Autoblindat ushtarake të prodhimit shqiptar “Shota”, tani do të prodhohen edhe në Kosovë. Njohësit e sigurisë thonë se kjo marrëveshje është në kuadër të plotësimit të normave për t’u anëtarësuar Kosova në Aleancën Veriatlantike, NATO.
Përveç në Shqipëri, tashmë autoblinda ushtarake “SHOTA” do të prodhohet edhe në Kosovë.
Kjo pajisje ushtarake do t’i shtohet stokut të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas marrëveshjes së darkorduar mes ministrave të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Pirro Vengu.
Këtë e konfirmoi për Tëvë1, zëdhënësja e Ministrisë në detyrë të Mbrojtjes, Liridona Gashi.
“Konfirmojmë se autoblinda ushtarake ‘Shota’ e dizajnuar në Shqipëri do të prodhohet edhe në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit në industri të mbrojtjes të arritur përmes marrëveshjes trelatare ndërmjet Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë që u nënshkrua në mars të vitit 2025. Sa i përket fillimit të prodhimit, ende jemi në fazën e aspektit logjistik të implementimit të kësaj marrëveshje, megjithatë lajm i rëndësishëm është fakti që kemi dakordim me Shqipërinë që të fillojë prodhimi dhe në Kosovë”, deklaroi ajo.
Këtë marrëveshje e sheh të dobishme ish-deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli. “Marrëveshjet e bashkëpunimit me Shqipërinë janë shumë të dobishme, shumë të nevojshme sepse përveç që është shtet amë, që jemi një popull një komb, është edhe shtet anëtar i NATO-s dhe përvojat e tyre janë shumë të nevojshme dhe shumë të dobishme për Republikën e Kosovës… Ne pretendojmë që të jemi edhe anëtarë të NATO-s në një afat sa më të shpejt, dhe këto elemente janë një plus i madh”, deklaroi ai.
E njëjtë mendojnë edhe ekspertë të sigurisë.
Njohësi i kësaj fushe, Fatjon Softa nënvizoi se kjo bëhet edhe për të parandaluar çdo tentativë të Serbisë për destabilitet në Ballkanin Perëndimor. “Në krijimin e një bashkëpunimi për një mbrojtje edhe kolektive në rast të ndonjë situate të mundshme që mund të agravoj në vendin Ballkanik. Dhe kjo shërben më parë, Mbrojtja është alternimi i doktrinave dhe i aleancës në kuadër të NATO-s për të përgatitur edhe Kosovën që në një moment të dytë të anëtarësohet jo vetëm për dëshirën e saj por edhe qenien e saj, që të jetë pjesë e Aleancës Euroatlantike”.
Autoblinda ushtarake ‘’Shota’’, e projektuar si mjet MRAP (Mine Resistant Ambush Protected), ofron kapacitet transport 2 anëtarë ekuipazhi + deri në 8 ushtarë, blindim balistik BR7, rezistent ndaj municioneve 7.62mm.
Është i projektuar për mbrojtje të lartë ndaj minave dhe ndaj shpërthimeve deri në 6kg TNT nën mjet.
Gjithashtu është i përshtatshëm për terrene të vështira, ka ulëse anti-shpërthim, xhama balisitkë dhe sistem modern sigurie, transmeton BS.




