/ Nga Shaip KAMBERI/
Ngjarjet politike me protestat në Serbi kanë ngritur pyetje të rëndësishme edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. A do të sjellin zhvillimet dhe ndryshimet eventuale përmirësime në respektimin e të drejtave të tyre? A do të përmbushen më në fund marrëveshjet e arritura gjatë viteve? Dhe më e rëndësishmja: A duhet që përfaqësuesit politikë shqiptarë të distancohen nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) dhe regjimi i Aleksandar Vuçiqit, për të mos legjitimuar një pushtet që vazhdimisht ka mohuar të drejtat e shqiptarëve?
Për dy dekada, shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë nënshkruar disa marrëveshje me Beogradin zyrtar, të cilat supozohej të afirmonin pozitën e tyre dhe garantonin të drejtat e individuale e kolektive. Megjithatë, në mungesë të vullnetit politik në Beograd, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka qenë minimalist ose fare i padukshëm:
• Marrëveshja e Konçulit (2001) – Synonte përfshirjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore, kthimin e të zhvendosurve dhe garantimin e të drejtave politike e kulturore. Në realitet, shumica e zotimeve nuk u përmbushën. Dështoi procesi i integrimit në organet shtetërore dhe institucionet publike, ndërsa popullsia e zhvendosur e Malësisë së Bujanocit, Karadakut Presehvës dhe Medvegjës, nuk u kthye në vatrat e tyre, ngase ka munguar program mbëstetës na qeveria, sepse militarizimi i tepruar nuk ka lejuar jetë normale.
• Marrëveshja për Trupin Koordinues (2009) – Synonte reformimin e këtij institucioni për të zgjidhur problemet e shqiptarëve, sikurse edhe “përjshejtimin e integrimit të shqiptarëve në organe shtetërore e polici”. Sot, Trupi koordinues mbetet një strukturë simbolike, që më së shmuti i ngajnë një dege të SNS se sa një institucioni që do të duhej ta luajë rolin inkluziv.
• Plani 7 Pikësh (2009) – synonte masa për përfaqësim në administratën publike, zhvillim ekonomik dhe garantimin e të drejtave në arsim, kulturë e informim, duke kërkuar rajtim të barabartë në respektimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip sikurse edhe simboleve kombëtare. Asnjë nga këto masa nuk u zbatua ngaqë qeveritë e Aleksandar Vuçiqit, duke militarizuar rajonin, pasivizuar adresat, mosjnjohur diplomat dhe duke penguar çfarëdo investimi, kishin në plan shpopullimin e Luginës së
Preshevës nga shqiptarët.
Edhe pse Vuçiq akoma është kalkulues me rebelimin gjitnjë më të madh studentorë e qytetarë, ai nuk ka shumë kohë për të ndërmarrë veprime që çojnë në nisjen e një procesi të ndryshimeve serioze. Mundësia e ndryshimit të pushtetit në Serbi mund të hapë rrugën për një qasje të re ndaj pakicave kombëtare, por, vetëm nëse ndrrimi qeverisë shoqërohet me ndrrimin e sistemit dominant të vlerave.
Fundi i pushtetit autoritar të Vuçiqit mund të sjellë më shumë liri, drejtësi dhe barazi për të gjitha komunitetet, por vetëm nëse në Serbi do të profilohet një forcë e re politike, me orientime perëndimore e liberale.
Rajonalizimi dhe decentralizimi mund të jenë mekanizma kyç për zgjidhje të qëndrueshme në Luginën e Preshevës, duke u dhënë shqiptarëve më shumë autonomi në vendimmarrje. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë pa një angazhim aktiv të faktorit politik shqiptar dhe një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare.
Ndër vite, këtu në Luginë të Preshevës, disa parti dhe figura politike shqiptare në Luginë kanë preferuar të bashkëpunojnë me SNS-në e Vuçiqit, duke e justifikuar këtë si“politikë pragmatike.” “për përfitime të fondeve”. Por një analizë e thuktë tregon se ky bashkëpunim nuk ka prodhuar asgjë për shqiptarët, ndoshta përfitime individuale apo klanore po asesi kolektive.
Regjimi i Vuçiqit ka demonstruar një politikë sistematike diskriminuese ndaj shqiptarëve:
• Arrestime politike, dënime gjyqësore për përdorim të flamurit,
• Mungesë investimesh në zonat shqiptare,
• Mohim të të drejtave gjuhësore dhe mediale,
• Përdorim të gjuhës së urrejtjes në një fushatë të përditshme propagandistike anti-shqiptare.
Partitë dhe individët shqiptarë që vazhdojnë të bashkëpunojnë me SNS, pavarësisht që për momenti ka një heshtje, nuk kanë legjitimitetin si përfaqësues të interesave shqiptare. Në vend të një bojkoti të
plotë, shqiptarët mund të ndjekin një qasje të kushtëzuar:
Çdo bashkëpunim duhet të bazohet në rezultate konkrete për komunitetin shqiptar, me një qasje krejtësisht tjetër të bazuar në standaredet e BE-së dhe Këshillit të Evropës.
Kërkesat për të drejtat duhet të jenë të qarta, të monitoruara ndërkombëtarisht dhe të detyrueshme për Serbinë.
Nuk duhet të pranohet asnjë marrëveshje që nuk përkthehet në përmirësime reale në terren.
Çështja e Luginës nuk do të zgjidhet me premtime boshe të Beogradit, as me ndërtimin e koalicioneve lokale me partitë dhe grupe tjera të interesit “për të mirë të popullatës”. Problemet e shqiptarëve nuk mund të zgjidhen në bashkëpunim lokal, ato janë obligim dhe përgjegjësi e qeverisë qendrore.
Shqiptarët duhet të kërkojnë zbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe ndalimin e politikave diskriminuese si kushte minimale për dialog, ndërkohë që kërkesa për ndërrtimin e standardeve të përbashkëta për komunitetet në rajon, duke përdorur parimin e reciprocitetit, mbetet kërkesë që në kuadër të dialogut të Brukselit të ecë përpara.
Përndryshe, çdo bashkëpunim me SNS, qoftë edhe vetëm në nivel lokal, do të thellojë status quo-në e dëshiruar dhe sponsorizuar nga Vuçiq.
Demokratizimi i Serbisë mund të krijojë një perspektivë të re, por vetëm nëse shqiptarët veprojnë me strategji të qartë dhe kërkojnë garanci konkrete, ndërsa Bashkësia ndërkombëtare përfundimisht merr përgjegjësitë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
Mbështetja nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, mbetet thelbësore në betejën e shqiptarëve për të drejta e barazi.




