvillohet nga 15 deri më 26 shtator në Sofje të Bullgarisë. Ndeshjet e kampionatit do të nisin më 17 shtator.
Ky është një kampionat historik, pasi bëhet fjalë për edicionin e parë të zhvilluar nën kujdesin e European Boxing. Garat do të zhvillohen në Asics Arena në Sofje. Në konkurrencën e femrave, Kosovën do ta përfaqësojë kampionia e Mesdheut, Donjeta Sadiku, në kategorinë deri në 60 kilogramë. Sadiku do të shoqërohet nga selektorja e Kombëtares, Marjola Sallauka. Ndërkohë, në konkurrencën e meshkujve, fillimisht ishte caktuar të garonte Lumturim Xhoxhaj, në kategorinë deri në 60 kilogramë”, ka njoftuar FBK.
“Megjithatë, për shkak të një lëndimi dhe problemeve me këmbën, Xhoxhaj nuk do të mund të marrë pjesë në këtë kampionat. Në vend të tij, Kosovën do ta përfaqësojë Bashkim Bajoku, i cili do të garojë në kategorinë deri në 55 kilogramë dhe do të shoqërohet nga selektori Faton Xhakli”. /BS










