
Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Andermatt
Le ta themi qartë dhe pa rrotullime: është problem demokratik kur njerëz që jetojnë jashtë Kosovës dhe qëndrojnë aty vetëm disa javë në vit, vendosin me votë për jetën e përditshme të atyre që janë aty 365 ditë.
Kjo nuk është urrejtje ndaj diasporës.
Është pyetje drejtësie dhe përgjegjësie.
Diaspora e do Kosovën, kontribuon financiarisht dhe emocionalisht, kjo nuk vihet në dyshim. Por dashuria për vendin nuk është e njëjtë me jetesën reale në të. Vendimet politike nuk janë simbole, janë pasoja konkrete: rroga, çmimet, shkollat, spitalet, ligjet dhe siguria.
Kush i bart pasojat?
Kur diaspora voton për një qeveri:
nuk përballet me taksat e saj
nuk jeton me dështimet e saj
nuk pret nëpër spitale e administratë
nuk e paguan çmimin e gabimeve Politike që janë bërë
Të gjitha këto i përjeton qytetari që jeton në Kosovë.
Këtu lind padrejtësia: ndikim pa përgjegjësi.
Informim i pjesshëm, vendimmarrje e rrezikshme
Shumë votues nga diaspora e njohin realitetin përmes:
rrjeteve sociale
fushatave emocionale
nostalgjisë dhe
figurave politike të idealizuara
Por politika nuk qeveriset me ndjenja.
Ajo kërkon njohje të realitetit të përditshëm, atë realitet që diaspora nuk e jeton.
Pyetja që nuk guxohet të shtrohet
Pse duhet që vota e dikujt që jeton në Zvicër, Gjermani apo Austri, të ketë të njëjtën peshë me votën e një qytetari që jeton në Kosovë, punon aty, paguan gjithçka aty dhe s’ka ku të ikë nga pasojat?
Ky nuk është mohim i diasporës.
Është kërkesë për ekuilibër demokratik.
Zgjidhja nuk është përjashtimi
Askush nuk thotë që diaspora të mos dëgjohet.
Por ka forma më të drejta:
përfaqësim i veçantë i diasporës
votë e kufizuar ose konsultative
kushte rezidence për votën e plotë
Kështu ruhet lidhja me diasporën pa e deformuar vullnetin e atyre që jetojnë në Kosovë.@Highlight
Në fund:
Demokracia nuk është vetëm e drejtë për të votuar.
Është përgjegjësi për pasojat.
Dhe pa këtë baraspeshë, zgjedhjet rrezikojnë të mos pasqyrojnë realitetin e Kosovës, por emocionet e atyre që e vizitojnë atë vetëm për pushime.




