Përgatiti Dashnim HEBIBI
Shoqata Humanitare “Medvegja” sonte, më 7 mars 2026, duke filluar nga ora 19:00, organizon një mbrëmje madhështore festive në Fully të Valisit, kushtuar 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe datave të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Kjo mbrëmje festive i kushtohet gjithashtu 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke nderuar kontributin e çmuar të mësimdhënësve ndër vite, si dhe Epopesë së UÇK-së, në kujtim të sakrificës dhe heroizmit për lirinë e popullit tonë. Po ashtu do të përkujtohen edhe 1 dhe 2 Marsi, referendumi historik për ribashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën, një moment i rëndësishëm për shqiptarët e atyre trevave.
Programi artistik i mbrëmjes pritet të jetë i pasur dhe plot atmosferë festive. Të pranishmit do t’i argëtojnë vëllezërit Alimusaj me repertorin e tyre të njohur muzikor, ndërsa në skenë do të performojë edhe këngëtarja Mimoza Buzukja. Atmosferën do ta gjallërojnë edhe instrumentistët Avni Neziri në sint dhe Alen Aliti në saksofon.
Një pjesë e veçantë e programit do t’i takojë edhe SH.K.A. “Medvegja”, e cila do të prezantojë valle dhe veshje tradicionale shqiptare, duke sjellë para publikut bukurinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Në përmbyllje të mbrëmjes do të organizohen edhe disa lojëra shpërblyese për të pranishmit, duke e bërë këtë festë edhe më të veçantë dhe më argëtuese për të gjithë pjesëmarrësit.
Organizatorët ftojnë të gjithë bashkatdhetarët, miqtë dhe dashamirët e kulturës shqiptare që të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje festive.
Mos harroni pa ardhur – medvegjasit ju mirëpresin!
Ejani sonte dhe festoni së bashku me medvegjasit në Fully të Valisit.




