1.8 C
Zurich
Wednesday, January 28, 2026
spot_img
spot_img

Edhe dje, sot, nesër dhe gjithmonë do të kujtojmë

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Më 28 janar 1936, në Gjirokastër lindi Ismail Kadare – kolosi i letërsisë shqiptare, shkrimtari që i dha gjuhës sonë përmasën e përjetësisë dhe kujtesës sonë kombëtare një zë të papërsëritshëm. Sot, 90 vite më pas, vepra dhe fjala e tij vazhdojnë të jetojnë, të na sfidojnë dhe të na mbajnë zgjuar.

Kadareja ishte më shumë se një shkrimtar i madh. Ai ishte ndërgjegjja poetike e një populli, kronikani i heshtjeve dhe frikërave, i dashurive të pamundura dhe i qëndresës njerëzore. Në vargjet dhe prozën e tij, njeriu përballet me kohën, me tjetrin dhe me veten – shpesh si dy qytete mesjetare, të ndara nga mure të larta, por të lidhura nga shtigje të fshehta. Një nga poezitë më të ndjera të Ismail Kadaresë e shpreh këtë ndarje dhe këtë afërsi të pamundur me një delikatesë tronditëse:

Zakoni i vjetër na ka ndarë,

Tani të huaj ne u bëmë;

Si gurët që zënë vend në tokë,

Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur

Të gjitha rrugët edhe shtigjet,

Si dy qytete mesjetare

Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhur truri

Portat i mbyll me qetësi,

Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,

Një shteg që vetëm ti e di.

Pastaj, si në rrugica parqesh,

Shetit mes cirkovolucionesh,

Hyn nëpër ëndrra dhe shkujdesur

Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë afrohet,

Nis shqetësohesh befas ti,

Dhe heshturazi del përjashta,

Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen; rrjedh prapë jeta

Dhe ne të dy, si edhe më parë,

Të ftohtë rrimë e të pamposhtur

Si dy qytete mesjetare.

(Ismail Kadare)

Fotoja i përket vitit 2002, realizuar pas një interviste që pata nderin dhe kënaqësinë ta zhvilloja me Ismail Kadarenë. Një takim i qetë, i thjeshtë në dukje, por i paharrueshëm, ku çdo fjalë kishte peshë dhe çdo heshtje kuptim.

Edhe dje, sot, nesër dhe gjithmonë – Ismail Kadare mbetet i gjallë në letërsinë, kujtesën dhe shpirtin tonë. / HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme