Nga Agim Rexhepi, Shoqata “Miqtë e Amerikës”
Faleminderit, Gjeneral Clark, që folët me forcë, me dinjitet dhe në mbrojtje të së vërtetës.
Ju tani jeni Kryegjenerali i shqiptarëve.
Zoti e bekoftë SHBA-në!

Ashtu siç kemi besuar gjithmonë, ashtu doli: GJENERALI MBETET GJENERAL.
Që nga viti 2004 e këtej, me Shoqatën “Miqtë e Amerikës” kemi organizuar qindra aktivitete falënderimi dhe nderimi për SHBA-në, për aleatët tanë dhe për personalitetet që kanë kontribuar për lirinë dhe sigurinë e popullit tonë.
Në çdo aktivitet tonin roll-up, postera, kalendarë, kartolina, fletpalosje, konferenca, deklarata publike dhe mbi 100 ligjërata me nxënës e studentë anekënd Kosovës figura juaj ka qenë gjithmonë pranë nesh, si simbol i miqësisë tonë strategjike me SHBA-në.
Sot, ndjej krenari të thellë që VLERËSIMI ynë i sinqertë për ju doli i drejtë.
Nga zemra, FALEMINDERIT.
Deklarata juaj para Gjykatës Speciale ishte një zë i fuqishëm njerëzor, politik, ushtarak dhe diplomatik. Ju jo vetëm që folët me dinjitet, por e mbrojtët qartë UÇK-në dhe përfaqësuesit e saj nga sulmet e hijenave politike e propagandistike, qofshin ato ruse, serbe apo të disa shteteve të tjera europiane që për fat të keq ende lëkunden në qëndrime.
Për mua, mesazhi më i fuqishëm i juaji padyshim në koordinim me specialistët e Departamentit të Shtetit ishte kur preket çështja më delikate për ne: Veriu i Mitrovicës.
Ju thatë troç atë që shumë të tjerë nuk guxojnë ta thonë, dhe kritikuat hapur rolin e forcave franceze. E di që këtë nuk do ta bënit po të mos ishte e domosdoshme. Prandaj mesazhi juaj u kuptua qartë: ishte një paralajmërim serioz për të gjithë për Gjykatën, për disa shtete brenda NATO-s dhe më gjerë se SHBA nuk do të qëndrojë e heshtur ndaj padrejtësive.
Gjeneral Clark, ju jeni gjeneral amerikan, por nga sot e tutje: ju jeni edhe KRYEGJENERALI i të gjithë shqiptarëve.
Zoti ju bekoftë ju dhe shtetin mik e aleat Shtetet e Bashkuara të Amerikës.




