8.5 C
Zurich
Thursday, December 11, 2025
spot_img
spot_img

Koha për t’u zgjuar: diaspora e re kërkon më shumë se premtime

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI, Cyrih

Gjenerata e parë dhe e dytë padyshim se është më e lidhur me vendin e të parëve, edhe pse gjenerata e parë ka kaluar më shumë jetë në mërgim sesa në atdhe. E dyta, duke e parë të parën, është formësuar në një mënyrë të natyrshme. Ndërsa gjenerata e tretë ndodhet në një situatë krejtësisht tjetër. E shkolluar, me ndjenja kombëtare të forta, por për të shkuar në vendin e të parëve – herë duan e herë nuk duan.

Nga ajo që kemi hulumtuar nëpër Zvicër dhe duke u nisur nga fëmijët tanë, edhe pse ata e flasin gjuhën shqipe, mendësia e tyre është formësuar nga vendi ku kanë lindur. Kjo nuk është e dëmshme, sepse ata e ndjejnë Zvicrën si shtetin e tyre, por ajo që duam është që të mos e harrojnë vendin e të parëve. Ndoshta duhet t’u japim të drejtë që nuk shkojnë aq shpesh në atdhe si prindërit apo gjyshërit e tyre, sepse nuk pajtohen me shumë aspekte të përditshmërisë atje.

Një nga pengesat më të mëdha është vetë udhëtimi. Nëse shkojnë me veturë gjatë verës apo dimrit, duhet të përgatiten për mbi 30 orë udhëtim nëpër kolona të gjata. Pritjet e gjata në kufi janë një tjetër shqetësim – kemi hulumtuar raste ku mërgimtarët kanë pritur deri në 11 orë në temperatura 40 gradë. Nga ana tjetër, udhëtimi me aeroplan është shpeshherë shumë i shtrenjtë. Sigurisht, agjencitë turistike nuk kanë faj, sepse jashtë sezonit ato punojnë me humbje. Është interesante se kur gjejmë bileta me 40 franga për të udhëtuar në Prishtinë, nuk ankohemi, por gjatë sezonit veror çmimet janë të papërballueshme për shumë familje. Kjo është një realitet që nuk mund të anashkalohet.

Tani le t’i kthehemi gjeneratës së tretë dhe mënyrës se si mund ta frymëzojmë atë për të vizituar dhe për t’u lidhur me atdheun, ku gjyshërit dhe prindërit e tyre kanë sakrifikuar shumë për të ndërtuar një shtëpi. Edhe kur shkojnë atje, ata shpesh shohin parregullsi të mëdha, duke filluar nga infrastruktura e rrugëve. Një shembull pozitiv erdhi sivjet nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, ku para disa muajve u patëm informuar nga rektori dhe stafi i tij se duan t’u japin hapësirë të rinjve të mërgatës për të ndjekur ligjërata apo kurse verore me profesorë të njohur. Kjo është një nismë që duhet përshëndetur, sepse ofron një mundësi për afrimin e gjeneratës së re të diasporës me atdheun e tyre.

Sa i përket shtetit, është e qartë se mungojnë projekte konkrete për të afruar të rinjtë e diasporës me vendin e tyre të origjinës.

Shpesh, gjatë fushatave zgjedhore, hiqet pagesa e taksës për hyrjen në Kosovë, por pastaj rikthehet. Këto masa nuk janë të mjaftueshme. Ajo që nevojitet është një strategji afatgjatë e krijuar nga ekspertë, e cila të sigurojë që gjenerata e tretë dhe e katërt të kenë një lidhje të qëndrueshme me vendin e të parëve, në mënyrë që të mos zgjedhin të kalojnë pushimet vetëm në vende të tjera të botës.

A po vjen koha kur fëmijët tanë do të vizitojnë atdheun vetëm për përvjetorët e lindjes dhe vdekjes së prindërve, me një buqetë lulesh në dorë, dhe pastaj të flenë në hotel në vend që të qëndrojnë në shtëpitë ku gjyshërit dhe prindërit e tyre kanë derdhur mundin dhe djersën e tyre?

Ata kanë të drejtë të ndihen të zhgënjyer, sepse kur shkojnë në Kosovë apo Shqipëri përballen me probleme të përditshme – ndërprerje të rrymës, mungesë uji, pajisje të prishura në shtëpi, dhe harxhojnë kohë duke vrapuar pas mjeshtërve për riparime. Këto janë probleme të vërteta që i largojnë ata nga dëshira për të kaluar më shumë kohë në atdhe.

Në vend që t’i kritikojmë për harresën e gjuhës apo kulturës, duhet t’i respektojmë dhe t’i ndihmojmë që ta ruajnë identitetin e tyre. Ata nuk e harrojnë shqipen me qëllim, por sepse realiteti i tyre është ndryshe. Gjenerata e tretë e mërgatës është një pasuri e madhe dhe shteti duhet ta kuptojë këtë. Nuk mund të vazhdojmë me indiferencë.

Një nga faktorët kryesorë që ka ndihmuar në ruajtjen e krenarisë kombëtare te të rinjtë e diasporës është sporti, veçanërisht futbolli. Kombëtaret shqiptare dhe ajo e Zvicrës si dhe përfaqësuesja e Kosovës kanë zgjuar ndjenja të forta kombëtare, duke i bërë të rinjtë të ndihen krenarë për origjinën e tyre. Kjo është një mundësi e madhe që duhet shfrytëzuar për të forcuar lidhjet e tyre me atdheun.

Në fund, duhet të pranojmë se jemi në një udhëkryq. Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë që gjeneratat e ardhshme të shkëputen plotësisht nga vendi i të parëve të tyre.

Duhet të krijojmë mundësi, jo barriera. Shteti, institucionet dhe vetë komuniteti ynë në diasporë duhet të angazhohen që të rinjtë të ndihen pjesë e kombit dhe të kenë arsye të forta për të vizituar dhe për të kontribuar në atdhe.

Ky shkrim nuk ka fund, sepse kjo çështje nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Por një gjë është e qartë: alarmi duhet të ndizet tani.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme