Nga Kristina Nano
Kryetare e LRE – Rinisja | Doktorante në Leadership, James Madison University (JMU), SHBA
Ka njerëz që futen në histori si fitimtarë.
Disa të tjerë rrinë më thellë se kaq, bëhen themel. Ibrahim Rugova i përket këtij brezi të dytë. Ai nuk shihet vetëm si Presidenti i parë i Kosovës, as vetëm si udhëheqës i rezistencës paqësore. Ai qëndron si një nga arkitektët e rrallë të shqiptarizmit modern, ura më e qetë dhe më e fortë mes traditës dhe Perëndimit, gandiani ynë i heshtur, gur-themel i një kombi që kërkoi lirinë pa braktisur dinjitetin.
Rugova nuk e ngriti kombin e vet me zhurmë, por me peshë. Nuk e ndërtoi historinë me britma, por me heshtje që mësonin. Kur Rugova doli në skenën politike, shqiptarët e Kosovës jetonin të shtrënguar mes shtypjes dhe heshtjes botërore. Federata e Jugosllavisë po shpërbëhej, Serbia po shtrëngonte lakun, bota perëndimore po kërkonte ekuilibra të rinj, jo patjetër të drejtë.
Ishte shumë e lehtë që aty të lindte një lider i zemëruar, një komandant që shfrynte, një tribun që fiton turmat me mllef. Kështu e njeh Ballkani arketipin e udhëheqësit. Rugova zgjodhi diçka tjetër. Në vend që t’i fliste popullit me gjuhën e plagës, ai i foli me gjuhën e dinjitetit. Në vend që t’u premtonte fitore të shpejta, u propozoi një qëndresë të gjatë.
Në vend që ta ushqente vetëimagjinimin viktimor, u mësoi atyre vetëdijen e një kombi që pretendon barazi. Ai e pa kombin e vet jo si turmë që kërkon hakmarrje, por si bashkësi që kërkon vendin e vet në tryezën e kombeve. Kjo e bën themelues në kuptimin më të thellë të fjalës. Shumë shqiptarë të Kosovës e mbajnë mend një skenë të thjeshtë. Një sallë plot në Prishtinë, vite të vështira. Njerëzit prisnin fjalë të mëdha, prishje tavolinash, kërcënime.
Rugova hyn, ulet qetë, rregullon me dorë të lehtë shallin e famshëm, shikon sallën për pak çaste dhe thotë thjesht: “Ne duam liri, jo hakmarrje.” Pauzë. Sallë e ngrirë. Në çdo vend tjetër, kjo fjali mund të dukej naive. Aty, në atë çast, ajo ishte revolucionare.
Sepse u tha njerëzve:
“Plaga juaj është e vërtetë, por përgjigjja jonë nuk do të jetë kurrë kopje e dhunës që kemi pësuar.” Kjo është heshtja që bëhet arkitekturë lirie. Jo boshllëk. Strukturë. Heshtjet e Rugovës nuk ishin bosh. Ato ishin pjesë e një arkitekture të brendshme. Ai heshti kur të tjerët kërkonin britma, sepse e dinte se fjala e tepërt prishet në ditën kur duhet të thotë “jo” me peshë.
Ai heshti shpesh kur e sulmonin nga brenda, sepse e dinte se përçarja e shfaqur është armë në duart e atij që shtyp. Ai heshti edhe kur do të kishte të drejtë të fliste me egërsi, sepse e dinte se e ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohej mbi gjuhë që djeg ura.
Në një Ballkan ku politika bërtet, Rugova zgjodhi ta ngrinte lirinë mbi fjalë të pakta dhe mbi heshtje ku të tjerët mësojnë të mendojnë. Heshtja e tij nuk ishte mungesë karakteri. Ishte forma e tij e karakterit. James MacGregor Burns e përkufizon liderin transformues si atë që nuk menaxhon thjesht interesa, por i kthen vlerat në energji politike.
Ai nuk u thotë njerëzve vetëm çfarë duan të dëgjojnë, u mëson çfarë duhet të bëhen. Rugova shndërroi një popull të plagosur në subjekt politik me dinjitet. Transformimi që solli ai nuk ishte vetëm institucional, por antropologjik, nga shqiptari i Kosovës i mësuar të rrijë i përulur në administratë, tek njeriu që troket si i barabartë në derën e kancelarive botërore, nga mentaliteti “fatin na e bëjnë të tjerët”, tek vetëdija “jemi autorë të fatit tonë”, nga figura e viktimës, tek figura e popullit që zgjedh të mos bëhet xhelat.
Weber-i dallon etikën e bindjes nga etika e përgjegjësisë. Rugova pati bindjen absolute te liria, por çdo hap e vendosi nën dritën e përgjegjësisë, çdo veprim, çdo fjalë, çdo heshtje u mendua jo vetëm si reagim ndaj Serbisë, por si mesazh për Perëndimin dhe për brezat që vijnë.
Ai e dinte se historia nuk mbaron me fitore të rrëmbyera, por me mënyrën si arrin tek to. Robert Greenleaf pyet: “A bëhen njerëzit më të lirë, më të drejtë, më të aftë, prej mënyrës si unë udhëheq?” Rugova e trajtoi këtë pyetje jo si citim, por si ushtrim ditor. Ai nuk e kërkoi pushtetin si shpërblim, por si barrë. Nuk e ngriti veten mbi kombin, e vendosi veten mes tij. Nuk e përdori besimin e njerëzve për të rritur egon, por për ta rritur legjitimitetin e çështjes së Kosovës.
Durimi i tij u keqkuptua shpesh. Dikush e quante i butë, dikush i ngadalshëm, dikush i tepërt i qetë. Ai e pranoi rrezikun e keqkuptimit, por s’e shiti parimin për një duartrokitje më shumë. Në leadership-in shërbyes, kjo është prova e vërtetë, të mos e kurorëzosh veten mbi kauzën, por ta shërbesh kauzën duke e ditur se një ditë mund edhe të të mohojnë ata për të cilët punon.
Të quash Rugovën “Gandi i Ballkanit” është pjesërisht e vërtetë, pjesërisht e varfër. E vërtetë, sepse ai pati guximin të zgjedhë rrugën e rezistencës paqësore në një rajon të dhunshëm. E varfër, sepse nuances së tij i nevojitet një emër më i thellë, gandizëm modern në kushte ballkanike. Ai nuk imitoi Gandhi-n, e lexoi. Dhe e përktheu.
Në vend të marshimeve të shesheve të Indisë, ai ndërtoi shtetin paralel, shkolla, shërbime, institucione që funksiononin si Kosovë e padukshme brenda një shteti që e mohonte ekzistencën e saj.
Në vend të filozofisë së urisë, ai ndërtoi filozofinë e arsyes, takime, memorandume, libra, gjuhë politike.
Pacifizmi i tij nuk ishte pritje pasive, por akumulim legjitimiteti.
Fakti që në ditët vendimtare Kosova u perceptua si çështje e drejtë, jo si rrezik, lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si u përgatit terreni moral në vitet e heshtjes.
Kur NATO ndërhyri, Kosova nuk u pa si palë tjetër e një konflikti tribal, por si popull që kishte zgjedhur për vite ta mbante dinjitetin lart dhe të mos e përdhosë lirinë në emër të hakmarrjes.
Rugova ishte perëndimor në thelb, jo në fasadë.
Jo sepse i duhej të dukej “modern”, por sepse e ndjente kombin e vet pjesë të natyrshme të Evropës.
Jo sepse kërkonte vetëm ndihmë, por sepse e besonte vërtet modelin demokratik perëndimor.
Jo sepse shihte Perëndimin si tutor, por si bashkëbisedues të barabartë në dinjitet.
Kur ulej përballë zyrtarëve amerikanë dhe europianë, nuk kishte ndjenjë inferioriteti as fjalë të kota entuziaste.
Kishte gjuhë të matur, respekt për aleatin dhe një bindje të qartë, Kosova duhej t’i ngjante aleatëve në vlera, përpara se të kërkonte të njëjtat rezultate në hartë.
Në një kohë kur “proPerëndimorizmi” shpesh reduktohet në fotografi dhe slogane, Rugova mbetet manual i lidhjes së vërtetë, duke ngritur nivelin moral të shtëpisë tënde, duke treguar se din ta mbash fjalën dhe marrëveshjen, para se të kërkosh garanci nga të tjerët.
“Rugova ishte kritik letrar” tingëllon shpesh si shënim biografik anësor.
Në të vërtetë, është një nga çelësat e figurës së tij.
Njeriu që rri gjatë me tekstin mëson të shohë dy gjëra, se realiteti është po aq narrativ sa edhe fakt, se kombet e tregojnë veten përmes rrëfimeve, po aq sa përmes traktateve.
Rugova ishte lexues i madh i letërsisë shqipe.
Nën tekstet e prozës dhe të poezisë ai shihte hartën e plagëve dhe të ëndrrave kombëtare, Gurit, Mallit, Lirisë, Frikës.
Kur ai kaloi nga libri në politikë, nuk erdhi me fjalor të ri.
Erdh me vetëdijen se shqiptarët e Kosovës nuk kishin nevojë vetëm për shtet në letër, por për një tregim të ri për veten, jo më “të harruarit”, por “ata që dinë ta kërkojnë vendin e tyre me dinjitet”.
Shalli, qëndrimi i tij i qetë, distanca nga retorika e dhunshme, nuk ishin stil personal.
Ishin skenografi e menduar, mënyra e një intelektuali për t’i thënë botës se ky popull nuk ka për të folur më me gjuhën e shekujve të errët.
Në këtë kuptim, Rugova nuk i shkroi vetëm librat e tij.
Ai i shkroi faqet e para të historisë së Kosovës së pavarur.
