DR. ELMI BERISHA: Të nderuar motra e vëllezër, të dashur bashkatdhetarë, përfaqësues të jetës fetare, kulturore e shoqërore, miq të pranishëm,
Sot jemi mbledhur këtu, në këtë shtëpi të shenjtë të Zotit, për të nderuar një prej figurave më të shquara të komunitetit tonë shqiptaro-amerikan Don Pjetër Popajn në 40-vjetorin e shugurimit të tij priftëror. Ky jubile nuk është thjesht një datë kalendarike por është një gur-më-themel në historinë tonë, në kujtesën tonë dhe në shpirtin e komunitetit tonë.

Shugurimi i Don Pjetrit, katër dekada më parë, ishte një ngjarje që mbushi me gëzim familjen e tij, të njohurit dhe mbarë diasporën shqiptare. Por sot, kur kthehemi pas me mendje dhe shohim gjithë këtë rrugëtim të bekuar, e kuptojmë më qartë se ajo ditë nuk ishte vetëm fillimi i misionit të një meshtari. Ajo ishte bekimi i një njeriu që Zoti e zgjodhi për të qenë udhërrëfyes shpirtëror, mbrojtës i besimit dhe simbol i dashurisë së pakushtëzuar për kombin e vet.
Në këto 40 vite shërbim, Don Pjetër Popaj nuk ka qenë vetëm prift. Ai ka qenë zëri ynë, forca jonë, krahët që na kanë mbajtur, dorë e shtrirë për çdo shqiptar në nevojë, dhe dritë për ata që kërkojnë paqe, ngushëllim dhe shpresë. Nën drejtimin e tij, Kisha Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork është shndërruar në një ndër qendrat më të fuqishme të identitetit tonë kombëtar në diasporë. Aty është falur jo vetëm besimi, por edhe gjuha shqipe, kultura jonë, tradita jonë shekullore, dashuria për atdheun. Falë vizionit të Don Pjetrit, kjo qendër nuk është vetëm një kishë, por është një shtëpi e madhe e shqiptarëve, ku dera është gjithmonë e hapur—pa dallim feje, krahine, bindjeje a përkatësie.
Me urtinë dhe butësinë e tij, ai ka qenë një ura lidhëse midis komuniteteve tona, një promovues i dialogut vëllazëror, një përkrahës i pandalshëm i bashkëpunimit mes shqiptarëve të besimeve dhe prejardhjeve të ndryshme. Ai ka treguar me jetë dhe vepër se shqiptaria është mbi gjithçka, se dashuria, respekti dhe mirësia janë vlera që na bashkojnë, jo që na ndajnë.
Qendra “Nënë Tereza”, që ai e udhëheq me përkushtim, ka qenë simbol i bamirësisë, solidaritetit dhe përkujdesjes për çdo shqiptar të diasporës. Atje janë pritur me dinjitet breza të tërë emigrantësh, është ruajtur tradita jonë dhe është përcjellë shpirti i dashurisë për njeriun, siç e mësonte e Shenjta Nënë Terezë. Don Pjetri është një shembull i përkushtimit, një fanar i pashuar i besimit, një patriot i urtë, një udhëheqës shpirtëror që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e diasporës shqiptare. Ai është rritur me vlera, ka jetuar me vlera dhe ka predikuar vlera që sot na bashkojnë, na mësojnë dhe na frymëzojnë.
Në 40 vitet e shërbimit të tij, Don Pjetri ka qenë pranë komunitetit në gëzim e në hidhërim, në lindje e në vdekje, në ditë feste dhe në ditë sfide. Ai ka qenë aty, gjithmonë, me fjalën e butë, me bekimin e tij, me zemër të hapur e me shpirt të madh.
Sot, në këtë përvjetor të shenjtë, në këtë ditë reflektimi dhe mirënjohjeje, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, dua të shpreh falënderimin më të thellë dhe respektin më të sinqertë për një njeri të madh që i ka dhënë shumë komunitetit tonë dhe i ka shërbyer me dinjitet e përkushtim Kosovës, Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.
I nderuar Don Pjetër Popaj,
Zoti ju bekoftë e ju dhëntë shëndet, forcë dhe vite të tjera të mbara në misionin tuaj të shenjtë.
Vepra juaj është e gdhendur në zemrat tona.
Shërbimi juaj është pasuri e pamatshme.
Rruga juaj është frymëzim për brezat që do të vijnë.
Ju faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për komunitetin tonë.
Qoftë ky 40-vjetor jo vetëm një kujtim, por edhe një premtim i ri: se vepra juaj do të vazhdojë të mbetet gur themeli i unitetit, besimit dhe shqiptarisë në mërgatë.
Zoti e bekoftë Don Pjetër Popajn!
Zoti e bekoftë komunitetin tonë shqiptaro-amerikan!
Zoti e bekoftë kombin shqiptar!
Ju faleminderit.
NDREKË TONAJ: Fort i dashur, i nderuar dhe i respektuar Dom Pjetër Popaj
Gëzuar nga zemra 40 vjetorin e Meshtarisë. Në emër të Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës e mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan të shpehim sot mirënjohjen e thellë, respektin e lartë e falenderimet më të përzëmërta për shërbimin shpirtëror, moral, edukativ, kulturor dhe atdhetar që kë bërë për shqiptarët në 4 dekada. Komunitetit tonë i dhe bekim, dashuri, përkushtim, vetmohim, sakrifica e dinjitet. Me përvujtërinë tënde, përulësinë tënde, shembullin tënd, me mirësinë tënde, edukatën dhe frymën atdhetare na ke dhënë mësime të vyera mbi jetën katolike të vërtetë, frymën e vëllazërisë, respektit, harmonisë e bashkëpunimit mes nesh dhe komuniteteve të tjera fetare dhe etnike.
Sot me krenari e nder secili prej nesh të nderon e vlerëson si një ndër figurat më të dashura, më të respektuara e më të nderuara të komunitetit shqiptar në diasporë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë devotshmërisë e përulësisë suaj në shërbim, besim të thellë të i madhi Zot dhe lidershipit të shkëlqyer si famullitar e patriot. Puna e palodhur, vizioni, disiplina, organizimi dhe fryma juaj si famullitar e shqiptar i vërtetë ka shëndërruar Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, qëndrën më të fuqishme fetare, kulturore, edukative dhe atdhetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jeta shembullore kishtare, veprimtaria e shenjtë baritore, përfaqësimi dinjitoz në daljet publike e vizitat komunitare, organizimi i aktiviteteve kulturore e kombëtare, puna juaj edukative e patriotike me Qendrën Kulturore Nënë Tereza, i ka dhënë kombit shqiptar një shërbim të madh patriotik në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, historisë kombëtare, traditave, gjuhës shqipe dhe kulturës së kombit tonë.
I dashur dhe i nderuar Dom Pjetër
Si udhëheqës shpirtëror, atdhetar, intelektual dhe humanist ju përfaqësoni modelin më të përkryer të njeriut të Zotit, kombit e atdheut. I dashur, zemërgjerë, patriot, mirëkuptues, tolerant, i respektshëm, vizionar, frymëzues, dinjitoz e kurajoz, përbashkues, drejtues kompetent, promotor, korrekt, i drejtë dhe i ndershëm janë pak prej shumë cilësive vetjake që ju ia keni transmetuar brezit të ri të të rinjve duke qenë shembull i jashtëzakonshëm i jetës fetare e atdhetare.
Si promotor i Ungjillit të Krishtit dhe vlerave kombëtare, Famullia jonë do të jetë përjetë mirënjohës për respektin, modelin, shembullin, shërbimin, frymën e sakrificën që ke bërë për secilin prej nesh. Jeta dhe vepra juaj e ndritur, urtësia, pastërtia, përulësia juaj ka qenë shpresë e frymëzim për të gjithë ne.
Zoti të bekoftë i nderuar dhe i bekuar Dom Pjetër Popaj
Faleminderit dhe mirënjohje përjetë.
FRANK SHKRELI: Ditën e Dielë me 16 Nëntor, 2025, Kisha Katolike shqiptaro-amerikane, “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork organizoi një darkë solemne me mbi 600-pjesëmarrës për të festuar 40-vjetorin e shugurimit të Dom Pjetër Popaj. Një përvjetor i rëndësishëm në historinë e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan por edhe për vet Dom Pjetrin, prifti i parë shqiptaro-amerikan i shugurar meshtar në Shtetet e Bashkuara. Bjë shënim të shkurtër me këtë rast:
“I ndershmi Dom Pjetër, të dashur miq, familjarë dhe anëtarë të famullisë, “Kisha Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.
Ne mblidhemi sot me gëzim dhe mirënjohje të thellë për të festuar një moment vërtetë të jashtëzakonshëm: 40-vjetorin e meshtarisë të mikut tonë të dashur dhe bariut të përkushtuar, Dom Pjetër Popaj, Famullitar i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork.
40-vjet shërbim meshtarak janë shumë më tepër se një numër. Përgjithësisht, ato përfaqësojnë një jetë plot sakrificash të heshtura, përkushtim të besueshëm dhe angazhim të palëkundur për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit dhe nevojave të grigjes së tij. Gjatë këtyre katër dekadave, për komunitetin tonë, Dom Pjetri ka qenë një burim force në kohë pikëllimesh, një i dërguar i shpresës në kohët e pasigurisë dhe një prani e gëzueshme në kohë gëzimesh e festimesh.
Ai ka pagëzuar fëmijët tanë. Ka ngushëlluar familjet tona në momentet e kalimit në amshim të të dashurve tanë. Na ka inkurajuar në përpjekjet tona dhe na ka ngritur me predikimet dhe shembullin e tij. Duart e tij kanë bekuar dhe kanë shëruar. Fjalët e tij kanë udhëzuar, këshilluar dhe frymëzuar, dhe zemra e tij ka qenë dhe mbetet e hapur për të gjithë ata që e kanë njohur dhe bashkpunuar me të.
Dom Pjetri, është pasardhës i denjë si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York, i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tirane-Durrës, të Përndershmit Monsinjor Rrok Mirdita. Një famulli kjo që siç shihet sot, kishte mbrenda praninë dhe ndihmën e të Madhit Zot.
Ajo që e bën këtë përvjetor edhe më të veçantë, nuk janë vetëm vitet e shërbimit, por mënyra se si janë shërbyer besimtarët dhe komuniteti shqiptar këtu në përgjithsi: me dashuri, përulësi, dhembshuri dhe besim të palëkundur. Dom Pjetër, shërbimi juaj ka prekur jetë në mënyra që mund të mos i dini, plotësisht, kurrë. Fara që keni mbjellur– përmes mirësisë, këshillave dhe dashurisë tuaj për popullin e Zotit, vazhdon të japi fryt në komunitetin tonë këtu në Nju Jork dhe më gjerë.
Në një periudhë fatzezë të historisë shqiptare, kur dukej se katolicizmi po zhdukej në Shqipëri nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, fillimisht, ka qenë Qendra Katolike Shqiptare në Amerikë dhe më vonë Kisha Zoja e Shkodrës kryesuar nga Monsinjor Oroshi dhe Dom Rrok Mirdita dhe sot nën drejtimin e Dom Pjetrit — ajo që gjatë dekadave të komunizmit në trojet shqiptare, po mbillte në Amerikë një farë të re rritjeje e lulëzimi: rilindjen pra të asaj që sot është Kisha Katolike në Shqipërinë e post-komunizmit zyrtar. “Nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe’’, ka qenë parashkimi dhe premtimi i Dom Zef Oroshit, në vitin 1962.
Ndërkohë që me veprën dhe punën e tij prej 4-dekadash, Dom Pjetri ka berë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhët e kombeve të tjera në Amerike, duke inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York çdo vit — duke shfaqur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare dhe folklorike para popullit amerikan dhe para botës.
