POSTIMET E FUNDIT

Fury rikthehet si kampion


Rikthimi i Tyson Fury në ring nuk mund të ishte më bindës. Pas një periudhe pasigurie dhe deklaratash për tërheqje, britaniku tregoi se mbetet një nga figurat më dominante në boksin e peshave të rënda, duke mposhtur Arslanbek Makhmudov me vendim unanim të gjyqtarëve.

Në një duel të kontrolluar nga fillimi deri në fund, Fury demonstroi inteligjencën e tij taktike dhe epërsinë teknike. Me lëvizje të shkëlqyera në ring, ai neutralizoi çdo përpjekje të kundërshtarit për të imponuar forcën fizike. Makhmudov, i njohur për goditjet e rënda, nuk arriti të gjejë ritmin përballë një kundërshtari që menaxhoi distancën me mjeshtëri.

Fury nuk u mjaftua vetëm me kontrollin e ndeshjes. Ai ndërtoi gradualisht epërsinë duke kombinuar goditjet në kokë dhe trup, duke lodhur kundërshtarin dhe duke e detyruar të bëhej gjithnjë e më i parashikueshëm. Në raundet e fundit, britaniku zgjodhi maturinë, duke administruar avantazhin dhe duke siguruar një fitore të pastër pa rrezikuar.

Rezultatet 120-108, 120-108 dhe 119-109 pasqyruan qartë dominimin e tij, duke konfirmuar se “Gypsy King” mbetet një forcë serioze në skenën botërore.

Në tribunë, prania e Anthony Joshua nuk kaloi pa u vënë re. Kjo ka rritur ndjeshëm spekulimet për një përballje të shumëpritur mes dy britanikëve – një duel që mund të përcaktojë epokën në kategorinë e peshave të rënda.

Ndërkohë, humbja ndaj Oleksandr Usyk duket tashmë si një kapitull i kaluar për Fury, i cili me këtë performancë dha një mesazh të qartë: ai është rikthyer për të sunduar sërish, transmeton rtk, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB