BallinaKulturaDashamirë të fjalës së shkruar!

Dashamirë të fjalës së shkruar!

-

Nga Ramadan Shkodra

Prishtinë, gusht 2024 – Sot 18 shtator 2024, doli nga shtypi libri “Alimi Shqiptar, Ali Efeni Jakupi (1913-1988) –Kujtime”; i përgatitur nga autori turk Necdet Yıllmaz. Libri është botuar në të njëjtët kohë nga Shtëpia botuese “Dituria Islame” në Prishtinë dhe nga Qendra “Minber” në Tiranë.

Kopjet e para së bashku me kryeimamin, Vedat ef. Sahitin e patëm për nder e kënaqësi ti shfletonim e ti përjetonim bashkërisht me myftiun e Kosovës, Naim ef. Tërnava nën kujdesit e të cilit është përgatitur dhe është botuar përmbledhja.

Për të gjithë ju që jeni të interesuar të din më shumë për përmbajtjen e librin po sjell këtu Fjalën e botuesit e botimit – parathënien. Lexim të këndshëm!

Fjala e botuesit

ALI EFENDI JAKUPI

– i vlerësuar në dhe të huaj, i panjohur në atdhe –

Në vazhdën e ndriçimit të figurave dhe personaliteteve të shquar të populli tonë, të cilët për shkak të rrethanave nëpër të cilat kemi kaluar si popull kanë ngelur në margjinat e historisë, të harruar dhe të anatemuar, Bashkësia Islame e Kosovës, me qëllim të ndriçimit dhe njohjes së këtyre figurave, në kuadër të veprimtarisë së saj botuese, lexuesit shqiptar ia ofron përmbledhjen e autorit turk Dr. Nexhdet Jëllmaz, kush¬tuar Ali efendi Jakupit nga Gjilani-Kosova, i njohur përgjithësisht në Turqi si Arnaut Ali Yakup Cenkçileri (1913-1988).

Në të vërtetë, vepra në gjuhën turke për Ali ef. Jakupin, sikurse kuptohet edhe nga titulli i saj “Ali Yakup Cenkçiler (Hatıra Kitabı)”, paraqet një përmbledhje të kujtimeve, vlerësimeve, konsideratave, respektit dhe ndjenjave të të gjithë atyre që në një mënyrë a në një tjetër patën fatin e mirë ta takonin, ta njihnin, të bashkëpunonin dhe të fitonin (sidomos studentët) dije e dituri nga Arnaut Ali ef. Jakupi, e që sot, që të gjithë ata janë personalitete të shquara dhe me ndikim në jetën akademike dhe shoqërore në Turqi dhe më gjerë.

Mirëpo, vallë, kush është ky shqiptar kaq i vlerësuar dhe i respektuar gjithandej ku jetoi e veproi në Turqi e në Egjipt, dhe shumë pak i njohur në atdheun e tij, në Kosovë?

Ali efendi Jakupi rrjedh nga një familje e shquar dhe derë e madhe e ulemave, prijësve të shquar që kanë dhënë personalitete të shquara në rrethinën e Gollakut e të Anamoravës. Ali efendiu vjen nga familja e shquar Shkodra, me vendbanim së pari në fshatin Desivojcë të komu-nës së Kamenicës, dhe më vonë, në qytetin e Gjilanit, ku kanë vepruar dhe ku kanë bërë emër e histori, siç ishte myftiu i madh i Anamoravës, Haxhi Jusufi (1871-1933), i cili përveçqë ka qenë një ndër ulematë dhe prijësit e shquar të këtyre anëve, duke qenë edhe myfti i Myftinisë së Gjilanit, e cila asokohe ka qenë Myftinia më e madhe në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë administrative, si dhe është shquar edhe si prijës e atdhetar përballë sistemit serbo-sllav të asaj kohë.

Ali efendiu ka lindur më 1913 në Gjilan, në një ambientet familjar të ngritur me kulturë e themel të kultivuar prej arsimdashësi. Aty e nisi edhe shkollimin fillor (1921) dhe të mesëm, në medresenë e njohur “Atik” (1924-1927), për ta vazhduar më pastaj shkollimin në Shkup (1927) dhe Sarajevë (1931).

I pasionuar pas arsimit e dijes, duke ndjekur edhe traditën e paraardhësve të tij, vendosi që studimet e larta t’i ndiqte në Universitetin e njohur “Al A’zhar” të Kajros (1936), me shpresën dhe bindjen se pas përfundimit të studimeve të kthehej në vendlindje. Në Kajro, jo vetëm Ali efendiu, por të gjithë studentët shqiptarë që asokohe studionin në “Al Az’har” dhe universitet tjera, gjetën një ambient të ngrohtë dhe shumë miqësor, sidomos për shqiptarët; krejt kjo e kuptueshme, sepse asokohe në Egjipt qeveriste dinastia e mbretërisë së Egjiptit të themeluar prej Mehmet Ali Pashës së famshëm.

Gjatë kohës së studimeve në “Al Az’har” Ali efendiu pati rastin që të njihej e shoqërohej me shumë personalitete të shquara të mendimin islam, e ne do t’i përmendim disa prej tyre, si: Mustafa Sabrin – shehjul islamin e fundit osman, pastaj Mehmed Zahid Kevseriun, Yozgatlı Ihsan Efendiun, Hasan el-Bennan dhe shumë të tjerë në Kajro, dhe më vonë edhe në Stamboll, si: Emin Saraçi, Osman Özturkun etj.

Ali efendiu studimet në “Al Az’har” i përfundoi me sukses të lartë, dhe ishte rendi e koha që të kthehej në vendlindjen e tij në Gjilan-Kosovë, mirëpo ardhja e komunistëve jugosllavë në pushtet ia pamundësoi kthimin në atdhe. Ali efendiu, si edhe shumë kolegë bashkatdhetarë të tij, vendosën që ta vazhdonin qëndrimin në Kajro, në pritje të ditëve më të mira për atdheun e tyre.

Kështu Ali efendiu angazhohet në Bibliotekën Qendrore të Universitetit të Kajros (1946-1957), ku punoi si nëpunës i lartë në. Në Kajro qëndroi deri kur nga pushteti detyrohet të tërhiqet mbreti Faruk. Marrja e pushteti prej Xhemaludin Naserit (Gamal al Nasar) shqiptarëve ua vështirësoi qëndrimi e mëtutjeshëm në Kajro, sepse nuk e gëzonin komoditetin që ua kishte krijuar mbretëria e Mehmet Ali pashës me pasardhës. Përkundrazi, pushteti i rivendosur ishte kundër trashëgimisë dhe elementit mbretëror, e rrjedhimisht edhe kundër shqiptarëve.

Përveç kësaj, pushteti i ri në Egjiptin e asaj kohe thirrej në ri zgjimin e nacionalizim arab, dhe atë të mbështjellë me ideologji pro socialiste, prandaj në këto rrethana u vështirësua tej mase qëndrimi i mëtutjeshëm i shqiptarëve, dhe sidomos kuadrove të dalë nga universiteti “Al Az’har”, e që nuk e tumirën ardhjen e revolucionarëve të rijnë.

Në këto rrethana Ali efendiu vendosi që ta lëshonte Kajron dhe të kthehej në Turqi, me shpresën se aty do të gjente një ambient dhe rrethana më të favorshëm për misionin e tij. Fillimisht u vendos në Ankara, ku shërbeu në Ambasadën e Republikës së Egjiptit (1957-1959), punë e cila aspak nuk e përmbushte shpirtërisht, prandaj dhe shpejt do të largohej nga aty, për t’u vendosur në Stamboll (1960), në ish-krye¬qendrën e Perandorisë Osmane. Kjo ndodhi sepse Ali ef. Jakupi ndihej si një zotëri e qytetar osman me etni shqiptare, gjë që i theksonte dhe i manifestonte që të dy këto me mburrje e krenari.

Edhe në Turqinë e kohës Ali ef. Jakupi nuk e gjeti atë që e kishte menduar, sepse autoritetet turke nuk i njihnin diplomat e universiteteve fetare të vendeve të tjera, prandaj dhe kjo e penalizoi Ali efendiun që ta ushtronte profesion e tij në institucionet përkatëse të DIJANET-it. Për të siguruar jetesë, Ali efendiu u detyrua që të punonte në një fabrikë, në detyrën e llogaritarit. Në Stamboll ai shumë shpejt do të krijonte raporte me dijetarë të shquar dhe, si njohës i shkëlqyeshëm i disiplinave fetare dhe i gjuhëve orientale, para së gjithash njohës shumë i mirë i arabishtes klasike dhe bashkëkohore, e më pastaj i osmanishtes dhe i persishtes në njërën anën, po edhe i gjuhës frënge, gjuhës shqipe dhe serbe, në anën tjetër, gjë që krejt këto dëshmonin për Ali efendiun se ishte poliglot dhe personalitet i pajisur me njohuri e dije të gjëra, në disa fusha. Madje, edhe si kuadër deficitar, siç ishte leximi i dokumenteve të vjetra në gjuhën osmane dhe i literaturës klasike në gjuhën arabe, ishte një pikë shtesë në personalitetin e tij shkencor.

Me propozimin e kolegëve që ia njihnin bagazhin intelektual, Ali efendiu filloi që për grupe studentësh të interesuar të jepte shpjegime dhe njohuri fetare, dhe ketë e bëri aty ku iu krijua mundësia, në institucione, në xhami e në qarqe ku ata vetë u organizuan. Sidomos u përqendrua në shpjegimin dhe interpretim e veprës së njohur të dijetarit dhe filozofit të shquar Imam Gazaliut “Ihaju ulumid-din”, të cilën Ali efendiu e kishte studiuar e përvetësuar aq mirë, po edhe e shpjegonte me shumë përkushtim dhe kompetencë të rrallë. Shpjegimet për këtë vepër nga Ali ef. Jakupi i ndoqën një numër i konsiderueshëm i studentëve, dhe atë për vite me radhe, e të cilët për dijet e fituara, mësuesin e tyre, Ali efendiun, do ta quanin, po edhe vazhdojnë ta quajnë edhe sot e kësaj dite, “profesori ynë (hocam)”, megjithëqë disa prej ish-nxënësve të Ali efendiut, në rrugëtimin e tyre të studimeve sot kanë arritur gradat dhe thirrjet më të larta shkencore e akademike.

Ali efendiu jetoi dhe veproi në Kajro, e më shumë në Stamboll, me shpesën se një ditë do të krijoheshin kushtet dhe mundësitë që vendin e tij-Kosovën ta shihte të çliruar prej serbëve, kurse Shqipërinë të çliruar nga ateizmi. Mirëpo, kjo dëshirë e tij, fatkeqësisht nuk iu plotësua sa ai ishte gjallë, ngase ai ndërroi jetë më 1988 në Stamboll, i rrethuar prej studentëve, miqve dhe kolegëve të tij të shumtë.

Ai ndërroi jetë larg vendlindjes së tij, mirëpo mbrapa la një trashë¬gimi të begatë prej një alimi, hoxhe, dijetari, profesori dhe eruditi të përkushtuar për dijet e dynjasë dhe të ahiretit. Ai ishte një personaliet i respektueshëm dhe i çmuar nga elita intelektuale e botës islame, sikurse dëshmohet katërçipërisht edhe nga vlerësimet që kanë dhënë perso¬nalitete të shquar e pena me renome ndërkombëtare, e që një pjesë të vogël të tyre i ka përmbledhur në një vëllim të veçantë autori Dr. Nexhdet Jëllmaz. Mjafton të kujtojmë se në këtë përmbledhje vlerësimet e veta në superlativ për Ali Jakupin i ka dhënë edhe Prof. Dr. Ekmeludin Ihsanoglu – profesor i njohur me renome ndërkombëtare, studiues dhe ish-sekretar i Konferencës Islamike, e njëkohësisht edhe një mik i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës; sigurisht kjo edhe në sajë të respektit dhe vlerësimit që ka pasur për Ali efendiun.

Duke mos u zgjatur më shumë rreth vlerësimit të jetës dhe veprës së Ali efendiut, sepse ajo më së miri do të kuptohet nga leximi i përmbledhjes së këtyre shënimeve, vlerësimeve e kujtimeve të cilat janë botuar në shtypin turk, theksojmë se lexuesi ynë, vende-vende, do të hasë, tek-tuk, në ndonjë përsëritje të të dhënave dhe të vlerësimeve, dhe kjo është e kuptueshme kur kemi parasysh faktin se këto shkrime të përmbledhura janë shkruar prej autorëve të ndryshëm dhe në kohë e për raste të ndryshme. Sikundër që lexuesi ynë po ashtu e ka parasysh dhe e kupton drejt edhe kontekstin kohor dhe hapësinor kur ka jetuar dhe vepruar Ali efendiu.

Sido që të jetë, jemi të bindur se materialet e përmbledhura në këtë vëllim, e të cilat tani edhe flasin shqip për Arnaut Ali efendi Jakupin, paraqesin një bazë të mirë për ta njohur jetën, veprën dhe kontributin e këtij personaliteti e intelektuali tonë, të cilin dallgët e jetës, sikurse edhe shumë e shumë bashkatdhetarë të tjerë të tij, edhe këtë e hodhën larg atje në Misir dhe në Turqi.

Me botimin e kësaj vepre, shpresojmë t’i hapim rrugë ndriçimit, njohjes dhe vlerësimit sa më meritor të Ali efendi Jakupit, dhe që ai të zërë vendin e vet në historinë më të re të popullit tonë.

Me këtë rast, u shprehim mirënjohje të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre kontribuuan që kjo vepër të vijë në gjuhën shqipe në këtë format! Falënderojmë Dr. Ferid Pikun, nga Tirana, për nismën për ta shqipëruar këtë përmbledhje, e pastaj përkthyesin Behar Kaçelin, redaktorët gjuhësorë, Ermira Danin dhe Klajdi Bylykun, si dhe miqtë e mi për vërejtjet e dobishme, Dr. Sadik Mehmetin dhe z. Nuhi Simnicën, për redakturën teknike!

Në veçanti e falënderojmë Myftiun e Kosovës, Naim ef. Tërnavën, i cili pa asnjë hezitim e përkrahu dhe e mbështeti këtë nismë, dhe i cili personalisht u kujdes që kjo vepër të shihte dritën e botimit!

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

UNISHK dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, marrëveshje bashkëpunimi

0
Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Blerta Dragusha, nënshkroi sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, të përfaqësuar nga drejtorja e...