2.5 C
Zurich
Wednesday, December 3, 2025
spot_img
spot_img

FESTIVALI “KËNGA POPULLORE NA BASHKONË” NË PRIZREN

Duhet ti lexosh

Nga Shefqet CAKOLLI – President i SH.K.A “Dardania” në Zvicër

(Mik i Redaksisë)

Organizuar nga SH.K.A. “Agimi” nga Prizreni, nën drejtimin e kryetarit Festim Bytyqi, dhe të mbështetur nga Komuna e Prizrenit dhe Drejtoria e Kulturës, dje u mbajt edicioni i tetë i festivalit në Shtëpinë e Kulturës në Prizren.

Kisha një ftesë interne nga njerëz të kulturës, mes tyre edhe miku ynë i SH.K.A. “Dardania”, etnomuzikologu dhe profesori – njëkohësisht gazetar i kulturës në vitet ’80 – z. Sami Piraj, i cili më sugjeroi të merrja pjesë në këtë festival të rëndësishëm, për të krijuar një pasqyrë më të qartë të grupeve dhe ansambleve pjesëmarrëse. Një nga këto ansamble është e ftuar edhe në festivalin “Diaspora Fest 26” që do të mbahet vitin e ardhshëm në Zvicër.

Ashtu edhe ndodhi. U nisëm nga Prishtina drejt Prizrenit me qëllimin e vetëm që t’i përcillnim nga afër grupet dhe ansamblet që do të paraqiteshin atë mbrëmje me këngët e tyre të përzgjedhura.

Organizimi ishte i mirë, me një ambient solid dhe një publik të qetë e të kujdesshëm – ashtu siç kërkon kënga, e cila donë përkushtim dhe qetësi për t’u dëgjuar, sidomos nga juria që këtë herë ishte e përbërë nga tri figura të shquara të jetës kulturore në trojet tona:

• Sami Piraj, etnomuzikolog dhe kompozitor, kryetar i jurisë;

• Esat Ruka, mysafir special nga Shqipëria;

• Zonja Ruka, profesoreshë e fyejve tradicionale.

Në festival morën pjesë pesë grupe të këngëve qytetare e popullore:

• grupi i burrave “Burimi” nga Ulqini,

• grupi “Isuf Myzyri” nga Elbasani,

• kori i grave “Nexhmije Pagarusha” nga Prishtina,

• grupi “Shkëmbi” nga Kalabria,

• grupi “Presheva” nga Presheva.

Të gjitha paraqitjet ishin me këngë dhe instrumente të gjalla, që zgjuan interesim të madh te publiku. Për ne si mysafirë të ardhur nga mërgata, ishte vërtet një privilegj dhe nder i veçantë respekti nga të pranishmit.

Më gëzoi fakti që isha prezent në këtë festival, sepse secili artist shprehte respekt të veçantë, sidomos ata me të cilët jemi takuar më parë në festivale të ndryshme ose kemi bashkëpunuar në SH.K.A. “Dardania” në Zvicër, në kuadër të 25-vjetorit të themelimit në vitin 2019. Ndër ta, dy bilbilat e Çamërisë – Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi – kishin ardhur enkas për të përshëndetur festivalin me këngët e tyre, pasi përfunduan paraqitjet garuese.

U ndanë shumë çmime dhe mirënjohje për pjesëmarrësit, ku:

• Çmimi i parë iu nda grupit nga Presheva, nga kryetari i Komunës z. Shaqir Totaj;

• Çmimi i dytë iu takoi ansamblit “Isuf Myzyri” nga Elbasani;

• Çmimi i tretë iu dha korit të grave “Nexhmije Pagarusha” nga Prishtina, i ndarë nga profesori Esat Ruka.

Kryetari i jurisë, prof. Sami Piraj, përmbylli natën me leximin dhe vlerësimin e çmimeve të këtij festivali aq modest por jashtëzakonisht mirë të organizuar nga SH.K.A. “Agimi” nga Prizreni.

Pas përfundimit të festivalit, organizatorët ishin të ftuar në një darkë. Unë, në fakt, nuk isha i ftuar zyrtarisht, pasi pjesëmarrja ime ishte e rastësishme, por me këmbënguljen e artistëve dhe profesorit Sami Piraj mora pjesë edhe unë në këtë darkë të përbashkët, e cila më la një përshtypje vërtet festive. Kishte shumë kohë që nuk e kisha përjetuar një ndjenjë kaq të këndshme dhe një atmosferë kaq miqësore në mesin e artistëve që me këngë e humor e bënë atë mbrëmje të paharrueshme deri në orët e vona të natës.

Kryetarit Festim Bytyqi i shpreha mirënjohjen nga zemra për bujarinë dhe punën e bërë, duke i treguar njëkohësisht se isha “mysafir i pa ftuar”. Por ai, me modesti, më siguroi se nuk bëhej fjalë dhe më uroi mirëseardhje të sinqertë.

Kështu, u ktheva rrugës për Prishtinë i mbushur shpirtërisht dhe kulturorisht, pasi pata rastin të takoja e të bisedoja me shumë miq e artistë. Sidomos momenti kur u ula me grupin e Preshevës – të cilët më pranuan si të tyren pa më njohur fare – më la një përshtypje të veçantë dhe një kujtim të paharruar, transmeton helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme