Në Ditën e Shqipërisë në Zyrën Europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi vizionin e qeverisë shqiptare për zhvillimin e një sistemi shëndetësor modern, të qëndrueshëm dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë vizitës së saj, prezantoi prioritetet kryesore të reformave në sektorin e shëndetësisë.
“Ristrukturimi i shërbimit spitalor do të bëhet përmes kalimit nga financimi i bazuar në shtretër, në financimin sipas rasteve (modeli DRG), duke garantuar që fondet publike të ndjekin shërbimin dhe performancën,” – u shpreh ministrja, duke shtuar se kapacitetet e 42 spitaleve do të racionalizohen dhe shërbimet do të zgjerohen.
Sala theksoi gjithashtu rëndësinë e reformës në onkologji duke u shprehur se “Do të ngrihet Instituti Kombëtar i Tumorit dhe Rrjeti Kombëtar Onkologjik, në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano. Do të investohet në infrastrukturë, qendra ditore në disa spitale dhe përditësimin e protokolleve sipas standardeve më të avancuara.”
Një tjetër prioritet është integrimi i inteligjencës artificiale në shëndetësi.
“Do të ndërtojmë boshtin digjital të shëndetësisë dhe sisteme të ndërveprueshme, për ta bërë sistemin më efikas dhe të përgatitur për të ardhmen,” – deklaroi ministrja.
Gjatë vizitës, Sala zhvilloi një takim me Drejtorin Rajonal për Europën të OBSH-së, Hans Henry P. Kluge, ku u nënshkrua marrëveshja dyvjeçare e bashkëpunimit.
Marrëveshja synon mbështetjen e Shqipërisë në garantimin e aksesit universal në kujdes shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm, forcimin e kapaciteteve për emergjencat shëndetësore dhe promovimin e komuniteteve të shëndetshme.
Në këtë kuadër, Shqipëria propozoi pranë OBSH-së edhe një nismë europiane për parandalimin dhe adresimin e dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.
“Reformat në shëndetësi synojnë ndërtimin e një sistemi më efikas, më të barabartë dhe më të qëndrueshëm, me fokus tek cilësia e shërbimeve për çdo qytetar,” – përfundoi ministrja Sala, transmeton rtsh.




