1.9 C
Zurich
Tuesday, December 2, 2025
spot_img
spot_img

ÇFARË KANË TË PËRBASHKËT ISLAMOFOBËT SHQIPTARË ME DISA SELEFISTË SHQIPTARË?

Duhet ti lexosh

Nga Mr. Rejhan Neziri

Është e mirënjohur se asnjë fe nuk është pastër fe në tërësinë e saj dhe nuk jetohet kurrë pastër vetëm si fe, e shkëputur nga kultura, porse ajo merr nga kultura e një populli dhe i jep asaj elementet e veta dhe nga ana tjetër, kultura e një vendi merr nga një fe dhe i jep asaj feje elementet e veta. Kështu bëhet një ngjizje e veçantë, e natyrshme dhe organike e asaj feje me kulturën e atij populli, që në antroplogji njihet me termin “inkulturim”. Inkulturimi nuk është akulturim, zhdukje e një kulture dhe zëvendësim i saj me një tjetër, por është përshtatje e një mesazhi, feje, ideje ose kulture me kulturën lokale të një populli, në mënyrë që ato të kuptohen, të pranohen dhe të jetojnë natyrshëm brenda traditave, simboleve dhe mënyrës së jetesës së atij komuniteti.

Në debatin e kohëve të fundit ndër shqiptarë rreth fesë islame, shpesh vihen re dy fenomene që duken sikur nuk kanë asgjë të përbashkët: 1. islamofobia shqiptare e tipit kulturorist, që e sheh Islamin si të huaj për kombin, dhe 2. selefizmi rigjid, por edhe disa grupe të tjera konservatore muslimane, i cili mundohet ta mohojë çdo element të kulturës shqiptare në përjetimin e Islamit, duke e ngushtuar pikëpamjen kozmopolite të kësaj feje, duke tentuar t’i arabizojë “gurët e mozaikut islam” apo nënkulturat që përbëjnë makro-kulturën çati.

Në dukje, janë dy skaje kundërshtish: njëra palë e refuzon Islamin, tjetra e refuzon elementin shqiptar brenda Islamit. Por, paradoksalisht, të dyja synojnë ta zhdukin të njëjtën gjë: formën e inkulturuar të Islamit në truallin shqiptar, të njohur si “Islami shqiptar”.

Për islamofobët e natyrës kulturoriste (p.sh. kohëve të fundit e kemi të ashuquajturën “Lëvizje e Deçanit”, Ben Blushin, më herët e kishim Ismail Kadarenë e të tjerë), Islami është: fe e huaj, orientalizëm i padëshirueshëm, element që e prish identitetin evropian shqiptar.

Ata nuk e kundërshtojnë vetëm përbërësin fetar të Islamit, por mbi të gjitha faktin që Islami është bërë pjesë organike e kulturës shqiptare, dhe se muslimanët shqiptarë e shohin fenë e tyre si pjesë të vetes, e jo si një import gjeografik prej një “tjetri”.

Ndërsa disa selefistë e kundërshtojnë “Islamin shqiptar” për shkaqe të kundërta. Gjithçka që është pjesë e traditës shqiptare brenda përvojës muslimane shpallet bidat (risi e refuzueshme), xhahilijet (injorancë para-islamike), jo-islamike: letërsia e devotshme shqipe, poezia sufiste, ilahitë, mevludet, arkitektura, zakonet shoqërore, simbolet dhe festat: flamuri me shqiponjën dykrenare, himni kombëtar, festat kombëtare – të gjitha konsiderohen të huaja për Islamin, sipas versionit të tyre. Kultura shqiptare shihet si rrezik, ndërsa arabizimi i plotë (në emër të Islamit të tyre “të vërtetë”) si shpëtim.

Pra, ndërsa islamofobët duan shqiptarë pa Islam, selefistët e këtij zhanri duan Islam pa shqiptarë.

Të dyja palët prishen nga realiteti i së njëjtës gjë: Islami shqiptar është shfaqje kulturore dhe fetare e një feje universale të mishëruar në truallin lokal.

Një nga parimet themelore të antropologjisë së fesë, siç thashë në fillim, është se asnjë fe nuk ekziston si “substancë e pastër” e shkëputur nga kultura. Feja përjetohet gjithmonë nëpërmjet: gjuhës vendase, zakoneve familjare, ndjeshmërive estetike, simboleve lokale, historisë kombëtare etj.

Nuk ka një “krishterim të pastër”, por vetëm krishterime të përthyera në kultura të ndryshme: katolicizmi i Italisë është i ndryshëm nga ai i Argjentinës, protestantizmi gjerman është i ndryshëm nga ai korean, ortodoksia greke ka nuanca të ndryshme nga ajo rumune.

Pra, feja është e njëjtë në thelb, por merr forma të ndryshme në kulturat ku mishërohet.

E njëjta ndodh edhe me Islamin: Islami turk, boshnjak, pakistanez, iranian, afrikan, kinez, indonezian, arab – janë forma të ndryshme të të njëjtës fe universale.

Në hapësirën shqiptare, Islami u shfaq dhe u përjetua ndryshe nga zonat e tjera për disa arsye: 1. Përdorimi i gjuhës shqipe. Që nga poetët e shekujve XVII–XIX e deri te rilindësit tanë, Islami u shpreh: me poezi shqipe, me ilahi shqipe, me predikime shqipe në xhami e teqe, me letërsi devocionale shqipe. Kjo krijoi një identitet të qartë të Islamit në gjuhën kombëtare. 2. Tarikatet dhe natyra e butë e religjiozitetit shqiptar. Tarikatet – bektashinjtë, halvetinjtë, rifainjtë, sa’dinjtë – i dhanë një karakter të qetë, pacifist dhe poetik Islamit shqiptar, duke e shqipëruar terminologjinë dhe shpirtërinë islame. 3. Marrëdhënia me traditat shoqërore shqiptare. Elemente të tilla si: mikpritja, besa ose fjala e dhënë, solidariteti, nderi etj., u pajtuan me etikën islame dhe u përforcuan nga ajo. Pra, Islami nuk erdhi për ta shuar kulturën vendase, por për t’i dhënë një ton e ngjyrim plotësues e zbukurues, si pjesë e një tërësie të re.

Në Shqipëri dhe në hapësirat e tjera shqiptare, pa harruar diasporën, Islami nuk u zhvillua në izolim, por në një mozaik ku bashkëjetonin: muslimanët sunnitë, muslimanët e tarikateve, katolikët dhe ortodoksët. Kjo bashkëjetesë është pothuaj unike në botë. Pse është unike? Ngase asnjëherë nuk ka pasur luftë civile të motivuar fetarisht mes shqiptarëve. Ngase identiteti fetar te shqiptarët nuk ka prodhuar përplasje ideologjike dhe ndarje gjeografike të pakapërcyeshme. Ngase këtu kemi fe të ndryshme që i kanë të përbashkëta zakonet, festat sociale, gjuhën dhe kulturën popullore shqiptare.

Edhe kleri katolik dhe ai ortodoks, që kanë pasur vetëdije të lartë kulturore kombëtare – përjashto ekstremistët edhe në radhët e tyre -, për shumë shekuj jetuan në të njëjtat struktura shoqërore, me të njëjtat kodifikime të nderit e mikpritjes, duke e bërë tolerancën normë shoqërore, jo thjesht vetëm një kërkesë politike apo një retorikë populiste. Fan S. Noli thotë: “Prej gjithë akuzave, paragjykimeve dhe gabimeve, me të cilat kërkojnë të rëndojnë supet tona, kjo është më e padrejta dhe më e pabaza. Megjithëqë elementi mysliman ka shumicën në Shqipëri, nuk besoj të ketë një shtet të qytetëruar, ku të mbretërojë aq, gjer në indiferentizëm, tolerancë feje, sa në Shqipëri. Prova e faktit, për të cilën me të drejtë krenohen të gjithë shqiptarët, është, që në krye të Qeverisë së sotme jam unë, një peshkop ortodoks, dukuri e panjohur edhe për shtete ortodokse”. (Qazim Xhelili, “Toleranca në marrëdhëniet midis komuniteteve në Shqipëri dhe ndikimi i tyre në jetën shoqërore në periudhën midis dy luftërave botërore”, Krishterimi ndër shqiptarë – simpozium ndërkombëtar, Tiranë 16-19 nëntor 1999, Shkodër 2000, f. 346)

Modeli shqiptar i simbiozës së natyrshme dhe organike midis fesë dhe kulturës shqiptare është studiuar nga shumë akademikë si shembull i rrallë i tolerancës natyrore, i mungesës së konfliktit sektar, i identitetit kulturor të përbashkët, dhe i harmonizimit të fesë me kulturën.

Kjo bashkëjetesë nuk mund të kuptohet pa “Islamin shqiptar” si formë e moderuar, tolerante, evropiane, e inkulturuar dhe bashkëjetuese.

Pse i bezdis “Islami shqiptar” të dyja palët? Nga njëra anë, sepse prania e “Islamit shqiptar” tregon se Islami është i përhershëm, është i mishëruar, është identitar dhe nuk është i huaj. Kjo bie ndesh me narrativën islamofobe që kërkon ta paraqesë Islamin si rrezik kulturor për shqiptarët.

Nga ana tjetër, sepse prania e “Islamit shqiptar” tregon se Islami është universal, e jo arab, turk, pakistanez etj., është kulturor, e jo vetëm juridik, është i përthyeshëm, e jo rigjid, është lokalizues, por jo uniformues. Kjo bie ndesh me narrativën selefiste të “Islamit të pastër” të tyre, që në fakt nuk është Islam universalisht i pastër, por një arabizim i Islamit të importuar.

Për ta përmbledhur këtë sa thashë më lart, islamofobët shqiptarë dhe selefistët shqiptarë – megjithëse në dukje kundërshtarë ideologjikë – ndajnë të njëjtin mohues të përbashkët: “Islamin shqiptar”. Të parët e mohojnë Islamin si pjesë të identitetit shqiptar, të dytët e mohojnë karakterin shqiptar si pjesë të mënyrës së të jetuarit të Islamit. Të dyja palët lëngojnë nga injoranca sociologjike dhe antropologjike, nuk e njohin as frymën e popullit (Volksgeist) as porosinë hyjnore universale.

Por, historia e shqiptarëve tregon qartë se feja nuk jetohet kurrë jashtë kulturës, se kultura nuk jetohet kurrë jashtë fesë, se Islamit ndër shqiptarë i është dhënë forma shqiptare, ashtu si krishterimit që i është dhënë forma shqiptare.

Modeli i bashkëjetesës shqiptare – midis muslimanëve dhe të krishterëve – është një dëshmi se inkulturimi fetar është burim harmonie, e jo rreziku, dhe se ekstremet e të dyja anëve frikësohen pikërisht nga ky realitet i qëndrueshëm. Domosdo pyetem vetë me vete: A thua pse t’u pengojë këtyre diçka që është e qëndrueshme, që e ka mbajtur tok këtë popull për shekuj me radhë?

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme