10.4 C
Zurich
Friday, February 13, 2026
spot_img
spot_img

Fundi i një procesi ku po gjykohet liria, që do mbetet plagë politike e Kosovës

Duhet ti lexosh

Nga Hisen Berisha

(Ky mekanizëm (DHS)nuk mbyllet nga Kosova, as nga institucionet e saj, por nga arkitektura ndërkombëtare që e krijoi, Këshilli i Evropës. A do të mbeten në funksion si mekanizëm i pafund për gjykimin e luftëtarëve dhe të luftës për liri?)

Procesi në Dhomat e Specializuara në Hagë po hyn në fazën e fundit. Dhe Kosova po afrohet drejt një momenti që nuk është vetëm juridik, por historik.

- Reklama -

Sepse në bankën e të akuzuarve nuk janë vetëm Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Në peshoren e drejtësisë, është vetë ideja e çlirimit. Në peshore është vetë shteti i Kosovës dhe historia e tij e lirisë.

Kjo gjykatë nuk u ngrit si produkt i një drejtësie universale që funksionon mbi parimin e ligjshmërisë. Por, u ngrit si produkt i një kompromisi politik ndërkombëtar, dhe si pasojë e një arkitekture të ndërtuar mbi raportin e Dick Marty-t, (pretendimeve të sherbimit sekreret serb, prokurorisë serbe e ruse), mbi presionin e Këshillit të Evropës dhe mbi një logjikë evropiane që kërkoi “balancë” jo me Serbinë agresore, por mbi shpinën e Kosovës dhe lirisë sonë.

Le ta themi pa ekuivoke, shteti i Kosovës u detyrua të krijojë një gjykatë të jashtme për të gjykuar themeluesit e vet. E kjo është anomali shtetërore. Është plagë politike. Një padrejtësi historike e paketuar si drejtësi. Dhe kjo plagë nuk mund të fshihet duke e cilësuar ketë Tribunal me termin “drejtësi tranzicionale”.

- Advertisement -

Dhomat Speciale nuk janë tribunal universal. Është evidente se janë tribunal selektiv.

Një gjykatë e ndërtuar vetëm për njërën palë.

Vetëm për shqiptarët.

Vetëm për gjykimin e luftës çlirimtare.

Ato Dhoma janë produkt i një kompromisi politik ndërkombëtar.

Ndërsa Serbia, agresori shtetëror, makineria e masakrave, e përdhunimeve, e deportimeve, mbetet jashtë peshoreve.

Kjo gjykatë nuk u ngrit për më shumë se 13 mijë civilë të vrarë, mbi 1600 të zhdukur, varrezat masive nëpër Serbi, komandat e shtabet e ushtrisë, policisë e kriminelëve ordiner (të liruar nga burgjet e Serbis) që masakruan civil e dogjën Kosovën.

Jo! Këto Dhoma, u ngrit sepse duhej një “balancë politike”.

Sepse Kosova nuk guxonte të dilte e pastër në histori.

Sepse liria duhej relativizuar.

Ky është absurdi moral i shekullit.

Një gjykatë e ndërtuar jashtë Kosovës, me ligje të veçanta, me procedura të veçanta, me target të veçantë.

Pyetja nuk është vetëm se,

“A kanë bërë gabime individët?”

Pyetja është më e rëndë,

A po gjykohet UÇK-ja si ide?

A po shndërrohet lufta çlirimtare në dosje kriminale?

A po kthehet agresori në palë simetrike me viktimën?

Sepse nëse UÇK, futet në mjegull juridike, atëherë, liria bëhet “gabim”, pavarësia bëhet “kompromis”, shteti konsiderohet “aksidental”, e “projekt i përkohshëm” dhe Serbia del palë e barabartë.

Ky është synimi i vërtetë i këtij procesi.

Sepse rreziku më i madh nuk është vetëm një vendim dënues mbi pretendime të stisura nga ZPS në Hagë, por pasoja politike që mund të prodhojë ai.

