Përgatiti Dashnim HEBIBI
Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, po vlerësohet gjithnjë e më shumë nga veprimtarët e mërgatës sonë, jo vetëm nga ata që vijnë nga RMV, por nga i gjithë spektri i komunitetit shqiptar në Zvicër. Të shtunën e kaluar me datë 14 shkurt, ky respekt u rikonfirmua publikisht në një aktivitet kulturor festiv kushtuar 18 vjetorit të pavarësisë së Kosovës të organizuar nga Ansambli Trojet në Winterthur.

Në këtë ngjarje u theksua se ambasadori Demiri shihet si figurë unifikuese dhe si ambasador i kombit, përtej përfaqësimit të tij shtetëror. Në kuadër të ceremonisë, presidenti i Ansamblit “Trojet”, z. Zeqë Gashi, në emër të kryesisë dhe anëtarëve i ndau mirënjohjen “Anëtar Nderi” për diplomatin në karrierë dhe ish-konsullin, Dr. Sali Sefa, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në shërbim të atdheut dhe çështjes kombëtare dhe këtë mirënjohje ishte vendosur që t`ia dhuroj Ambasadori Demiri.

Në momentin e dorëzimit të mirënjohjes, ambasadori Demiri emocionoi të pranishmit me një gjest simbolik: ai kishte hjekur kravatën në shenjë respekti ndaj Dr. Sefës, duke theksuar se e çmon lart figurën dhe veprën e tij. “E bëj këtë në shenjë respekti për një njeri që ka vepruar gjithmonë kur është dashur për të mirën e atdheut,” u shpreh ambasadori, duke marrë duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Ky moment i veçantë dëshmoi jo vetëm respektin ndaj një diplomati me përvojë, por edhe frymën e unitetit dhe bashkëpunimit që po kultivohet në mesin e mërgatës shqiptare në Zvicër. Aktiviteti i Ansamblit “Trojet” në Winterthur u shndërrua kështu në një manifestim dinjitoz të vlerave kombëtare, mirënjohjes dhe bashkimit rreth figurave që i kanë shërbyer me përkushtim çështjes shqiptare. Të gjithë e duan ta kenë në manifestime Ambasadorin, Shkëlqesinë e Tij, z.Rexhep Demiri-Ambasadorin e Kombit.
Foto nga Florim Useini




