POSTIMET E FUNDIT

Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale: Viktimat kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet

HAGË – Në Gjykatën Speciale për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dita e dytë e fjalëve përmbyllëse u përqendrua te zëri i viktimave dhe ndikimi i krimeve të pretenduara gjatë konfliktit.

Prokuroria e Specializuar përfundoi fjalën e saj përmbyllëse, duke akuzuar ish-presidentin Hashim Thaçi për mashtrim ndaj ndërkombëtarëve dhe duke theksuar se deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në duhet të vlerësohen me rezervë.

Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e mbajti Simon Laws, mbrojtësi i viktimave. Ai nënvizoi se krimet e disa anëtarëve të UÇK-së nuk e bëjnë të gjithë organizatën një grup kriminal. “UÇK-ja ka luftuar një luftë çlirimtare dhe shumica e luftëtarëve të saj e kanë bërë këtë. Por është e vërtetë gjithashtu se disa anëtarë të saj kanë kryer krime,” tha Laws.

Ai përshkroi përjetimet e familjeve të viktimave, duke theksuar pasigurinë dhe vuajtjet që disa prej tyre përjetuan për dekada. Duke cituar dëshmitë e disa familjeve, ai përmendi një grua që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte asnjë provë për fatin e tij. “Kjo ka qenë një torturë e vërtetë,” tha Laws.

Mbrojtësi i viktimave foli gjithashtu për vrasjet që pretendohet se janë kryer nga disa anëtarë të UÇK-së, të cilat, sipas tij, janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Ai theksoi se disa viktima kanë heshtur për humbjen e të afërmve nga frika se e njëjta gjë mund t’u ndodhte atyre.

Sipas tij, është thelbësore që në vendimin e trupit gjykues të dëgjohet zëri i viktimave dhe të merren parasysh vuajtjet e tyre.

Seanca e radhës pritet të nisë nesër në mëngjes në orën 9:00, kur do të mbahet fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Hashim Thaçit, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB