POSTIMET E FUNDIT

Ardita Sinani dhe Arbër Pajaziti takojnë kongresmenët amerikanë

Në një takim të rëndësishëm politik dhe diplomatik të zhvilluar në Preshevë, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, pritën në një drekë pune kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam. Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të ngritur para përfaqësuesve amerikanë çështjet dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Kryetari Pajaziti theksoi se gjatë bisedës u diskutua hapur për pozitën e shqiptarëve në Luginë dhe problemet e vazhdueshme që prej vitesh rëndojnë jetën e qytetarëve shqiptarë në këtë rajon. Në fokus të diskutimeve ishin çështje të ndjeshme si pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, mungesa e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, si dhe mungesa e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në komunat shqiptare.

Sipas Pajazitit, bashkëbiseduesit amerikanë u njoftuan nga afër me realitetin politik dhe institucional në Luginë, ndërsa u kërkua që mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vazhdojë edhe më fuqishëm në të ardhmen.

“Shprehëm mirënjohjen tonë për përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-ve gjatë afro 25 viteve në mbështetje të Luginës së Preshevës, përmes projekteve zhvillimore, demokratike dhe mbështetjes politike për të drejtat e shqiptarëve”, thuhet në deklarimin e kryetarit Pajaziti.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe angazhimit të kongresmenëve amerikanë lidhur me iniciativat dhe rezolutën që trajton të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. U theksua se përfshirja dhe interesimi i institucioneve amerikane mbetet jetik për ruajtjen e stabilitetit në rajon, avancimin e proceseve demokratike dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët.

Kryetari i Bujanocit paraqiti gjithashtu edhe specifikat politike të komunës që ai drejton, duke folur për nevojat urgjente të qytetarëve në aspektin ekonomik, zhvillimor dhe institucional. Ai potencoi nevojën për më shumë investime, vende pune dhe perspektivë për të rinjtë, të cilët përballen me sfida të shumta sociale dhe ekonomike.

Në fund të takimit, Pajaziti shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me partnerët amerikanë dhe ndërkombëtarë, me synimin që Lugina e Preshevës të ketë më shumë zhvillim, stabilitet dhe perspektivë për të ardhmen.

Ky takim konsiderohet si një tjetër hap i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës dhe në forcimin e lidhjeve me aleatët strategjikë të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB