POSTIMET E FUNDIT

EES në kufijtë e BE-së: Siguri më e lartë, por pritje të gjata për udhëtarët nga Ballkani

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

EES në kufijtë e Bashkimit Evropian: modernizim i domosdoshëm, por me kosto të lartë dhe lodhje e tepërt në pritje për udhëtarët nga Ballkani

Zbatimi i Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES) në kufijtë e Bashkimit Evropian po konsiderohet si një nga reformat më të mëdha teknologjike në menaxhimin e kufijve në dekadat e fundit. Ky sistem, i vendosur nga Komisioni Evropian, ka për qëllim të zëvendësojë vulosjen tradicionale të pasaportave me një proces tërësisht digjital, duke regjistruar të dhëna biometrike dhe personale të qytetarëve që nuk janë shtetas të BE-së.

Sipas autoriteteve evropiane, EES synon të rrisë sigurinë, të identifikojë më lehtë personat që tejkalojnë afatin e qëndrimit dhe të luftojë fenomenet si vjedhja e identitetit dhe hyrjet e paligjshme. Sistemi përfshin marrjen e gjurmëve të gishtërinjve, fotografimin e fytyrës dhe regjistrimin e detajeve të udhëtimit për çdo hyrje dhe dalje në zonën Shengen. Ai zbatohet për të gjithë qytetarët e vendeve të treta që posedojnë pasaporta biometrike, pavarësisht nëse kanë nevojë për vizë apo jo. Zbatimi i pjesshëm i këtij sistemi kishte nisur që në tetor të vitit 2025, ndërsa tashmë ai është në përdorim më të gjerë. Sipas të dhënave zyrtare, në vetëm pesë muaj janë regjistruar mbi 45 milionë hyrje dhe dalje, janë refuzuar më shumë se 24 mijë persona dhe mbi 600 individë janë identifikuar si rrezik potencial për sigurinë.

Megjithatë, përtej statistikave optimiste, realiteti në terren po paraqet një tablo krejt tjetër – sidomos për udhëtarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Një rast i rëndë është raportuar më 3 maj në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, ku dhjetëra autobusë me mërgimtarë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra. Sipas informacioneve të siguruara nga terreni, 57 udhëtarë të kompanisë së njohur “Euro Turist” nga Gostivari kanë pritur plot 9 orë për të hyrë në Kroaci. 

Udhëtarët e përshkruajnë përvojën si tepër të lodhshme dhe të panevojshme. Sipas tyre, problemi nuk lidhej vetëm me procedurat e reja të EES-it, por edhe me organizimin e dobët nga pala kroate. Në vend që të funksiononin disa korsi për autobusë, ishte aktiv vetëm një kanal hyrjeje, ndërkohë që infrastruktura lejonte të paktën tre të tilla.

“Ka ndodhur që kemi pasur edhe më shumë autobusë në pritje, por kur hapen më shumë korsi, kalimi bëhet për dy apo tre orë. Kjo që ndodhi dje është jashtë çdo normaliteti”, ka deklaruar një nga shoferët, me mbi 18 vite përvojë në transport ndërkombëtar. 

Situata është përshkruar si veçanërisht e rëndë për fëmijët dhe të moshuarit, të cilët kanë qëndruar për orë të tëra në autobus pa kushte minimale. Mungesa e mundësisë për të kryer nevojat bazë gjatë një pritjeje kaq të gjatë ka shkaktuar pakënaqësi dhe indinjatë tek udhëtarët.

“Tmerr ka qenë. Njerëzit kanë vuajtur për gjëra elementare. Nuk është njerëzore të presësh 9 orë kur mund të kalosh për 2 apo 3”, kanë deklaruar disa prej tyre. Shumica e autobusëve në kolonë ishin nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, çka tregon se barra më e madhe e këtyre vonesave bie mbi mërgimtarët e rajonit. Ata i bëjnë thirrje institucioneve të vendeve të tyre që të reagojnë dhe të kërkojnë koordinim më të mirë me autoritetet e BE-së, në mënyrë që të shmangen situata të tilla në të ardhmen. Sipas tyre, nuk kërkohet asgjë më shumë se trajtim dinjitoz dhe organizim më efikas në kufi.

 Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka pranuar se disa shtete anëtare po përballen me vështirësi teknike dhe organizative në zbatimin e sistemit. Zyrtarët kanë bërë të ditur se janë duke bashkëpunuar me këto vende për të përmirësuar proceset dhe për të ndarë praktikat më të mira nga vendet ku sistemi po funksionon më mirë. Gjithashtu, është paralajmëruar një fleksibilitet i përkohshëm gjatë sezonit veror, kur pritet rritje e ndjeshme e lëvizjes së udhëtarëve. Ky fleksibilitet synon të shmangë bllokimet dhe të lehtësojë qarkullimin në kufij.

Por pyetja që shtrohet është: a do të jetë i mjaftueshëm ky fleksibilitet?

Nëse situata të tilla si ajo e 3 majit përsëriten gjatë muajve të verës, atëherë sistemi që synon të sjellë efikasitet mund të prodhojë efektin e kundërt. Për shumë mërgimtarë, udhëtimi drejt atdheut është një traditë e përvitshme dhe një lidhje e fortë emocionale që nuk mund të ndërpritet, pavarësisht vështirësive.

“Ne nuk do të ndalemi së ardhuri në vendin tonë, por kërkojmë të trajtohemi si njerëz”, është mesazhi i qartë që vjen nga udhëtarët. 

Në një kohë kur Bashkimi Evropian synon të ndërtojë kufij inteligjentë dhe të sigurt, sfida kryesore mbetet që këto sisteme të funksionojnë në praktikë pa cenuar dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Teknologjia mund të jetë e avancuar, por zbatimi i saj duhet të mbetet gjithmonë në shërbim të njeriut. Mërgimtarë, përgatituni për pushimet e verës me pritje edhe më të gjata ! Po besojmë shumë, se shtetet tona do të kenë një bashkëpunim më të madh me shtetin kroat dhe ate hungarez por edhe malazez, që mërgata jonë të ketë lehtësime.

Foto nga Adi HEBIBI

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB