BallinaEKSKLUZIVEBashkimi nuk duhet të përfundojë me zgjedhjet

Bashkimi nuk duhet të përfundojë me zgjedhjet

-

Screenshot

PhD. Dashnim HEBIBI – President i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih të Zvicrës

Marrëveshja për krijimin e “Koalicionit Shqiptar” mes subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është një zhvillim që duhet përshëndetur. Por nëse ky bashkim do të mbetet vetëm një marrëveshje për zgjedhjet parlamentare në Serbi, atëherë do të ketë humbur mundësinë për t’u shndërruar në diçka shumë më të madhe: në një platformë të përbashkët politike për mbijetesën, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve të Luginës. Çdo përpjekje për të afruar faktorin politik shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës rreth interesave të përbashkëta meriton të vlerësohet. Në rrethanat në të cilat ndodhet Lugina, bashkëpunimi politik nuk është më një zgjedhje komode, por një nevojë. Prandaj, edhe nisma e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për afrimin e subjekteve politike shqiptare të Luginës duhet përshëndetur. Por kjo nismë do të kishte vlerë edhe më të madhe nëse nuk do të kufizohej vetëm te zgjedhjet e Serbisë. Lugina nuk ka nevojë për bashkim vetëm deri më 25 tetor. Ka nevojë për bashkim edhe më 26 tetor, edhe një vit më pas dhe edhe pas katër vitesh. Sepse problemet e shqiptarëve të Luginës nuk kanë afat zgjedhor.

Një marrëveshje zgjedhore nuk mjafton

Një listë e përbashkët mund të krijojë një përfaqësim më të unifikuar në Parlamentin e Serbisë. Por vlera e saj e vërtetë do të matet pas zgjedhjeve. Pyetja nuk është vetëm sa deputetë shqiptarë do të jenë në Parlamentin e Serbisë.

Pyetja është: çfarë do të bëjnë ata me atë mandat?

Çfarë do të kërkojnë?

Cilat do të jenë objektivat e tyre?

Kush do t’i monitorojë?

Dhe mbi të gjitha, çfarë do të ndryshojë për qytetarin e zakonshëm të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës?

Edhe nëse arrihet një përfaqësim prej pesë deputetësh (siç po flitej edhe pse është shumë e vështirë) kjo do të ishte një arritje në aspektin e përfaqësimit. Por nuk duhet të krijohet iluzioni se vetëm numri i mandateve mund ta ndryshojë realitetin.

Mandati parlamentar është mjet, jo qëllim.

Ai duhet të përdoret për të avancuar të drejtat, për të kërkuar investime, për të ngritur problemet e qytetarëve dhe për të krijuar presion institucional e politik. Nëse deputetët shqiptarë do të marrin vetëm pagat dhe mandatet, ndërsa Lugina vazhdon të zbrazet, atëherë do të kemi fituar karrige, por jo betejën për të ardhmen e njerëzve.

Realiteti në terren është shumë më i rëndë se debati politik

Ndërsa partitë diskutojnë për lista dhe mandate, realiteti në terren është shumë më i ashpër. Lugina e Preshevës përballet me probleme të thella në arsim, shëndetësi, ekonomi, punësim dhe demografi. Në disa zona mungojnë shërbimet që një komunitet normalisht duhet t’i ketë të garantuara. Edhe shërbimet shëndetësore mbeten një shqetësim serioz për banorët. Në një trevë ku njerëzit po largohen çdo ditë, mungesa e shërbimeve të mjaftueshme shëndetësore e bën edhe më të vështirë bindjen e familjeve për të qëndruar.  Një komunitet nuk mund të mbahet gjallë vetëm me deklarata politike. Ka nevojë për spitale, hapje kufijsh, njohje diplomash, ambulanca, shkolla, vende pune, rrugë, investime dhe perspektivë.

Shkollat nuk mund të jenë simbol i braktisjes

Një prej çështjeve më shqetësuese është gjendja e arsimit. Shkollat në disa prej këtyre trevave përballen me kushte të vështira dhe kërkojnë investime serioze. Rasti i shkollës fillore në Preshevë, një prej institucioneve më të mëdha arsimore në këtë hapësirë dhe ndër shkollat me numër të madh nxënësish, duhet të jetë një alarm për të gjithë. Nëse një shkollë e tillë gjendet në gjendje të rënduar dhe fëmijët nuk kanë kushtet që meritojnë, atëherë pyetja duhet të jetë shumë më e madhe se sa një problem infrastrukture.

Çfarë të ardhmeje po ndërtojmë për fëmijët tanë?

Arsimi në gjuhën shqipe, tekstet shkollore, infrastruktura, laboratorët, teknologjia dhe kushtet e mësimit duhet të jenë pjesë e pandashme e platformës politike të shqiptarëve të Luginës. Nuk mund të kërkohet që një fëmijë të qëndrojë në vendlindje nëse shteti dhe institucionet nuk i ofrojnë kushte dinjitoze për të mësuar. Rinia po largohet dhe kjo është beteja kryesore Problemi më i madh i Luginës nuk është vetëm politik. Është demografik.  Shumë të rinj kanë ikur dhe shumë të tjerë po përgatiten të largohen. Ata kërkojnë punë, arsim, siguri dhe perspektivë. Nëse nuk i gjejnë në vendlindje, i kërkojnë diku tjetër. Dhe kjo është humbja më e madhe që mund të pësojë një komunitet. Sepse kur largohet një i ri, nuk humbet vetëm një votues. Humbet një profesionist i ardhshëm, një familje e ardhshme, një sipërmarrës i ardhshëm, një mësues, një mjek, një inxhinier, një prind që mund të rriste fëmijët në vendlindje. Nëse vazhdon kjo tendencë, rreziku nuk është vetëm që shqiptarët të kenë më pak përfaqësues. Rreziku është që pas disa vitesh të ketë më pak shqiptarë për t’u përfaqësuar.

Medvegja është alarmi më i madh

Në këtë tablo, Medvegja është ndoshta shembulli më dramatik i zbrazjes së një treve shqiptare. Sot, prania shqiptare atje është reduktuar në pak familje dhe shumë prej atyre që kanë jetuar dikur në atë hapësirë janë larguar. Medvegja nuk duhet të mbetet vetëm një emër në hartën e Luginës. Nëse politika shqiptare nuk ndërton një strategji të veçantë për këtë komunë, rrezikohet që procesi i zbrazjes të bëhet praktikisht i pakthyeshëm.

Kjo kërkon më shumë se deklarata.

Kërkon investime, politika ekonomike, mbështetje për familjet, arsim, infrastrukturë dhe mekanizma që mund të krijojnë mundësi për rikthimin e njerëzve.

Një realitet që shpesh përshkruhet si “geto”

Shpesh në diskursin publik përdoret shprehja se këto treva jetojnë si në një “geto”. Është një përshkrim i rëndë, por ndjenja e izolimit që shfaqet në diskutimet e banorëve nuk mund të injorohet. Kur një komunitet përballet me probleme të njëpasnjëshme në ekonomi, arsim, shëndetësi, përfaqësim institucional dhe demografi, krijohet një realitet ku njerëzit ndihen të lënë pas. Dhe këtu duhet të jetë përgjegjësia e politikës. Jo vetëm të përshkruajë problemin, por të ndërtojë zgjidhjen.

Pasivizimi dhe të drejtat e shqiptarëve

Në platformën e përbashkët duhet të kenë vend të veçantë çështja e pasivizimit të adresave, përdorimi i simboleve kombëtare, arsimi dhe tekstet në gjuhën shqipe, përfaqësimi proporcional në institucionet publike dhe zhvillimi ekonomik.

Këto nuk janë çështje dytësore.

Janë çështje që lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën dhe të ardhmen e komunitetit.

Nëse një qytetar nuk ka siguri mbi adresën e tij, nëse një i ri nuk ka mundësi punësimi, nëse një fëmijë nuk ka kushte të mira në shkollë dhe nëse familjet largohen, atëherë problemi nuk është vetëm politik.

Është strukturor.

Mos të presim ndryshim të Beogradit vetëm nga zgjedhjet. Duhet të jemi realistë. Nuk mund të pritet që zgjedhjet parlamentare në Serbi, në vetvete, të ndryshojnë menjëherë qëndrimet e Beogradit ndaj shqiptarëve të Luginës. As nuk duhet të krijohet iluzioni se çdo forcë politike që proteston kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit do të ketë domosdoshmërisht një qasje tjetër ndaj çështjes shqiptare. Edhe për këtë arsye, shqiptarët e Luginës duhet të kenë një politikë të bazuar në interesat e tyre dhe jo në pritjen se dikush tjetër do t’ua zgjidhë problemet. Nëse pjesëmarrja në zgjedhjet e Serbisë sjell mandate, atëherë këto mandate duhet të përdoren. Një prej rezultateve konkrete mund të jetë edhe sigurimi i burimeve që lidhen me funksionin parlamentar, përfshirë pagën e deputetit, por kjo duhet të shihet si mundësi për të krijuar kapacitet politik dhe institucional, jo si qëllim. Nuk mjafton të paguhesh si deputet. Duhet të punosh si deputet edhe pse zëri jot nuk dëgjohet.

Referendumi i vitit 1992 nuk duhet harruar

Një tjetër çështje që meriton diskutim serioz është referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992. Ai përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë politike të shqiptarëve të Luginës dhe shprehjen e një vullneti politik të asaj kohe për autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Sot nevojitet qartësi politike dhe historike.

Shqiptarët e Luginës meritojnë të dinë se si e sheh politika shqiptare atë vullnet të shprehur më 1992 dhe çfarë vendi zë ai në vizionin e së ardhmes. Kjo nuk nënkupton aventura politike apo hapa jashtë realiteteve ndërkombëtare. Përkundrazi, kërkon maturi, koordinim dhe komunikim me partnerët ndërkombëtarë.

Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pjesë e një strategjie afatgjatë

Kosova dhe Shqipëria kanë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e shqiptarëve të Luginës. Por kjo mbështetje nuk duhet të aktivizohet vetëm kur afrohen zgjedhjet. Nëse sot bëhet një përpjekje për bashkim politik, atëherë pas zgjedhjeve duhet të ketë një mekanizëm të përhershëm bashkëpunimi. Duhet të ketë konsultime të rregullta me përfaqësuesit e Luginës. Duhet të ketë projekte konkrete. Duhet të ketë mbështetje për arsimin dhe shëndetësinë. Duhet të ketë mbështetje për bizneset dhe investimet. Duhet të ketë një politikë të qartë për rininë. Dhe duhet të ketë një strategji të përbashkët për ta ndalur zbrazjen demografike. Mërgata nuk duhet të kujtohet vetëm për paratë Mërgata shqiptare e Luginës është një faktor i rëndësishëm. Ajo ka mbështetur ekonomikisht familjet dhe ka ruajtur lidhjet me vendlindjen.

Por mërgata nuk është vetëm burim financiar.

Ajo ka profesionistë, sipërmarrës, akademikë, mjekë, inxhinierë dhe njerëz me eksperiencë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendlindjes. Prandaj, duhet të krijohet një mekanizëm për përfshirjen e saj në strategjinë për të ardhmen e Luginës.

Inatet politike duhet të lihen mënjanë

Në fund të fundit, banorët e Luginës janë ata që po e paguajnë çmimin. Ata nuk mund të presin që partitë të merren pafundësisht me mosmarrëveshjet e tyre. Një familje që nuk ka shërbime të mjaftueshme shëndetësore nuk pret zgjedhjet. Një prind që dërgon fëmijën në një shkollë me kushte të vështira nuk pret marrëveshjen e ardhshme politike. Një i ri që largohet nga Presheva nuk pret një tjetër takim politik. Dhe një komunë që zbrazet nuk rikthehet lehtë në jetë. Prandaj, inatet duhet të lihen mënjanë. Interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi interesin e çdo partie, individi apo grupimi. Bashkimi duhet të jetë politik, institucional dhe qytetar “Koalicioni Shqiptar” mund të jetë më shumë se një listë zgjedhore. Mund të jetë fillimi i një forme të re bashkëpunimi politik. Por për këtë duhet vullnet. Duhet platformë. Duhet përgjegjësi. Duhet transparencë. Dhe mbi të gjitha, duhet vazhdimësi. Bashkimi nuk mund të jetë vetëm në fotografitë e përbashkëta para zgjedhjeve. Duhet të jetë edhe në kërkesat e përbashkëta pas zgjedhjeve. Duhet të jetë në Parlament. Duhet të jetë në Preshevë. Duhet të jetë në Bujanoc. Duhet të jetë edhe në Medvegjë. Duhet të jetë në shkolla, në qendra shëndetësore, në ekonomi dhe në çdo tryezë ku diskutohet e ardhmja e këtyre trevave. Marrëveshja për “Koalicionin Shqiptar” është një hap që meriton të përshëndetet. Edhe nisma e Albin Kurtit për afrimin e faktorëve politikë shqiptarë meriton vlerësim, por ajo duhet të shkojë përtej zgjedhjeve. Sepse Lugina nuk mund të mbahet gjallë vetëm me një listë zgjedhore. Nuk mund të mbahet gjallë vetëm me pesë deputetë. Nuk mund të mbahet gjallë vetëm me deklarata. Ajo ka nevojë për shkolla dinjitoze, shërbime shëndetësore, vende pune, investime, përfaqësim institucional dhe një perspektivë reale për të rinjtë. Nëse nuk ndalet largimi i popullsisë, nëse Medvegja vazhdon të zbrazet edhe pse është zbrazë shumë, nëse të rinjtë vazhdojnë të ikin dhe nëse institucionet nuk krijojnë kushte për të qëndruar, atëherë pas disa vitesh pyetja nuk do të jetë sa deputetë shqiptarë kemi.

Pyetja do të jetë:

Sa shqiptarë kanë mbetur për t’u përfaqësuar?  Prandaj, zgjedhjet e 25 tetorit duhet të shihen si një pikënisje, jo si destinacion. Ajo që duhet të vijë pas tyre është më e rëndësishme: një platformë e përbashkët politike, koordinim i qëndrueshëm me Kosovën dhe Shqipërinë, përfshirje e mërgatës, angazhim me partnerët ndërkombëtarë dhe një plan konkret për arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe rininë. Mandatet mund të fitohen në një ditë. Besimi i qytetarëve fitohet me vite pune. Dhe nëse ky bashkim arrin të lërë pas inatet, interesat e ngushta dhe ndarjet personale, atëherë “Koalicioni Shqiptar” mund të shndërrohet nga një marrëveshje për zgjedhjet në një marrëveshje për të ardhmen.

Sepse Lugina nuk ka më kohë për eksperimente politike.

Ka nevojë për një strategji. Ka nevojë për veprim. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë që shqiptarët e saj të mos ndihen të braktisur. Lugina e Preshevës, edhe nëse mbështetet nga Kosova, nuk duhet të trajtohet si një çështje sociale dhe as të shihet vetëm përmes ndihmave financiare. Kujto sa ndihmon Serbia serbët në Kosovë. Ajo nuk ka nevojë për mëshirë, por për një politikë të qëndrueshme dhe afatgjatë mbështetjeje nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë. Duhet të jemi të sinqertë: Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, ka dhënë mbështetje për shqiptarët e Luginës dhe kjo duhet pranuar si fakt. Por njëkohësisht duhet të ketë edhe transparencë më të madhe. Nuk është e mjaftueshme të thuhet se janë dhënë ndihma; duhet të shihet se sa prej tyre kanë shkuar realisht te njerëzit, institucionet dhe projektet për të cilat janë dhënë. Lugina nuk duhet të jetojë nga një ndihmë në tjetrën. Ajo ka nevojë për një strategji zhvillimi, për investime të qëndrueshme, për arsim, shëndetësi, ekonomi dhe vende pune. Ndihma mund të jetë e domosdoshme në momente të caktuara, por ajo nuk mund të zëvendësojë një politikë shtetërore afatgjatë. Ata banorë janë në tokat e tyre stërgjyshërore. Situata politike dhe shoqërore në këto treva është e rëndë. Shqiptarët përballen me probleme që lidhen me të drejta elementare dhe me trajtimin e tyre si komunitet. Rastet kur qytetarët përballen me pasoja për përdorimin e flamurit kombëtar, së bashku me problematika të tjera tashmë të njohura, tregojnë se çështja nuk mund të reduktohet vetëm në numrin e deputetëve apo në pjesëmarrjen në zgjedhje.

Këtu duhet të ketë një alarm edhe për faktorin ndërkombëtar

Komuniteti ndërkombëtar duhet ta shohë më nga afër dhe më realisht se çfarë po ndodh në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Nuk mjafton të flitet në mënyrë të përgjithshme për të drejtat e pakicave. Duhet parë konkretisht se si trajtohen shqiptarët në jetën e përditshme dhe nëse standardet që kërkohen në Evropë zbatohen edhe në këto treva.

Problemi nuk është vetëm Medvegja.

Edhe Presheva dhe Bujanoci po zbrazën dita-ditës. Të rinjtë largohen, familjet shpërngulen dhe perspektiva bëhet gjithnjë e më e zbehtë. Nëse ky proces vazhdon, atëherë rreziku më i madh nuk do të jetë vetëm humbja e përfaqësimit politik, por humbja graduale e vetë pranisë shqiptare në këto treva. Në këtë situatë lind edhe një pyetje e vështirë: ku i shohin kandidatët për deputet votat që presin të marrin, kur popullsia e këtyre zonave është zvogëluar kaq shumë?

Nuk mjafton të ndërtohen lista dhe të bëhen fushata. Duhet të dihet se sa njerëz jetojnë realisht atje, sa prej tyre janë larguar, sa janë ende të regjistruar dhe sa prej tyre do të marrin pjesë në zgjedhje. Edhe sa i përket diasporës, duhet të jemi realistë. Nuk mund të llogaritet automatikisht se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kthehen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Mund të ketë pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, ku lidhja me vendbanimin dhe interesat konkrete të komunitetit është më e drejtpërdrejtë, por pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare është një çështje tjetër dhe nuk duhet marrë si e mirëqenë. Prandaj, para se të flitet për mandate dhe shifra, duhet të bëhet një analizë serioze demografike dhe politike. Kjo është një punë për ekspertë, studiues, demografë, juristë dhe njerëz që e njohin realisht terrenin, jo vetëm për ata që janë konsumuar prej vitesh në politikë dhe që, pavarësisht deklaratave, kanë prodhuar rezultate që shpesh kanë mbetur më shumë folklorike sesa konkrete.

Lugina nuk ka nevojë për folklor politik.

Ka nevojë për strategji. Ka nevojë për njerëz që ta analizojnë situatën pa interesa personale, pa ngjyra partiake dhe pa kalkulime elektorale. Sepse shpeshherë situatën reale e shohin më qartë pikërisht ata që nuk kanë interesa politike dhe që nuk janë të lidhur me asnjë krah. Dhe realiteti që ata shohin është shqetësues. Një rajon që zbrazet. Një rini që largohet. Shkolla që kanë nevojë për investime. Shërbime shëndetësore që nuk i përgjigjen nevojave të qytetarëve. Një ekonomi që nuk krijon mjaftueshëm perspektivë. Një komunitet që përballet me probleme të vazhdueshme në ushtrimin e të drejtave të veta. Kjo është arsyeja pse mbështetja e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë e qëndrueshme, por edhe e mençur dhe transparente. Nuk duhet të jetë një garë se kush ka dhënë më shumë apo kush ka bërë më shumë deklarata. Duhet të jetë një përpjekje për të krijuar kushte që shqiptarët e Luginës të mund të qëndrojnë, të punojnë, të arsimohen dhe të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre. Në fund, Lugina e Preshevës nuk kërkon mëshirë. Kërkon vëmendje politike. Kërkon mbështetje institucionale. Kërkon të drejta. Kërkon zhvillim. Dhe mbi të gjitha, kërkon që ajo që po ndodh atje të mos trajtohet më si një çështje periferike, por si një problem real i të drejtave të njeriut, i sigurisë dhe i së ardhmes së një komuniteti shqiptar në Evropë.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

OBSH: Jetëgjatësia mesatare po i afrohet niveleve para pandemisë

0
OBSH-ja ka publikuar një raport të titulluar “Perspektivat Globale të Shëndetit”, i cili përfshin trendet në jetëgjatësinë mesatare, shkaqet e vdekjes dhe barrën e...