Ndërrimi i komandës u zhvillua në kampin “Film City” në Prishtinë, ku gjeneralmajori italian Roberto Vergori mori drejtimin e misionit nga gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş. Në ceremoni u riafirmua përkushtimi i KFOR-it për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi.
PRISHTINË – Gjeneralmajori italian Roberto Vergori ka marrë të mërkurën komandën e misionit të KFOR-it në Kosovë nga gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş, gjatë një ceremonie të mbajtur në shtabin e misionit, në kampin “Film City” në Prishtinë. Ceremonia e ndërrimit të komandës mblodhi përfaqësues të lartë të NATO-s dhe institucioneve të Kosovës, të cilët theksuan rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt, ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe krijimin e kushteve për avancimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vergori: Shërbimi në Kosovë, privilegj dhe përgjegjësi e madhe
Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, e cilësoi marrjen e detyrës një privilegj të jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi të madhe, duke u zotuar se do të vazhdojë angazhimin për përmbushjen e mandatit të misionit në Kosovë. Ai kujtoi se kishte nisur dislokimin e tij të parë operacional në vitin 1999, pa e imagjinuar se një ditë do të shërbente në operacionin më të gjatë dhe, sipas tij, ndër më të mëdhenjtë të NATO-s. “Sot, të jem pjesë e këtij misioni nuk është vetëm detyrë, por një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe. Ashtu siç u tha, edhe unë i bashkohem këtij përkushtimi ndaj Kosovës”, deklaroi Vergori. Ai theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i angazhuar në mënyrë të qëndrueshme, me synimin që të krijojë kushtet e nevojshme për një të ardhme të sigurt dhe paqësore për të gjitha komunitetet në Kosovë. “Synimi ynë është të sigurojmë që misioni të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit”, u shpreh ai. Duke prezantuar edhe moton e tij, komandanti i ri nënvizoi se misioni mbetet i përqendruar te njerëzit dhe përparimi i tyre. “Ky është edhe motoja ime: liri për njerëzit, shërbim për njerëzit. Ne jemi krenarë për misionin tonë, që është të mundësojmë përparim për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha Vergori.
Ulutaş: KFOR-i do të vazhdojë angazhimin edhe në veri
Komandanti në largim, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit dhe theksoi se prania e këtij misioni përbën dëshmi konkrete të përkushtimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj sigurisë rajonale.
Ai bëri të ditur se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm në të gjithë Kosovën, me vëmendje të veçantë ndaj zonave në veri dhe zhvillimeve afatgjata në vend.
“Përmes pranisë sonë, ne mbetemi të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme, të rregullt dhe fleksibël, me vëmendje të veçantë ndaj zonave në veri të Kosovës dhe zhvillimeve afatgjata në vend”, deklaroi Ulutaş.
Ai theksoi se, pavarësisht dallimeve politike dhe shoqërore, qytetarët e Kosovës ndajnë synimin për një të ardhme paqësore dhe të begatë.
Në këtë drejtim, Ulutaş nënvizoi rëndësinë e dëgjimit të të gjitha palëve dhe të bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas tij, procesi i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të përballet me sfida, por ai shprehu optimizëm se pengesat mund të tejkalohen përmes durimit, këmbënguljes, udhëheqjes dhe një qasjeje konstruktive nga të gjitha palët.
KFOR-i, theksoi ai, do të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke mbështetur përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që respektojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Presidentja Shiroka Pula: Anëtarësimi në NATO mbetet synim i Kosovës
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila shprehu mirënjohjen për të gjithë ushtarët e vendeve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999. Ajo vlerësoi kontributin e pjesëtarëve të misionit, shumë prej të cilëve kanë kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyre, duke theksuar se angazhimi i tyre do të mbetet pjesë e historisë së Kosovës. Presidentja riafirmoi gjithashtu se anëtarësimi në NATO mbetet një nga synimet kryesore të vendit, duke shprehur gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar drejtpërdrejt në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri.
“Anëtarësimi në NATO mbetet i qartë, që Kosova të jetë edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Do të marrim pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe e siguri, si anëtare e NATO-s”, deklaroi Shiroka Pula.
NATO vlerëson më shumë se 27 vjet shërbim të KFOR-it
Admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), vlerësoi punën dhe përkushtimin e pjesëtarëve të KFOR-it gjatë më shumë se 27 vjetëve të pranisë së misionit në Kosovë. Ai rikujtoi se mandati i KFOR-it është të vendosë, të ofrojë dhe të ruajë një mjedis të sigurt, në mënyrë që të gjitha komunitetet të mund të jetojnë në paqe.
“Për më shumë se 27 vjet, burrat dhe gratë nga mbi 31 shtete kanë shërbyer me krenari në kuadër të këtij mandati fisnik, me profesionalizëm dhe guxim”, u shpreh Wikoff. Sipas të dhënave të bëra të ditura, në kuadër të misionit të KFOR-it shërbejnë rreth 4 mijë e 657 trupa nga 31 vende të botës. Ndërrimi i komandës shënon një kapitull të ri në drejtimin e misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa vazhdimësia e angazhimit të tij mbetet e lidhur me garantimin e sigurisë, mbrojtjen e të gjitha komuniteteve dhe mbështetjen e përpjekjeve për stabilitet afatgjatë në vend dhe rajon./BS










