POSTIMET E FUNDIT

“Amaneti” i Profesor Ramadan Sokolit për vallen e Osman Takës

Nga Arben Iliazi

Në vitin 1984, kur nisa punën për përgatitjen e temës së diplomës, të titulluar “Vlerat e poezisë popullore came”, miku im Llazar Siliqi, asokohe sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, më rekomandoi të takoja Ramadan Sokolin, i cili vetëm dy vjet më parë kishte botuar librin “Gjurmime folklorike”, Tiranë 1982. Kështu pata fatin ta njihja nga afër këtë kolos të trashëgimisë sonë shpirtërore, albanologun, folkloristin dhe muzikologun e shquar, themeluesin e etnomuzikologjise shqiptare, Prof. Ramadan Sokolin, autor i mbi 1200 punimeve të natyrës shkencore.

Prof. R. Sokoli më përgëzoi për përzgjedhjen e temës së diplomës. Kishte njohje të gjerë të kulturës, zakoneve, traditave dhe folklorit, nga ekstremi i viseve jugore në Thesprotinë (Çamërinë e lashtë), e deri në skajin verior në Dardani.

Pastaj filloi të fliste me nostalgji për ekspeditën e përbashkët eksploruese gjermano- shqiptare, të vitit 1957, që erdhi për të marrë shënime për muzikën popullore të tre grupeve shqiptare në Jug: Toskëve, Labëve dhe Çamëve. Profesori kishte një pasion e dashuri të rrallë për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, me shumë nderim më foli për minuta të tëra për folklorin e krahinës së Çamërisë, për takimet e ekspeditës ndëkombëtare me çamët e Fierit, Vlorës e Sarandës dhe popullarizimin e vlerave të folklorit muzikor çam, në Evropë e më gjerë. Këngët popullore polifonike, si ajo e “Çelo Mezanit”, Tanë, moj Tanë” dhe atë të Osman Takës i shihte si këngët më të bukua të çamëve.

Nga Ramadan Sokoli mësova se Kënga e Çelo Mezanit ishte në plan të këndohej në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në 1973, po regjimi politik e censuroi. Kjo këngë ishte një nga mënyrat më të mira për publikun shqiptar që ta njihte më mirë krahinën e Çamërisë dhe historinë e saj. Por arriti të futej në festival vetëm në vitin 1978, kënduar nga grupi i famshëm i Rrogozhinës, shoqëruar e violinë, klarinetë, llautë dhe dajre. Nga profesor Ramadan Sokoli mësova se sa përpjekje i ishin dashur atij dhe kolegëve të tij për të futur në Festivalin e vitit ’73 vallen e Osman Takës, nga më të bukurat dhe më burrëroret e Çamërisë. Ishte hera e parë që kërcehej në një festival mbarëkombëtar vallja legjendë e Osman Takës, e cila la një popull të tërë të mrekulluar, kërcyer magjishëm nga i madhi Taip Madani!

***

Nga fillimi shtatorit 2006 u takova përsëri me profesor Ramadan Sokolin, dy muaj pasi Instituti Amerikan i Biografive (ABI) e futi në “Listën e Ekspertëve më të Respektuar në Botë”. Jetonte i vetëm jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, në afërsi të “Rrugës së Barrikadave”, në katin përdhes, apo më saktë në bodrumin e një shtëpie të vjetër tiranase, pronë e familjes së njohur Petrela. Prof. Sokoli, me gjunjë që i dridheshin nga mosha, shëndeti i dobët, mezi qëndronte në këmbë.

Tepër i lodhur nga peripecitë e një jete plot vuajtje e strese të pafundme, profesori vazhdoi të punonte në krijimtarinë e tij, ndonëse ndihej i mënjanuar dhe pa asnjë lloj mbështetjeje nga autoritetet shtetërore të artit e kulturës. Më tha se kishte në dorë një monografi për muzikologjinë e folklorin çam. Fliste më shumë emocion për origjinalitetin e valles së Osman Takës e cila, sipas tij, meriton të jetë në fondin e artë të kulturës, të trashëgimisë jo materiale, jo vetëm shqiptare, por edhe atë botërore të UNESKO-s, si një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, me vlerë të jashtëzakonshme. Dhe filloi përshkrimin e valles, si të jepte një leksion para studentëve të tij: “Kërcehet me shumë elegancë. Nisja është e qetë, i shkon orkestrës pas duke u harmonizuar tërësisht me të. Vallja nis me hap të thjeshtë dhe vërtet thua se diçka do të bësh. Në mbarim të strofës së parë muzikore valltari me kokën dhe dorën duke e lëvizur paksa përpara të jep atë se diçka do të bëhet. Çuditërisht kjo valle sa më mjedis të ngushtë të ketë aq më bukur e më mirë kërcehet, qoftë edhe mbi një tavolinë.

Ajo është valle epike, por brenda këtij epizmi ka një lirizëm, ka një lirshmëri që i tërë trupi kërcen në organikë me shpirtin e atij që e kërcen vallen, por edhe me ata që i bien veglave muzikore. Këtë valle e luajnë edhe grekët, edhe maqedonasit, bullgarët, jugosllavët, por të gjithë e quajnë Vallen e Osman Takës. Madje shkolla koreografike e Janinës e jepte edhe tekstin shqip.

Vallja ka disa pika kulminacioni. Pikën kulmore e ka në momentin kur në mënyrë akrobatike kthehesh në urë dhe mbi barkun tënd luajnë dy tre valltarë, pra të jesh në gjendje që me muskujt e barkut të mbash dy, tre valltarë të kërcejnë njëri mbas tjetrit për rreth një minutë e gjysmë. Këtu pra kemi të bëjmë me anën historike të valles. Nuk kemi të bëjmë me një urë të zakonshme, por me atë që quhet ura e brezave, e historisë, e përpjekjeve, e sakrificave, e gjakut dhe mençurisë popullore”.

Prof. Ramadan Sokoli, duke marrë një pamje të shenjtëruar, gati sikur po linte një amanet, tha: “Kjo valle është identitet. Dhe identiteti është përkufizimi i vetvetes, është vetë-identifikim, është ndjenjë e përkatësisë së individëve ndaj një grupi që riafirmon vetveten”.

Vallja e Osman Takës, është një art madhështor që nuk zbehet kurrë, një pasuri e madhe kulturore e kombit shqiptar, me autenticitet e bukur të rrallë. Ajo frymëzon shumë artist dhe njerëz të thjeshtë, si metaforë e qëndresës, lirisë dhe humanizmit. Një vepër monumentale koreografike, ku koha dhe arti shprehin shkëlqyeshëm njëri tjetrin. Le të shpresojmë se Keshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale do i japë kësaj vepre të papërsëritshme dhe epokale vendin që i takon në trashëgiminë tonë kulturore. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB