Inline image
Nuk vlejnë vetëm fjalët pro konservatorizmit dhe kundër George Sorosit. Ne duhet të veprojmë para se të jetë shumë vonë. Nëse nuk veprojmë tani, në këto momente delikate për vendin, rrezikojmë të mos përbëjmë më alternativë, sepse as votuesit tanë, as qytetarët shqiptarë dhe as aleatët nuk na marrin më seriozisht.
Nuk mund të heshtim para fajeve tona me lista të mbyllura, vendimeve në grupe të vogla dhe të pakonsultuara me anëtarësinë, kandidatëve apolitik dhe apartiakë, mungesës së mbështetjes për antikomunistë, për punëtorë e meritorë të kauzave tona, për nënshkrime të pafalshme për individë të majtë dhe që nuk kanë asnjë lidhje me PD-në.
Ky vakum politik i hap rrugën lloj lloj rrymave në Parti, të nxitura nga pushteti, që të kërkojnë të forcohen politikisht dhe të marrin opozitën.
Veprimet tona dhe heshtja jonë nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se zgjasin statuskuonë e rregjimit dhe agoninë e vendit.
PD ka nevojë më tepër se kurrë për senatorë, intelektualë, patriotë, qëndrestarë dhe figura të sprovuara politikisht.
PD ka nevojë për ridimensionim të mendimit politik dhe kthim në rithemelim, ndarje të partisë/organizimit nga grupi parlamentar dhe kthim tek forumet e partisë, vota e lirë brenda forumeve dhe meritokracia që premtuam.
35 vjet Parti mes asgjesimit dhe shkatërrimit, shpërbërjes dhe pengmarrjes së Partisë duhet të na shërbenin si shembull se asgjë përveç veprimeve tona nuk e bjerrin besimin e demokratëve.
Kjo duhet të ndodhë shumë shpejtë, përndryshe Rama do të vazhdojë të mbijetojë edhe megjithëse ka rënë në realitet.