Me veprimtaritë e Kishës “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork dhe me jehonë n e fjalës së tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjitheherë Kishën Katolike Shqiptare. Por, ai në të njëjtën kohë ka promovuar virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar. Dom Pjetri, me krenari rreshtohet në rendin e gjatë të klerikeve katolikë shqiptarë të cilët–në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor — dhe në diasporë, kanë qenë dhe janë ndër shtyllat më të rëndësishme si përfaqsues të ajkës së patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe. Gjithmonë, duke i ndejt besnik Fesë dhe Kombit, lirisë, besës dhe burrënisë shqiptare, por edhe nderit e dinjitetit njerëzor, pa dallim feje a krahine.
Ju falënderojmë që 40 vjet më parë iu përgjigjët me “po” thirrjes suaj. Shembulli juaj na kujton se madhështia e vërtetë nuk gjendet në njohje apo madhështi, por në shërbim të vazhdueshëm dhe dashamirës. Në frymën më të mirë dhe në kujtim të martirve të shumtë të klerit katolik shqiptar — viktima të një regjimi barbar komunist — të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën dhe veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, shpesh nën rrethana shumë të vështira i dedikuan dijen, pendën dhe jetën ngritjes së Kombit shqiptar.
Qofsh i bekuar nga Zoti Dom Pjetër, me shëndet, gëzim dhe forcë të re, ndërsa filloni një kapitull tjetër të shërbimit fetar dhe atdhetar për grigjen tuaj. Dhe Zoti ynë, ju shpërbleft shumëfish për përkushtimin dhe besnikërinë tuaj ndaj famullisë Zoja e Shkodrës këtu në Nju Jork. Urime Dom Pjetër për këtë udhëtim të bekuar prej 40 vitesh. U jemi mirënjohës për shërbimin tuaj fisnik fetar e atdhetar ndaj Kishës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, ndërsa lutemi për shumë vite të tjera për ju, me shëndet dhe jetë të gjatë. Të paçim, Dom Pjetër!
“Well done, good and faithful servant…” Mathew 25:22
Ad Multos Annos, Dom Pjetër Popaj!
*Autori ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës “Jeta Katolike Shqiptare’’, për vitet 1971-1974. Kisha katolike shqiptaro-amerikane në Hartsdale, Nju Jork.
MËHILL VELAJ: Me rastin e 40-vjetorit të shërbimit të Don Pjetër Ndoc Popajt, komuniteti shqiptaro-amerikan nderon një prej figurave më të spikatura të klerit tonë në mërgatë, një personalitet që për katër dekada ka mishëruar besimin, kulturën dhe identitetin shqiptar në një nga metropolet më të mëdha të botës.
Rrugëtimi i një meshtari të përkushtuar
Don Pjetër Popaj lindi më 10 qershor 1958, në Shën Gjergj të Ulqinit – një qendër e lashtë e krishtërimit ndër shqiptarë. Në gjirin e familjes së prindërve, Ndocit dhe Linës, ai u rrit mes frymës së besimit, punës dhe përkushtimit. Rrugëtimi i tij mori drejtim të ri kur familja e tij, si shumë shqiptarë të viteve ’70, u shpërngul drejt Shteteve të Bashkuara, pas një qëndrimi të shkurtër në Itali.
Në New York, adoleshenti Pjetër vijoi shkollën e mesme dhe brenda pak vitesh u bë e qartë se thirrja e tij shpirtërore ishte e fortë dhe e palëkundur. Ai nisi formimin meshtarak në institucione të rëndësishme të Arqipeshkvisë së New York-ut, mes të cilëve Cathedral Preparatory Seminary, Cathedral College of the Immaculate Conception dhe St. Joseph’s Seminary, ku u pajis me dije të thella filozofike dhe teologjike.
Një datë historike: 16 nëntor 1985
Shugurimi i tij, më 16 nëntor 1985, në Katedralen e Saint Patrick-ut nga Kardinali John O’Connor, shënoi jo vetëm fillimin zyrtar të shërbesës së tij meshtarake, por edhe një moment historik për komunitetin shqiptaro-amerikan: Don Pjetër Popaj u bë prifti i parë shqiptar i shuguruar në New York.
