Nga Dashnim HEBIBI
Filantropi dhe atdhetari i njohur shqiptar që jeton e vepron në Budapest, Avni Hafuzi, i njohur për veprimtarinë e tij të pandalshme në promovimin e vlerave shqiptare në Hungari, Evropë Juglindore e më gjerë, ka zhvilluar një tjetër aktivitet domethënës kulturor dhe human. Pas shumë nismave të tij, përfshirë vendosjen e figurës së Skënderbeut në qytetin Eger të Hungarisë, Hafuzi ka njoftuar për një ceremoni të veçantë zhvilluar më 9 nëntor 2025 në Gyergyócsomafalva, në zemër të Székelyföld.

Në këtë komunitet transilvan, u bënë homazhe dhe u vendos një pllakë përkujtimore prej graniti të zi, e kushtuar shenjtores shqiptare Nënë Tereza, me mbishkrimin “Himni i Jetës”. Kjo është një nga disa pllakat që Avni Hafuzi, Lovag, Konsull Nderi i Shqipërisë në Hungari dhe Ambasador i Paqes, ka dhuruar në Hungari, Malësi, Vojvodinë dhe së fundmi në Transilvani.
Pllaka u pranua nga Kisha e Shën Pjetrit dhe Palit, ndërsa famullitari Károly Bartos e mirëpriti me entuziazëm këtë kontribut, duke theksuar se Avni Hafuzi përfaqëson paqe, bashkim ndërfetare dhe respekt të thellë për figurën e Nënë Terezës.

Ideja e kësaj nisme lindi gjatë inaugurimit të një shenje përkujtimore në Felvidék, ndërsa me sugjerimin e Levente Páll, projekti iu propozua komunitetit të Gyergyócsomafalva.
Më 6 nëntor, si parapërgatitje e aktivitetit, në kishë u shfaq një dokumentar për Nënë Terezën, i organizuar nga famullitari Bartos. Kulmi i veprimtarisë ishte zbulimi dhe bekimi solemn i pllakës më 9 nëntor, gjatë meshës së së dielës, ku morën pjesë besimtarë, përfaqësues të komunitetit dhe autoritete lokale.
Në fjalën e tij, Avni Hafuzi shprehu nderimin e madh që ndiente për pranimin e kësaj nisme në zemër të Szeklerlandit, ndërsa kryetari i bashkisë, László Szilárd Márton, e dekoroi Hafuzin me një flamur të Szeklerëve si shenjë mirënjohjeje. Famullitari e nderoi gjithashtu me një fotografi qeramike të punuar me dorë, një gjest simbolik dhe i përzemërt.
Pas meshës, Hafuzi u ftua për një drekë tradicionale, ku nikoqirja kishte përgatitur tyüfté shqiptare në nder të tij – një gjest që ai e cilësoi tejet prekës.
Në fund të aktivitetit, Avni Hafuzi shprehu mirënjohjen e tij për famullitarin Károly Bartos, për të gjithë kontribuesit, si dhe për mediat lokale që transmetuan mesazhin e paqes të Nënë Terezës.

“Mirënjohës për këtë ditë lartësuese dhe për këdo që nderoi kujtimin e Nënë Terezës me ne,” u shpreh me modesti Avni Hafuzi, duke e cilësuar këtë moment si një tjetër urë miqësie mes komuniteteve dhe kulturave. Nderime të veçanta, z.Avni Hafuzi.





nderime