Tiranë – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot takime me drejtues të institucioneve kryesore të sigurisë dhe rendit në vend, në një kohë kur zhvillimet rreth Shërbimit Informativ të Shtetit kanë sjellë diskutime publike për sigurinë kombëtare. Në Presidencë, Begaj priti ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe drejtorin e komanduar të SHISH-it, Elvis Lila. Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, gjatë këtyre takimeve Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me drejtuesit për çështje të aktualitetit. Njoftimi zyrtar nuk jep detaje të tjera mbi temat konkrete të diskutuara. Takimet zhvillohen pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH-it dhe marrjes së përkohshme të kompetencave drejtuese nga Elvis Lila. Hyseni është vendosur në masën e arrestit shtëpiak dhe, sipas raportimeve të bazuara në akuzat e SPAK, po hetohet për zbulim të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit. Prania në Presidencë e ministrit të Brendshëm, kreut të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit të komanduar të SHISH-it vjen në një moment kur çështja e funksionimit të institucioneve të sigurisë dhe hetimi ndaj ish-drejtueses së SHISH-it kanë marrë vëmendje të gjerë publike. Megjithatë, deri tani Presidenca nuk ka bërë të ditur nëse zhvillimet lidhur me rastin e Vlora Hysenit kanë qenë temë specifike e takimit, duke u shprehur vetëm se Presidenti është informuar dhe ka diskutuar për “çështje të aktualitetit”. /KJ
Begaj takon drejtuesit e institucioneve të sigurisë pas zhvillimeve në SHISH
-










