POSTIMET E FUNDIT

INSTITUTI HELVETIK I EVROPËS JUGLINDORE URON NGRITJEN E KONSULLATËS SË KOSOVËS NË CYRIH NË NIVELIN E KONSULLATËS SË PËRGJITHSHME

Cyrih, 10 qershor 2026 – Instituti Helvetik i Evropës Juglindore me seli në Cyrih, në emër të presidentit të tij, PhD. Dashnim Hebibi, të bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të institutit, shpreh urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta për ngritjen e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih në nivelin e Konsullatës së Përgjithshme, një arritje kjo historike për shtetin e Kosovës, për diplomacinë kosovare dhe për të gjithë mërgatën shqiptare në Zvicër.

Me këtë rast, urimet tona të veçanta i drejtohen shefit të misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, stafit të tij të përkushtuar, si dhe të gjithë bashkatdhetarëve nga Kosova që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër dhe anembanë botës. Ky avancim institucional është rezultat i një pune të palodhshme, profesionale dhe vizionare. Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, z. Vigan Berisha ka dëshmuar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj misionit të tij shtetëror. Ai ka qenë vazhdimisht pranë mërgatës sonë, duke dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e saj, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke forcuar lidhjet ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.

Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe angazhimi i tij në forcimin e marrëdhënieve me institucionet zvicerane dhe me institucionet e tjera mike të shqiptarëve, duke kontribuar në rritjen e prestigjit dhe të prezencës së Republikës së Kosovës në një nga qendrat më të rëndësishme evropiane. Për ne, kjo nuk është vetëm një ngritje administrative e një misioni diplomatik. Ky është një moment me peshë të madhe historike, kombëtare dhe emocionale. Është një moment që na kujton rrugëtimin e gjatë të popullit të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit ndërkombëtar. Veçanërisht emocionues është fakti se ky lajm vjen më 10 Qershor, në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarjes madhore të historisë sonë kombëtare, kur shqiptarët vendosën të mbrojnë atdheun me një zë të vetëm. Kjo përputhje simbolike e bën edhe më domethënëse këtë arritje, duke lidhur idealet e rilindësve tanë me sukseset e shtetit të Kosovës në ditët e sotme.

Në këtë ditë gëzimi dhe krenarie, mendja dhe zemra jonë shkojnë edhe te brezi i artë i mërgimtarëve shqiptarë. Te ata burra dhe gra që në kohët më të vështira për Kosovën organizuan protesta, tubime dhe aktivitete sensibilizuese nëpër qytetet e Zvicrës dhe Evropës. Te ata që sakrifikuan gjithçka për çështjen kombëtare, te familjet që kontribuan pa kursim dhe te ata që dhanë edhe jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot, kur Kosova po forcon pozicionin e saj ndërkombëtar dhe po zgjerohet institucionalisht edhe jashtë kufijve të saj, ky sukses u takon edhe atyre. Është një fitore morale dhe historike e të gjitha gjeneratave që besuan në shtetin e Kosovës dhe punuan për të. Prandaj, këtij gëzimi duhet t’i bashkohemi të gjithë. Duhet të gëzohemi për çdo sukses që forcon shtetin tonë, për çdo hap që afron institucionet me qytetarët dhe për çdo arritje që nderon kontributin e mërgatës shqiptare.Instituti Helvetik i Evropës Juglindore shpreh mirënjohjen e tij për punën dhe angazhimin e z. Vigan Berisha dhe stafit të Konsullatës, duke u dëshiruar atyre shëndet, sukses dhe arritje të reja në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Urime Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih!

Urime Kosovë !

Urime z. Vigan Berisha dhe stafi i tij!

Urime mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kudo në botë!

PhD. Dashnim Hebibi
President
Instituti Helvetik i Evropës Juglindore
Cyrih, Zvicër

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB