Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, kanë konfirmuar se do të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumit në Hungari për ta mbështetur ekipin kombëtar në përballjen ndaj Izraelit. Në një reagim të publikuar në faqen e tyre zyrtare, “Dardanët” kanë bërë të ditur se do t’i qëndrojnë pranë Kosovës pavarësisht se ndeshja zhvillohet në fushë vendëse, si mysafir apo në terren neutral.
“Nuk ka rëndësi a luajmë në fushë vendëse, si mysafirë apo në fushë neutrale. Dardanët në çdo variant e në çdo cep të Evropës i qëndrojnë pranë ekipit kombëtar të vet me krenari dhe besnikëri”, bënë të ditur, tifogrupi “Dardanët”.
Ata kanë theksuar se asnjë rezultat negativ nuk do t’i demotivojë në mbështetjen ndaj Kombëtares, duke u bërë thirrje tifozëve që të bashkohen për ta përkrahur Kosovën në këtë përballje. Kosova ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Izraelit, të enjten, nga ora 20:45./BS









