Në Universiteti i Evropës Juglindore sot u mbajt me sukses aktiviteti tradicional “Dita e Hapur”, duke mirëpritur një numër të madh maturantësh nga shkollat e mesme të Tetovës, Shkupit, Gostivarit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, si dhe nga qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe shumë prindër, të cilët së bashku me maturantët patën mundësinë të njihen nga afër me ambientin universitar, programet studimore dhe kushtet që ofron UEJL për studim dhe zhvillim profesional.
Aktiviteti nisi me hapjen zyrtare, ndërsa gjatë ditës u zhvilluan prezantime të fakulteteve nëpër stenda, ku vizitorët morën informacione të drejtpërdrejta nga stafi akademik dhe studentët. Në kuadër të programit u organizuan edhe demonstrime praktike dhe aktivitete interaktive, kuiz interaktiv gjuhësor, si dhe simulime në laboratorin e forenzikës, simulime në VR Lab, si dhe prezantime nga Fakulteti i Shkencave të Shëndеtësore me demonstrime të teknikave terapeutike dhe simulime të ndihmës së parë. Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë mbajti Garën për Biznes Planin më të Mirë, në të cilën u prezantuan ide të shumta dhe mjaftë kreative nga maturantët. Në kuadër të aktiviteteve interaktive nga fusha e psikologjisë dhe orientimit në karrierë, vizitorët patën mundësinë të marrin pjesë në Testin e orientimit në karrierë RIASEC, testin AAS (Adult Attachment Scale) për vlerësimin e stilit të atashimit, si dhe të përjetojnë në praktikë Efektin Stroop dhe testin e vëmendjes selektive përmes eksperimentit të njohur të Daniel J. Simons (1999).
Pjesë e programit ishte edhe një shëtitje në kampusin universitar, ku maturantët vizituan objektet kryesore si Rektoratin, bibliotekën, laboratorët, konviktin dhe hapësirat mësimore, duke parë nga afër funksionimin e përditshëm të universitetit.
Atmosfera u pasurua me aktivitete sportive nga Departamenti i Sportit dhe Parlamenti dhe Asociacioni Studentor, aktivitete artistike nga Biblioteka “Maks van der Shtul”, prezantime kreative dhe program muzikor, duke e bërë këtë ditë një përvojë të plotë informuese dhe argëtuese për të gjithë pjesëmarrësit.

Dita e Hapur në UEJL dëshmoi edhe një herë interesimin e lartë të të rinjve për studime cilësore dhe mundësitë që ofron ky institucion për ndërtimin e karrierës së tyre të ardhshme, transmeton UEJL, përcjell helveticALForum.ch




