Stuttgart – Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka njoftuar për pjesëmarrjen e saj në një ngjarje të madhe festive kushtuar Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Aktiviteti u organizua nga Shoqata “Ansambli Pavarësia”, me ftesë të kryetarit të saj, z. Baki Mustafi.
Konsullata u përfaqësua nga diplomatët Arbrie Shabani Jollxhiu dhe Shpresa Rama Iseni, të cilat shprehën nderin për të qenë pjesë e kësaj ceremonie që bashkon komunitetin shqiptar në Baden-Württemberg në ruajtje të traditës dhe identitetit kombëtar.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Shtutgart, znj. Gentiana Mburimi. Përfaqësueset e dy konsullatave shqiptare theksuan rëndësinë e kontributit të diasporës në jetën kulturore dhe shoqërore të landit, si dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e kulturës shqiptare ndër brezat e rinj.

Gjatë fjalës së tyre, diplomatët theksuan domosdoshmërinë e përfshirjes së sa më shumë fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, duke e cilësuar si një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit kombëtar jashtë atdheut.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive, me prezencën e anëtarëve të komunitetit, artistëve dhe aktivistëve të kulturës, duke shënuar kështu një ndër ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët në diasporë në këtë periudhë të vitit. Gëzuar Festat e Nëntorit!, transmeton helveticALforum.ch




