POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori Rexhep Demiri: Mësuesit shqiptarë janë flamurtarët e dijes dhe të ndërgjegjes kombëtare

Mësuesit shqiptarë – rojtarët e gjuhës dhe identitetit kombëtar

Nga urimi i Ambasadorit të RMV në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, me rastin e 7 Marsit

Çdo vit, më 7 Mars, shqiptarët kudo që jetojnë përkujtojnë një nga datat më të rëndësishme të historisë së arsimit dhe kulturës kombëtare – Ditën e Mësuesit. Kjo datë lidhet me hapjen e shkollës së parë shqipe dhe simbolizon përkushtimin e brezave të tërë mësuesish që me sakrificë dhe dashuri kanë mbajtur gjallë gjuhën dhe identitetin shqiptar. Me rastin e kësaj dite të shënuar, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, ka dërguar një mesazh të veçantë urimi për mësuesit shqiptarë, duke vlerësuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, transmeton helveticALForum.ch.

Në mesazhin e tij, ambasadori Demiri thekson se mësuesit shqiptarë ndër shekuj kanë qenë drita e dijes dhe shtylla kryesore e mbijetesës së kulturës dhe identitetit kombëtar. Ai rikujton me respekt të veçantë të gjithë ata arsimtarë që në periudha të vështira historike sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur dhe përhapur alfabetin dhe gjuhën shqipe.

“Falë përkushtimit dhe guximit të tyre, gjuha jonë e bukur shqipe arriti të mbijetojë dhe të trashëgohet brez pas brezi,” thekson ambasadori në urimin e tij.

Sipas tij, shkolla dhe arsimi mbeten themeli më i fortë i zhvillimit të çdo kombi. Prandaj, përgjegjësia për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe nuk është vetëm e mësuesve, por e gjithë shoqërisë. Ai thekson se është detyrë e përbashkët që gjuha shqipe të mësohet, të flitet dhe të kultivohet me përkushtim nga çdo brez i ri.

Në mesazhin e tij, ambasadori Demiri ndalet edhe te roli i mërgatës shqiptare në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Ai vlerëson përpjekjet e shumta që bëhen në diasporë për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, veçanërisht në kuadër të LAPSH-it, ku shumë mësues dhe aktivistë punojnë me përkushtim që fëmijët shqiptarë të mos humbin lidhjen me gjuhën e prindërve të tyre.

Megjithatë, ai thekson se këto përpjekje duhet të vazhdojnë dhe të forcohen edhe më shumë, pasi gjuha është një nga elementet kryesore të identitetit kombëtar.

“Pa gjuhën tonë kombëtare rrezikojmë të humbim identitetin tonë,” nënvizon ambasadori.

Një arritje e rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare, sipas tij, është edhe fakti se sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekzistojnë universitete në gjuhën shqipe. Këto institucione të arsimit të lartë po përgatisin çdo vit profesionistë dhe intelektualë që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe të shtetit.

Në fund të mesazhit të tij, ambasadori Rexhep Demiri shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë mësuesit shqiptarë, si në vendlindje ashtu edhe në diasporë, duke i cilësuar ata si flamurtarët më të fuqishëm të dijes dhe të ndërgjegjes kombëtare.

“Me gjithë zemër urojmë të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ndodhen. Ata kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë mbrojtësit dhe përhapësit më të denjë të gjuhës dhe kulturës sonë.”

Në përfundim të mesazhit të tij, ai u drejton një urim të veçantë të gjithë arsimtarëve:

“Të dashur mësues, kudo që ndodheni – urime 7 Marsi, Dita juaj e madhe!”, transmeton helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB