Prishtinë – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, i organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë mortajash.
Sipas një njoftimi të FSK-së, ushtrimi fushor “Dynamic Front” është një aktivitet shumëkombësh, që ka për qëllim testimin e ndërveprueshmërisë së ushtrive të NATO-s dhe forcave partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt. Ky vit, ushtrimi po zhvillohet paralelisht në pesë vende: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.
Kontingjenti i FSK-së ka zbarkuar në Gjermani, në zonën stërvitore Grafenwöhr, i pajisur me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjete, armatim dhe municion. Sipas njoftimit, trupat e FSK-së kanë vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Togu i mortajave, me elementët e Vijës së Zjarrit, Qendrës së Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesve të Përparëm, si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat italiane.
FSK thekson se gjatë këtij ushtrimi ka demonstruar përvojën dhe kapacitetet e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer mësime të nxjerra dhe praktika më të mira me forcat partnere. “FSK çdo ditë po dëshmon profesionalizmin dhe disiplinën duke ndërvepruar me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.
Ushtrimi “Dynamic Front 26” paraqet një mundësi të rëndësishme për FSK-në që të forcojë kapacitetet e saj, të avancojë bashkëpunimin me forcat partnere dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar, transmeton rtk.




