Java e 14-të në Serie A sjell superpërballjen mes Napolit dhe Juventusit, ndeshje që luhet të dielën në orën 20:45 në “Stadio Diego Armando Maradona”. Dyshja e Kosovës, Amir Rrahmani dhe Edon Zhegrova, do të jenë në qendër të vëmendjes teksa përballen për herë të parë si kundërshtarë në një derbi të tillë.
Përballja ka peshë të veçantë edhe për dy trajnerët. Antonio Conte, që drejton Napolin, do të sfidojë ish-skuadrën e tij Juventusin, me të cilën fitoi tri tituj të Serie A nga viti 2011 deri më 2014. Në anën tjetër, Luciano Spalletti rikthehet në “Maradona” si trajner i Juves, pasi ishte arkitekti i titullit historik të Napolit në sezonin 2022/23.
Napoli vjen në formë të shkëlqyer me katër fitore radhazi dhe renditet i dyti me 28 pikë, aq sa edhe Milani kryesues. Skuadra ka fituar pesë nga shtatë përballjet e fundit me Juventusin dhe është e pamposhtur prej gjashtë ndeshjesh në shtëpi. Juventusi, ndërkohë, nuk ka pësuar humbje në tetë sfidat e fundit, duke regjistruar pesë fitore dhe tri barazime. Historikisht, “Zonja e Vjetër” ka dominim ndaj Napolit, me 85 fitore në 184 ndeshje dhe me numrin më të madh të golave të shënuar kundër tyre. Një duel interesant zhvillohet edhe të shtunën në orën 18:00, ku Interi i vendit të tretë (27 pikë) pret Comon, që ndodhet vetëm tre pikë më poshtë në pozitën e pestë.
Një ndeshje që mund të ndikojë në renditje dhe në ambiciet e dy skuadrave për zonën e kreut, transmeton BS.