Ta bësh Rugovën vetëm të përsosur, do ishte padrejtësi.
Pacifizmi i tij pati kufijtë e vet njerëzorë dhe historikë.
Kishte kohë kur durimi i shoqërisë kosovare vinte në skaj.
Njerëzit prisnin lëvizje më të shpejta.
Brezat e rinj donin më shumë veprim.
Disa mendonin se qetësia po ngatërrohej me dobësinë.
Histori tjetër nisi me UÇK-në, me luftën, me NATO-n.
Rugova nuk kontrollonte dot të gjitha dinamikat në një terren të tillë të minuar.
Por pikërisht këtu shihet madhësia e tij, ai nuk braktisi asnjëherë parimin, edhe kur rrethanat e tejkalonin.
Ne mund të debatojmë pafund mbi raportin mes pacifizmit dhe rezistencës së armatosur.
Ajo që historia tashmë e ka gjykuar është kjo, pa themelin moral që ndërtoi Rugova, Kosova do ta kishte shumë më të vështirë të merrte atë mbështetje që mori.
Themeli nuk i zgjidh të gjitha.
Por pa themel, asnjë liri nuk zgjat gjatë.
Rugova nuk ishte thjesht lider i Kosovës. Ishte figurë e gjithë shqiptarisë.
Ai tregoi se mund të jesh kombëtar pa u kthyer në tribal, të duash pa kompleks gjuhën, kulturën, historinë tënde, pa ngritur mure urrejtjeje ndaj tjetrit.
Po kështu, tregoi se mund të jesh pro–Perëndimit pa u shitur, të kërkosh integrim, pa fshirë identitetin, të respektosh aleatët, pa u shndërruar në satelit.
Në një kohë kur politika shqiptare e sotme shpesh endet mes dy karikaturave, nacionalizëm folklorik dhe “evropianizëm” pa përmbajtje, Rugova rri si busull e rrallë, trup shqiptar, mendje europiane, zemër e qetë.
Sot kemi shumë liderë që flasin.
Disa bërtasin.
Disa premtojnë të pamundura.
Rugova na lë një pyetje të thjeshtë, që i tejkalon të gjitha teoritë:
A po e çoj popullin tim në një nivel më të lartë morali dhe lirie, apo po e përdor për të mbrojtur veten dhe rrethin tim?
Teoritë e leadership-it mund të rendisin dhjetëra cilësi.
Ai e ktheu në tri gjeste, mënyra si rrinte, mënyra si fliste, mënyra si heshtte.
Ai nuk e ngriti veten mbi kombin.
Nuk e përdori kombin si strehë.
Nuk ia lejoi vetes luksin ta kthejë çështjen e Kosovës në biografi personale.
Prandaj, portreti i tij nuk zbehet.
Jo sepse historia e tij ishte e lehtë, por sepse ishte e ndershme.
Në epoka të zhurmshme, qetësia shpesh quhet dobësi.
Rugova tregoi se qetësia, kur buron nga bindja, është strategji.
Ai e mësoi Kosovën të presë pa u dorëzuar, të mos reagojë siç i dikton dhuna e tjetrit, por siç i përshtatet dinjitetit të vet.
Ai i tregoi botës se një komb i vogël mund të jetë i madh jo duke e rritur volumin, por duke mbajtur peshën.
Sot, teksa shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë përballen me korrupsionin, kapjen e shtetit, zhgënjimin me politikën, emigrimin masiv, figura e Rugovës kthehet si pasqyrë dhe si gur prove.
Shembulli i Rugovës na mëson se:
Lidershipi nuk matet me volum, por me peshë. Nuk matet me numrin e “like”-ve, por me cilësinë e vendimeve. Nuk matet me sa shpejt ngrihesh në fjalim, por sa gjatë mbahesh në parim.
Në një botë ku shumë liderë të shteteve të mëdha luajnë me populizmin, një lider i madh i një shteti të vogël zgjodhi t’i mbijetojë epokës jo si spektakël, por si ndërgjegje.
Në ditën e lindjes së Ibrahim Rugovës, nderimi më i thellë nuk është të përsërisim se ai ishte “i madh”.
Nderimi më i thellë është të guxojmë pyetjen:
Po ne, sa larg jemi nga modeli që ai mishëroi?
Sa herë politika jonë zgjedh të qetësojë egon dhe jo kombin, Rugova na mungon.
Sa herë ndonjë lider zgjedh të rrijë në anën e ligjit edhe kur i dhemb, Rugova buzëqesh.
Sa herë një shqiptar i thjeshtë zgjedh dinjitetin në vend të urrejtjes, Rugova jeton. Ibrahim Rugova, kritik letrar, mendimtar, President, themelues i Kosovës së lirë dhe një nga themeluesit e shqiptarizmit të matur, europian dhe të përgjegjshëm.
Një njeri që i mësoi kombit të vet se heshtja nuk është boshllëk, por mund të jetë arkitekturë e lirisë. /GDieli