Ky akt merr një vlerë të dyfishtë: fetare dhe kulturore. Guvernatori i New York-ut, Mario Cuomo, lëshoi një “Citation” zyrtar, duke përgëzuar këtë arritje të rëndësishme. Ndërkaq, Më 24 nëntor 1985, Don Pjetri celebroi Meshën e tij të parë në Kishën Shqiptare të Bronx-it, përpara mbi 1000 besimtarëve, në një atmosferë që mbetet e paharrueshme për shumë prej pjesëmarrësve.
Në krye të Kishës “Zoja e Shkodrës”
Shërbimi i Don Pjetër Popajt lidhet ngushtë me ngritjen dhe fuqizimin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York. Prej vitesh, ai është figurë qendrore e kësaj famullie, e cila sot është shndërruar në një nga institucionet më të rëndësishme të identitetit shqiptar në diasporë.
Nën drejtimin e tij, kjo kishë nuk është vetëm vend lutjeje, por edhe qendër e gjallë kulture dhe bashkësie. Ajo ka shërbyer si hapësirë ku shqiptarët jo vetëm i janë afruar Zotit, por edhe kanë ruajtur gjuhën, traditat dhe kujtesën e tyre historike. Biblioteka personale e Don Pjetrit, e mbushur me autorë të letërsisë shqipe dhe botërore, dëshmon për një figurë që e sheh misionin e meshtarit si shërbesë shpirtërore dhe si detyrë kulturore.
Zë i fortë i kulturës shqiptare në Amerikë
Përveç shërbesës së pandërprerë pastorale, Don Pjetër Popaj është shquar për organizimin e dhjetëra veprimtarive shkencore, kulturore dhe fetare që e kanë vlerësuar atë si një prej nismëtarëve më të përkushtuar të jetës shqiptare në komunitet.
Në mesin e nismave të tij më të shquara mbeten:
– Seminari shkencor (1989) kushtuar 300-vjetorit të Pjetër Bogdanit dhe rëndësisë së veprës “Çeta e Profetënve”; Pjesëmarrja në konsekrimin e Shenjtores “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, më 24 maj 1999, bashkë me një grup të gjerë besimtarësh shqiptaro-amerikanë; Simpoziumi “Kisha në komunitetin shqiptar”, mbajtur në qershor 2002 në Qendrën “Nënë Tereza” në Hartsdale; Festivali Mbarëshqiptar në Lehman College, organizuar çdo vit që nga 1991, me pjesëmarrjen e grupeve artistike nga i gjithë kontinenti amerikan; Darka e përvitshme e Zojës së Shkodrës, e kthyer në një traditë të përhershme bashkimi.
Të gjitha këto veprimtari e vendosin Don Pjetrin në radhën e klerikëve që kanë ditur të shërbejnë si ura lidhëse mes besimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Një jetë në shërbim të njerëzve
Portreti i Don Pjetrit nuk plotësohet pa përmendur dimensionin e tij njerëzor: ai është meshtari që ka qënë pranë çdo familjeje shqiptare, në gëzim dhe pikëllim; është këshilltari i urtë që i ka ndihmuar njerëzit të përballojnë sfidat e emigrimit; është drejtuesi shpirtëror që ka ditur të ruajë dinjitetin dhe unitetin e komunitetit.
Shërbesa e tij 40-vjeçare është një testament. Ajo i ka dhënë komunitetit jo vetëm një drejtues të devotshëm fetar, por edhe një drejtues të paepur kulturor dhe kombëtar. Në një kohë kur identitetet shpesh lëkunden, ai ka ditur të ruajë të pandryshueshme vlerat e besimit, gjuhës dhe traditës, duke i përcjellë brez pas brezi.
Përmbyllje
Sot, kur shënojmë 40 vjet të shugurimit të Don Pjetër Popajt, nderojmë një jetë të tërë të vendosur në shërbim të Zotit dhe të popullit. Veprimtaria e tij shumëdimensionale e rendit në mesin e figurave më të respektuara të klerit shqiptar në mërgatë. Kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm dhe do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për brezat e rinj, shkruan GDielli.




