Nga Dashnim HEBIBI
DHËRMI – Një situatë e pazakontë është vënë re këtë sezon turistik në bregdetin e Dhërmiut. Përgjatë pjesës bregdetare të zonës, flamuri kombëtar kuq e zi duket se mungon tërësisht, një fakt që ka tërhequr vëmendjen e pushuesve dhe veçanërisht të mërgimtarëve shqiptarë. Arsyeja se përse flamuri kombëtar nuk shihet në hapësirat përgjatë bregdetit të Dhërmiut nuk dihet ende. Nuk ka një shpjegim të qartë nëse bëhet fjalë për mungesë organizimi, ndonjë vendim të caktuar apo për një arsye tjetër. Disa mërgimtarë shqiptarë, të cilët këtë verë kanë zgjedhur Dhërmiun për të kaluar pushimet, kanë shprehur habinë e tyre për këtë situatë. Sipas tyre, gjatë qëndrimit në zonën bregdetare, nuk kanë parë flamurin kombëtar kuq e zi në asnjë prej hapësirave ku kanë kaluar, duke ngritur pyetjen se përse simboli kombëtar mungon në një prej destinacioneve më të njohura turistike të bregdetit shqiptar.
“Erdhëm për pushime dhe na bëri përshtypje. Kudo që shkuam përgjatë bregdetit dhe në shetitore të qytetit nuk pamë flamurin kuq e zi. Nuk e dimë pse”, shprehen disa prej mërgimtarëve.
Mungesa e flamurit ka ngritur pikëpyetje, sidomos në një periudhë kur Dhërmiu është i mbushur me pushues nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare dhe diaspora.
Pse mungon flamuri kombëtar në bregdetin e Dhërmiut?
Kush duhet të kujdeset për vendosjen e tij dhe a ka një arsye zyrtare për këtë situatë?
Për momentin, përgjigjet mungojnë. Së shpejti, një reportazh i veçantë me foto nga bregdeti i Dhërmiut, ku do të dokumentojmë situatën në terren dhe do t’u tregojmë lexuesve me foto dhe bashkëbisedime se mungon flamuri përgjatë kësaj zone. Dhërmiu pa kuq e zi – një mungesë që ka habitur mërgimtarët dhe që kërkon një shpjegim. ( Foto nga Adi HEBIBI, Durrës)










