Dhomat e Specializuara kanë përcaktuar hapat e ardhshëm të procesit të apelimit, ndërsa Mbrojtja dhe Prokuroria pritet të vendosin nëse do ta kundërshtojnë aktgjykimin e shkallës së parë.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po hyn në një fazë të re, pas shpalljes së aktgjykimit më 16 shtator. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi tashmë përballen me fazën e përgatitjes së apelimeve, ndërsa data 27 nëntor është caktuar si afati i fundit për njoftimin nëse palët do ta kundërshtojnë vendimin e shkallës së parë.
Fillimisht, njoftimi për apelim duhej të dorëzohej deri në mesin e tetorit, por Paneli i Apelit vendosi ta shtyjë këtë afat pas kërkesës së ekipeve mbrojtëse. Kërkesa u arsyetua me kompleksitetin e çështjes dhe me faktin se avokatët nuk e kishin pranuar ende aktgjykimin e përkthyer në gjuhën shqipe.
Sipas informatave të bëra publike nga Dhomat e Specializuara për RTK-në, deri në kohën e raportimit nuk kishte parashtresa publike që konfirmonin dorëzimin e njoftimit për apelim nga ndonjëra prej palëve. Për rrjedhojë, ende nuk dihej se cilat pjesë të aktgjykimit do të kundërshtoheshin në shkallën e dytë.
Çfarë mund të shqyrtojë Gjykata e Apelit?
Sipas Dhomave të Specializuara, procedura formale e apelimit nis me dorëzimin e njoftimit për apelim. Në këtë fazë, palët duhet të përcaktojnë bazat mbi të cilat synojnë ta kundërshtojnë vendimin e shkallës së parë.
Paneli i Apelit mund të shqyrtojë pretendimet për gabime në zbatimin e ligjit, në vlerësimin e fakteve, si dhe në caktimin e dënimit. Gjatë procedurës, palët mund të kërkojnë edhe paraqitjen e provave shtesë, duke sqaruar se me cilat gjetje faktike të Trupit Gjykues lidhen ato.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Apelit mund ta vërtetojë, ta rrëzojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë. Në rrethana të caktuara, ajo mund të urdhërojë edhe rigjykimin e çështjes.
Ndërkaq, nëse kundërshtimi i palëve kufizohet vetëm te dënimi, procedura mund të përfundojë brenda një periudhe më të shkurtër, krahasuar me rastet kur shqyrtohen edhe çështje të tjera të aktgjykimit.
Sa mund të zgjasë procesi i apelimit?
Për kohëzgjatjen e kësaj faze kanë folur edhe njohës të procesit gjyqësor. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se kohëzgjatja do të varet nga mënyra se si Paneli i Apelit do ta trajtojë çështjen.
Sipas tij, nëse vendoset për rigjykim, procesi mund të zgjasë më shumë, ndërsa duke u bazuar në praktikat e mëhershme, një vendim i shkallës së dytë mund të kërkojë nga 12 deri në 18 muaj.
Edhe avokati Arbër Jashari ka ngritur çështjen e ndryshimeve të fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat, sipas tij, mund të paraqesin sfida në zbatim. Ai ka theksuar se procesi do të kërkojë dakordim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke pasur parasysh mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara.
Dënimet e shpallura më 16 shtator
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara shpallën dënimet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Me afrimin e afatit të 27 nëntorit, vëmendja tashmë është përqendruar te vendimi i palëve për të ushtruar ose jo të drejtën e apelimit dhe te argumentet që mund të paraqiten para Panelit të Apelit.
Vendimi i shkallës së dytë do të jetë përcaktues për hapat e mëtejshëm të këtij procesi gjyqësor, ndërsa kohëzgjatja e tij do të varet nga çështjet që do të ngrihen dhe nga mënyra se si do të trajtohen nga gjykata, transmeton rtk.










