Është gjetur pa shenja jete këngëtari i njohur shqiptar, Shemsedin Krasniqi i njohur me nofkën artistike Shemi i grupit “Ilirët”. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Sot rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmerren veprimet e nevojshme policore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshe Shemi, ka qenë i njohur për interpretimin e këngës “Xhamadani vija vija” dhe dhjetëra këngëve të tjera të muzikës patriotike e të muzikës së lehtë.
Shemi gjithashtu i ka dhënë zë këngëve tjera patriotike si “Mora fjalë”, “Adem Jashari”, “Besa besë” e “Kosova ime”.
Krasniqi mbetet një figurë e njohur në skenën muzikore shqiptare, sidomos për fansat e muzikës me influenca kombëtare dhe të viteve ’90, duke ruajtur një vend të veçantë në zemrat e adhuruesve të muzikës tradicionale dhe rock-folk, transmeton rtk.




