Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i bëri thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Në fjalimin e tij, ai theksoi progresin demokratik të Kosovës, duke e cilësuar atë si një shtet me institucione funksionale dhe stabilitet politik në rritje.
Konjufca deklaroi se Kosova ka dëshmuar qëndrueshmëri përballë sfidave globale dhe ka zhvilluar zgjedhje të lira e demokratike, të cilat kanë ndikuar në forcimin e institucioneve. Ai shtoi se qeveria e re do të vazhdojë me reforma të thella për të rritur sigurinë dhe për të avancuar integrimin ndërkombëtar të vendit.
Duke folur për raportet me Serbinë, ai theksoi se mungesa e gatishmërisë së Beogradit për normalizim mbetet sfida kryesore. Sipas tij, Serbia vazhdon të pengojë stabilitetin dhe integrimin e rajonit, duke mos treguar interes për marrëdhënie të mira fqinjësore.
Në këtë kontekst, Konjufca ritheksoi se Kosova është e gatshme për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve, por kërkoi që Serbia të japë llogari për veprimet destabilizuese dhe të ofrojë garanci për ndalimin e tyre. Ai përmendi edhe sulmin në Banjskë të vitit 2023, duke kritikuar mungesën e trajtimit të plotë të këtij rasti në raportin e UNMIK-ut dhe duke kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës.
Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e rolit të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon, si dhe ngriti shqetësime për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku sipas tij vazhdojnë sfida serioze.
Konjufca falënderoi 121 shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që ta bëjnë këtë pa vonesë. Ai përfundoi duke riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, me synimin për një rajon më të qëndrueshëm dhe të integruar në strukturat euroatlantike, transmeton rtk.




