
Nga Dashnim HEBIBI
Pas një bashkëbisedimi të thellë me një mik të shpirtit, ramë dakord për një të vërtetë që përvoja njerëzore e dëshmon vazhdimisht: nuk është e nevojshme të urresh askënd për të kuptuar se ndonjëherë distancimi është zgjedhja më dinjitoze. Dhe, pikërisht pas asaj që po shihet, pas sjelljeve që flasin më shumë se deklaratat dhe pas kontradiktave ndërmjet asaj që thuhet dhe asaj që bëhet, lind nevoja për një reflektim më të thellë mbi karakterin, etikën dhe integritetin njerëzor. Nuk urrej askënd. Urrejtja është një barrë që nuk duhet ta mbajë shpirti. Por jeta të mëson se largimi nga disa njerëz mund të jetë forma më e lartë e respektit ndaj vetvetes. Jo çdo afërsi përfaqëson vlerë dhe jo çdo marrëdhënie duhet të ruhet me çdo kusht. Ka raste kur heshtja është më dinjitoze se shpjegimi dhe distancimi më fisnik se përballja. Të distancohesh nga njerëzit që nuk kanë koherencë morale, që flasin ndryshe dhe veprojnë ndryshe, nuk është urrejtje dhe as hakmarrje. Është vetërespekt, vetëdije dhe mbrojtje e paqes së brendshme. Është refuzim për të qenë pjesë e një realiteti ku fjala humbet peshën, besimi shndërrohet në interes dhe sinqeriteti shfaqet vetëm kur është i leverdishëm.
Ka ardhur koha të marrë fund trumbetimi i vlerave të rreme. Zhurma nuk është madhështi, vetëlavdërimi nuk është meritë dhe retorika nuk është dëshmi e karakterit. Njeriun nuk e përcaktojnë deklaratat, por veprat; jo ajo që thotë për veten, por ajo që dëshmon përmes sjelljes, veçanërisht atëherë kur nuk ka askënd që e vëzhgon. Karakteri i vërtetë nuk ka nevojë për publik, ndërsa integriteti nuk kërkon duartrokitje. Dielli nuk konkurron me hënën dhe nuk e mat madhështinë e tij me shkëlqimin e saj. Ai lind çdo mëngjes, shpërndan dritë dhe mbetet besnik ndaj natyrës së vet. Nuk ndryshon për t’u pëlqyer të tjerëve, nuk e kushtëzon dritën nga rrethanat dhe nuk e humb madhështinë edhe kur retë ia mbulojnë përkohësisht shkëlqimin. Hëna, ndërkaq, kalon nëpër faza të ndryshme: herë shfaqet e plotë, herë përgjysmohet dhe herë zhduket nga horizonti. Ajo ka bukurinë dhe simbolikën e saj, por dritën e merr nga dielli. Kjo metaforë na fton të reflektojmë mbi dallimin ndërmjet atyre që janë burim i vlerave dhe atyre që vetëm i pasqyrojnë ato.
Dielli nuk ka nevojë të bëhet hënë për t’u dukur më i pranueshëm, sikurse hëna nuk mund të bëhet burim drite vetëm duke reflektuar atë që merr.
Edhe në jetën njerëzore ekziston ky dallim: disa individë ndërtojnë identitetin mbi parime të qëndrueshme, ndërsa të tjerë e përshtatin qëndrimin sipas interesave dhe rrethanave. Disa mbeten besnikë ndaj fjalës së dhënë, ndërsa të tjerë e ndryshojnë fjalën sa herë ndryshon përfitimi. Të zgjedhësh diellin si simbol të qëndrueshmërisë nuk do të thotë të pretendosh epërsi ndaj dikujt. Do të thotë të ruash autenticitetin, të mos e tradhtosh ndërgjegjen dhe të mos lejosh që rrethanat të përcaktojnë parimet. Do të thotë të besosh se fjala dhe vepra duhet të ecin në të njëjtën rrugë, se respekti nuk duhet të jetë interes dhe se dinjiteti nuk mund të jetë objekt negocimi. Në fund, jeta nuk matet me numrin e njerëzve që kemi pranë, por me cilësinë e vlerave që ndajmë me ta. Nuk është fitore të mbash pranë të gjithë, nëse për këtë duhet të humbasësh vetveten. Nuk është dobësi të largohesh kur qëndrimi kërkon të tradhtosh ndërgjegjen. Dhe nuk është humbje të mbyllësh një derë kur pas saj nuk kanë mbetur më respekti, sinqeriteti dhe njerëzia. Le të flasin veprat, le të dëshmojë koha dhe le të peshojë karakteri. Sepse dielli nuk e humb dritën e tij vetëm pse dikush zgjedh të jetojë në hije. Ai vazhdon të ndriçojë, pa kërkuar leje, pa kërkuar duartrokitje dhe pa ia borxhitur askujt madhështinë e vet. Ndoshta kjo është një nga të vërtetat më të thella të ekzistencës njerëzore: të mbetesh njeri edhe pasi je përballur me zhgënjimin, të ruash dritën edhe pasi ke njohur errësirën dhe të mos lejosh që mungesa e integritetit te të tjerët të bëhet arsye për të humbur integritetin tënd. Sepse në fund, nuk është e rëndësishme vetëm sa dritë reflekton, por nëse ke arritur të bëhesh vetë burim drite.