Një dënim që kriminalizon luftën për liri dhe UÇK, do t’i shërbente Serbisë dhe Rusisë si argument për ta rikthyer çështjen e Kosovës në instancat ndërkombëtare, madje edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me synim rihapjen e debatit mbi pavarësinë.

Kjo do të ishte goditje jo vetëm ndaj individëve, por ndaj vetë legjitimitetit të shtetit të Kosovës.

Kjo është padrejtësi strukturore.

Sepse kemi një gjykatë që nuk u ngrit mbi universalitetin e parimit të ligjshmërisë, por mbi selektivitetin si dogmë juridike, që duke pretenduar drejtësinë më të madhe, prodhon padrejtësinë më të madhe.

Dhe këtu lidhet gjithçka me të tashmen, specialjen dhe logjikën e shtetit të cunguar.

Sepse sot, ndërsa Specialja po shkon drejt fundit, Kosova po shtyhet drejt Asociacionit.

Po shtyhet drejt autonomisë territoriale, politike të komunave me shumicë serbe.

Po shtyhet drejt Planit Franko-Gjerman dhe Marrëveshjes së Ohrit me vetmenaxhimin si e drejtë të një komuniteti (serbëve) për të jetuar autonom apo i pavarur brenda territorit të shtetit të Kosovës. Pra drejt të njëjtës logjikë për Kosovën si shtet i negociueshëm.

Kosovën si projekt i cunguar.

Kosovën si kompromis i përhershëm.

Specialja ishte veç preludi.

Asociacioni është akti i radhës.

Nëse drejtësia është e verbër nga paragjykimi politik, ajo nuk zgjedh komb.

Por ky proces, fatkeqësisht, është perceptuar si pjesë e një projekti më të madh, me synim jo vetëm gjykimin e individëve, por relativizimin e luftës çlirimtare si akt themelues i shtetit.

Dhe tani, teksa kjo seancë po shkon drejt përfundimit, shtrohet dilema më e rëndë se, a po e përmbushin Dhomat Speciale misionin e tyre, po e mbyllin një padrejtësi, apo ajo nuk do të ketë kurrë fund?

Sepse sipas Ligjit të vetë Dhomave të Specializuara, ky mekanizëm nuk mbyllet nga Kosova, as nga institucionet e saj, por nga arkitektura ndërkombëtare që e krijoi, Këshilli i Evropës.

Pra edhe epilogu nuk është sovran.

Dhe kjo e bën plagën edhe më të thellë, një proces i imponuar si “drejtësi”, që rrezikon të mos përfundojë kurrë realisht, por të mbetet në funksion si mekanizëm i pafund për gjykimin e luftëtarëve dhe të luftës për liri.

Prandaj fundi i procesit nuk është fundi i betejës për dinjitetin e Kosovës.

Nëse Specialja vazhdon si tribunal permanent kundër një historie të tërë çlirimtare, atëherë kjo do të ishte padrejtësia më e madhe, në emër të drejtësisë selektive.

Kosova nuk duhet të heshtë, nuk duhet ta presë fundin e këtij procesi si spektatore.

Jo kundër drejtësisë, por kundër selektivitetit.

Jo kundër gjykimit të krimeve, por kundër gjykimit të një historie të tërë përpjekjesh për liri.

Heshtja sot është pranim.

Dhe një gjykatë që ndërtohet vetëm për njërën palë nuk sjell drejtësi. Por një mesazh se liria nuk falet, dhe se lirinë po e paguajm dy herë.

Asnjë shtet nuk mund të ecë përpara duke e mbajtur luftën çlirimtare në bankën e të akuzuarve.

Sot, jo vetëm Thaçi dhe Veseli janë në bankën e të akuzuarve, në peshore është Kosova dhe historia e lirisë sonë.

Dhe pyetja që do të mbetet për dekada në ndërgjejen tonë dhe të drejtëdisë ndërkombëtare është se, a ishte kjo drejtësi? Apo ishte kompromis politik mbi kurrizin e një populli që e fitoi lirinë me gjak?

Sepse një shtet që detyrohet të gjykojë çlirimin e vet, nuk është thjesht në proces gjyqësor, është në proces të rishkrimit të vetvetes. /GD

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme