Londër – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, siç mëson helveticALForum.ch, ai zhvilloi një diskutim të veçantë me studentët e King’s College London, ku në fokus ishin zhvillimet kryesore të Kosovës pas luftës dhe sfidat që vendi vazhdon të përballet në rrugën e tij drejt konsolidimit të plotë shtetëror.

Gjatë bashkëbisedimit, ambasadori Kapiti ndau perspektiva mbi procesin e ndërtimit të shtetit, forcimin e institucioneve demokratike dhe rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat u vlerësuan si të qëndrueshme dhe me potencial të madh për zgjerim në fusha të ndryshme.
Studentët pjesëmarrës shfaqën interes të lartë për temat e trajtuara, duke ngritur pyetje të shumta dhe duke kontribuar në një dialog të hapur dhe dinamik. Diskutimi u karakterizua nga një shkëmbim i frytshëm idesh dhe përvojash, duke reflektuar interesimin e brezit të ri për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Ambasadori Kapiti theksoi se bashkëbisedime të tilla janë thelbësore për të ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi me të rinjtë, si dhe për të promovuar një kuptim më të thellë të sfidave dhe mundësive që ka Kosova në të ardhmen. Në përfundim, ai nënvizoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe angazhimit akademik si mjete kyçe për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për ndërtimin e një vizioni të përbashkët për zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës, transmeton helveticALForum.ch.




