Opozita zhvillon protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kërkon largimin e qeverisë Rama.
Protestuesit janë mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa të pranishëm janë edhe deputetë të Partisë Demokratike. Kreu i demokratëve, Sali Berisha, doli nga selia e PD-së dhe iu bashkua protestuesve i shoqëruara nga nënkryetari i partisë, Luçiano Boçi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka si dhe mbështetësit demokratë.
Zhvillimet Minutë pas Minute
Gjerkmarkaj: Demokracia nuk është dhuratë, por betejë
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjerkmarkaj, hapi protestën kombëtare të opozitës, duke deklaruar se kjo nuk është një protestë e zakonshme, por një reagim ndaj një sistemi që, sipas tij, ka humbur legjitimitetin dhe po shkon drejt fundit.
Gjerkmarkaj theksoi se qeveria ka shkelur çdo premtim dhe nuk ka më asnjë alibi, duke mbijetuar politikisht përmes shndërrimit të shtetit në instrument pushteti.
“Kjo nuk është një protestë e zakonshme, por këtij sistemi pa legjitimitet po i vjen fundi. Ky sistem ka shkelur çdo premtim dhe nuk ka më asnjë alibi. Ka mbijetuar politikisht duke shndërruar shtetin në instrument pushteti. Pasojat janë të qarta: eksod biblik i shqiptarëve, ekonomi e deformuar, njëzimi i partisë me shtetin, korrupsioni u shndërrua në mënyrë qeverisjeje. Jeta e shqiptarëve është në kthim pas si në vitin 1976, e maskuar me fjalë dhe shantazh publik”, tha Gjekmarkaj.
Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë se po mban peng parlamentin dhe po shkel Kushtetutën, duke nënvizuar se demokracia nuk është dhuratë, por një betejë.
“Ne po sakrifikojmë për ëndrrën evropiane që ky komb e ka paguar shtrenjtë ndër shekuj. Qeveria po merr peng parlamentin dhe po shkel Kushtetutën. Demokracia nuk është dhuratë por betejë. Në jemi sot këtu të palëkundur”, tha Gjekmarkaj.
Protesta kombëtare e opozitës, mbi 1300 efektivë policie në gatishmëri
Për garantimin e rendit dhe sigurisë, mbi 1300 forca policie janë angazhuar dhe ndodhen në gatishmëri të plotë. Autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe autobote me ujë si dhe mjete me gaz lotsjellës, në rast se do të ketë përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, siç ka ndodhur në protesta të mëparshme ku nuk kanë munguar tensionet.
Forcat e sigurisë kanë rrethuar Kryeministrinë dhe kanë blinduar dyert, ndaj të cilës në protestën e fundit u hodhën fishekzjarrë dhe molotovë.
Një ditë më parë, Berisha deklaroi se kjo protestë do të jetë një “kryengritje paqësore”, duke u bërë thirrje edhe forcave të policisë që t’u bashkohen protestuesve për të kërkuar, sipas tij, një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre.
Si pasojë e protestës, disa akse rrugore janë bllokuar dhe qarkullimi i mjeteve është ndaluar. Aktualisht, qarkullimi është i bllokuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në rrugët lidhëse “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”, transmeton rtsh.




