Kryetari i Shoqatës “Iliria” në Koper, veprimtari i mirënjohur i komunitetit shqiptar në Slloveni, Heset Ahmeti, mori pjesë në festimet zyrtare të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, të mbajtura në Ljubljanë. Ahmeti ishte i ftuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Slloveni, nën drejtimin e Ambasadorit Sh.E.T. Oljan Kanushi.

Ceremonia festive u zhvillua në Qendrën Rog të kryeqytetit slloven dhe u shoqërua me një koncert mbresëlënës, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të pasur me program artistik, këngë, valle dhe elemente të traditës shqiptare. Në këtë ngjarje morën pjesë të gjitha shoqatat shqiptare që veprojnë në Slloveni, si dhe mysafirë nga Italia (Shoqata “Arbëria”), Kroacia (Shoqata “Shkëndija”) dhe rajoni i Himarës në Shqipëri.
Një ndër momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte paraqitja e nxënësve të shkollës shqipe “Iliria-Koper”. Nën udhëheqjen e mësueses Gentiana Konjuhi, ata interpretuan disa pika nga programi festiv, duke sjellë emocion dhe krenari për të pranishmit dhe duke dëshmuar rëndësinë e kultivimit të gjuhës e kulturës shqiptare në diasporë.

Në fjalën e tij, Heset Ahmeti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Ambasadorit Sh.E.T. Oljan Kanushi për ftesën dhe mikpritjen, duke e cilësuar këtë mbrëmje si një ngjarje dinjitoze që bashkon, frymëzon dhe forcon vlerat e përbashkëta kombëtare të shqiptarëve në Slloveni dhe më gjerë.
“Një mbrëmje që na bashkoi dhe na kujtoi rrënjët tona,” u shpreh Ahmeti, duke theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare në rajon, transmeton helveticALforum.ch




