Një studim i parë në llojin e vet mbi marrëdhënien midis letërsisë, kulturës popullore dhe kombformimit shqiptar
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe shtëpia botuese
Botimet Toena njoftojnë botimin e librit më të ri të autorit Prof.dr. Vehbi Miftari, me titullin:
ETNOLETRA SHQIPE – Raporti i letërsisë me etnokulturën e kombformimin.
Pas më shumë se një dekade kërkimesh në fushën e kombformimit dhe studimeve ndërdisiplinare në filozofi, sociologji, kulturë popullore dhe letërsi, autori sjell për lexuesin dhe studiuesin shqiptar një vepër tërësore dhe novatore që shqyrton marrëdhënien e ndërsjellë midis
letërsisë shqipe,
kulturës popullore dhe
proçesit të krijimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar.
Libri është konceptuar në tre “libra” tematikë, që trajtojnë:
- Rolin e letërsisë në krijimin e përkatësive kolektive, në dritën e teorive mbi kombformimin – nga etnosimbolizmi, modernizmi e deri te qasjet bashkëkohore si ajo e David Millerit;
- Letërsinë identitare të humanistëve shqiptarë – përfaqësuar nga tri “B”-të themelore të letrave shqipe: Buzuku, Budi dhe Bogdani;
- Romantikët dhe pasromantikët shqiptarë – nga De Rada te Naim Frashëri, e më tej tek Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi, duke analizuar mënyrën se si letërsia ndërvepron me mitet, kujtesën kolektive dhe simbolet kombëtare.
ETNOLETRA SHQIPE është libri i parë në llojin e vet në hapësirën shqiptare që sjell një
analizë të thelluar ndërdisiplinare mbi rolin e letërsisë në formësimin e vetëdijes kulturore, etnike, fetare e politike të shqiptarëve. Ky botim vjen si rezultat i një pune të gjatë studimore dhe pritet të jetë një referencë e rëndësishme për studiuesit e fushës, studentët e shkencave humane, si dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për marrëdhënien mes letërsisë dhe identitetit.
Libri tashmë është i disponueshëm në libraritë kryesore të vendit dhe në faqen zyrtare të Botimeve Toena:
https://toena.al/home/details/892-etnoletra-shqipe
SAM24.info