Tiranë – Diaspora shqiptare po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke kaluar gradualisht nga mbështetja e familjeve për nevojat bazë drejt investimeve dhe angazhimit të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare. Këtë vlerësim e bëri Gjin Gjoka nga Dhoma e Biznesit të Diasporës, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ku foli për kontributin e emigrantëve dhe rëndësinë e krijimit të politikave më të favorshme për kapitalin e diasporës.Sipas Gjokës, remitancat e emigrantëve kanë arritur nivele rekord, ndërsa një pjesë e tyre po orientohen gjithnjë e më shumë drejt investimeve në Shqipëri.
Nga ndihma familjare te investimet
“Diaspora ka një rol të jashtëzakonshëm në të gjithë ekonominë shqiptare”, u shpreh Gjoka, duke vënë në dukje ndryshimin e rolit të emigrantëve ndër vite.“Nëse deri dje diaspora mbështeste vetëm për bukë, ushqim dhe veshmbathje, sot po flasim për një prurje remitancash. Ka një tendencë të emigrantëve që të investojnë në Shqipëri.”Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e parave që emigrantët dërgojnë në Shqipëri nuk përdoren vetëm për konsum familjar, por edhe për investime.“Një pjesë e madhe e remitancave që vijnë, vërtet shkojnë për investime. Prurjet e emigrantëve kanë qenë në nivel rekord.”Ky transformim e bën diasporën një aktor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, veçanërisht në një kohë kur kapitali i emigrantëve po kërkon gjithnjë e më shumë mundësi për t’u investuar në vend.
Pronësia, një nga sfidat kryesore
Përfaqësuesi i Dhomës së Biznesit të Diasporës theksoi gjithashtu se krahas potencialit të madh, emigrantët përballen me një sërë problematikash kur vendosin të investojnë në Shqipëri.Një prej tyre, sipas tij, mbetet çështja e pronësisë, e cila mund të krijojë pasiguri për investitorët.
“Por, duhet të ketë politika mbështetëse për emigrantët. Pronësia vazhdon që të mbetet një sfidë për investimet.”
Gjoka vuri në dukje edhe rastet kur shqiptarët e diasporës, të nisur nga besimi dhe dëshira për të investuar në vendlindje, kanë bërë zgjedhje që më pas u kanë sjellë probleme.
“Një pjesë e madhe e shqiptarëve duke ecur me mirëbesimin dhe me dashamirësinë e madhe për të investuar shpeshherë kanë bërë gabime.”
Thirrje për më shumë politika mbështetëse
Në këtë kontekst, Gjoka kërkoi që kontributi ekonomik i diasporës të trajtohet me më shumë vëmendje dhe të shoqërohet me politika që garantojnë siguri dhe mbështetje për investitorët shqiptarë jashtë vendit.
Sipas tij, kapitali i sjellë nga diaspora gjatë dekadës së fundit përbën një marrëdhënie të rëndësishme financiare me ekonominë shqiptare dhe duhet të vlerësohet me kujdes.
“Por e gjithë kjo marrëdhënie e mirë financiare që i është dhënë Shqipërisë në 10-vjeçarin e fundit do të ishte shumë mirë që të vlerësohej dhe të kontrollohej.”
Diaspora mbetet një prej burimeve të rëndësishme të kapitalit për ekonominë shqiptare. Sfida e së ardhmes është që remitancat dhe kursimet e emigrantëve të orientohen gjithnjë e më shumë drejt investimeve produktive, duke krijuar një mjedis ku shqiptarët jashtë vendit të ndihen të sigurt për të investuar në vendlindje. Për këtë, sipas përfaqësuesve të biznesit të diasporës, nevojiten politika më të qarta, siguri juridike dhe mekanizma që mbrojnë investimet dhe rrisin besimin e emigrantëve ndaj tregut shqiptar, transmeton abcnews.










