Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës në prag të Samiti i Katërt i Diasporës, duke sinjalizuar nisjen e një faze të re bashkëpunimi me diasporën shqiptare.
Në një bashkëbisedim të, Hoxha vlerësoi angazhimin e anëtarëve të Këshillit dhe theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënieje të veçantë, të ndërtuar mbi një vizion të përbashkët për zhvillimin e vendit. Ai bëri të ditur se palët ranë dakord për riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objektiva të qarta për rritjen e bashkërendimit të aktiviteteve dhe hartimin e një agjende konkrete vjetore në funksion të prioriteteve madhore.
Në fokus të diskutimeve ishte iniciativa “Shqipëria 2030” dhe roli i diasporës si një partner i pazëvendësueshëm në promovimin e gjuhës shqipe, zhvillimin ekonomik e shoqëror, forcimin e partneriteteve me biznesin dhe përhapjen e vlerave kulturore shqiptare në botë.
Sipas ministrit, përfaqësuesit e diasporës, të cilët vijnë nga fusha dhe vende të ndryshme, përbëjnë një potencial real për forcimin e lidhjeve me rrënjët dhe për kthimin e këtij potenciali në vlera konkrete për vendin.
“Së bashku ramë dakord për të çelur një fazë të re në riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objektiva të qartë për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe një agjendë vjetore konkrete në funksion të prioriteteve madhore. Në fokus: Shqipëria 2030 dhe fuqizimi i diasporës si partner i pazëvendësueshëm, në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, përfshirjen në zhvillimin ekonomik e shoqëror, partneritetin me biznesin dhe promovimin e vlerave tona kulturore në botë.
Me përfaqësues të spikatur dhe profesionistë dinjitozë nga e gjithë bota, kemi një mundësi reale për të forcuar lidhjet me rrënjët dhe për ta kthyer potencialin e diasporës në vlerë konkrete për Shqipërinë.
Së bashku, për më shumë koordinim, më shumë veprim dhe rezultate të prekshme. “Përmes Rrënjëve Lartësohemi, Të Bashkuar, Forcohemi”, shkruan ministri Hoxha.
Ndërkohë, nga sot deri më 15 prill 2026, Tirana do të kthehet në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota përmes zhvillimit të këtij samiti, që këtë vit mban moton “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.
Aktivitetet kryesore të samitit do të zhvillohen në ambientet e Pallati i Kongreseve, ndërsa ceremonia e mirëseardhjes organizohet në Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasa të një feste kombëtare. Programi i samitit përfshin një sërë panelesh tematike, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë dhe eksplorojnë fusha si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, arti dhe ruajtja e identitetit kombëtar, me synimin për të rritur bashkëpunimin dhe për të arritur rezultate konkrete në të ardhmen, transmeton rtsh.




