Nga Harry Bajraktari, SHBA
Sot kujtojmë me nderim dhe respekt Kolonel Tahir Zemajn, një nga figurat më të rëndësishme në luftën e Kosovës për liri e pavarësi. Vrasja e tij pabesisht nga një dorë e zezë më 4 janar 2003, së bashku me djalin e tij, Enis Zemaj, dhe asokohe kryetarin e Forumit Rinor të LDK-së, Hasan Zemaj, mbetet një plagë e hapur për shoqërinë tonë, ndonëse kanë kaluar 23 vite. Moszbardhja e plotë e këtij krimi nuk i shërben drejtësisë, shoqërisë dhe të ardhmes së shtetit tonë.
Me vrasjen e Kolonel Tahir Zemajt, Kosova humbi një strateg të shquar ushtarak. Me përgatitjen e tij profesionale dhe përkushtimin ndaj kauzës kombëtare, ai dha gjithçka për Kosovën në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë. Ai besonte se liria fitohet me guxim dhe mbrohet me disiplinë, përgjegjësi dhe institucione.
Gjatë luftës, ai mbrojti popullin nga mizoritë e forcave serbe, ndërsa pas çlirimit u përkushtua për ndërtimin e institucioneve funksionale dhe të drejta të Kosovës. Trashëgimia e tij do të shërbejë si udhërrëfyes dhe frymëzim atdhedashurie për brezat e rinj.
Sot, ndërsa kujtojmë Kolonel Tahir Zemajn, ne riafirmojmë obligimin tonë ndaj një Kosove demokratike që nuk harron dhe që lufton për drejtësi, një Kosove që respekton sakrificën e bijve të saj.
Lavdi jetës dhe veprës së Kolonel Tahir Zemajt. /GD




