Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje, ku theksoi se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor mbetet kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Ai deklaroi se Shqipëria po punon për forcimin e ndërlidhjes rajonale përmes projekteve strategjike si Korridori VIII, Porto Romano dhe korridori Adriatiko-Jonian, duke nënvizuar se bashkëpunimi duhet të sjellë rezultate konkrete për qytetarët.
Presidenti Begaj ritheksoi përkushtimin e vendit ndaj reformave dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me synimin për ta përmbyllur këtë proces brenda kësaj dekade.
“Në Samitin e SEECP-së në Sofje patëm një diskutim të frytshëm dhe dakordësi për forcim të stabilitetit, të sigurisë dhe integrimit evropian përmes bashkëpunimit më të fortë rajonal, pavarësisht diversitetit mes nesh. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj kësaj rruge. Ne po avancojmë agjendën tonë të reformave dhe po ecim përpara në procesin e anëtarësimit në BE, me objektivin për ta përmbyllur këtë proces brenda kësaj dekade. Ajo që çon përpara një vend, kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithëve. Faleminderit Presidencës së Sofjes për organizimin, mikpritjen dhe punën e shkëlqyer në këtë 30-vjetor të kësaj nisme! Suksese Presidencës së Bukureshtit të SEECP-së!”, shkruan Begaj.
Në Sofje, Begaj zhvilloi edhe një takim me Presidentin bullgar Rumen Radev, ku u konfirmua mbështetja e Bullgarisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, transmeton rtsh.




