Kalimi transit nëpër territorin e Serbisë vazhdon të mbetet i pasigurt për shtetasit e Republikës së Kosovës, veçanërisht për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arrestimi i fundit i Mitehat Llozhanit nga autoritetet serbe ka rikthyer shqetësimet mbi praktikat e vazhdueshme të ndalimeve dhe keqtrajtimeve ndaj qytetarëve kosovarë.
Llozhani u arrestua disa ditë më parë në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit me Kroacinë, rast që nxiti reagime të shumta nga institucionet vendore dhe organizatat e dala nga lufta. Ky arrestim, sipas tyre, dëshmon se Serbia po vazhdon politikën e ndalimeve selektive ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Një pasaportë e Republikës së Kosovës, një emër në listat serbe apo edhe simbole kombëtare shqiptare, shpesh kanë mjaftuar që qytetarët kosovarë të ndalohen nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar duke theksuar se këto veprime përbëjnë shkelje të normave dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. MPJD ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për ndaljen e këtyre praktikave.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë që ish-luftëtarët të shmangin udhëtimin përmes Serbisë.
“Ju kemi bërë thirrje veteranëve që të mos kalojnë nga Serbia, sepse Serbia ka lista dhe i ndalon njerëzit. Lëvizja e lirë duhet të jetë e garantuar në gjithë Evropën, por ne e dimë mentalitetin e Serbisë. I ftoj veteranët e UÇK-së që të mos kalojnë nga Serbia, duke ditur se ata po ndalohen dhe po mbahen edhe nga dy deri në tre vjet në burg”, ka deklaruar kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Edhe njohësit e çështjeve të sigurisë kërkojnë një qasje më të ashpër të faktorit ndërkombëtar ndaj Beogradit zyrtar.
“Duhet që bashkësia ndërkombëtare të mendojë seriozisht për sanksione ose për një qasje shumë më reale dhe më të fortë ndaj Serbisë, në mënyrë që të garantohet lëvizja e lirë për të gjithë qytetarët e Ballkanit”, ka thënë Arben Dashevci, njohës i sigurisë.
Nën arsyetimin e hetimeve për krime lufte, shtetas të Kosovës vit pas viti ndalen në pikat kufitare serbe, në disa raste edhe keqtrajtohen dhe mbahen në paraburgim, duke thelluar pasigurinë dhe tensionet në rajon, transmeton rtk.




