0.7 C
Zurich
Thursday, January 22, 2026
spot_img
spot_img

Amaneti i Ismail Qemal Bej Vlorës – Babait të Kombit – ruhet dhe jeton në mërgatë, brez pas brezi

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI 

Shqiptari e ka traditë mikpritjen – një udhëtim që fillon në zemër dhe përfundon në histori

Lugano, 17 janar 2026 – Në natën e premtes, më 16 janar, gjumi nuk më vinte. Ora dukej sikur ecte më ngadalë se kurrë. Zemra më rrihte fort, jo nga lodhja, por nga emocionet që paralajmëronin një rrugëtim të veçantë. Me padurim prisja të bëhej ora 04:00 e mëngjesit, që të shkoja të merrja dajën tim, Bekim Imerin, dhe të niseshim drejt Milanos. Nuk ishte një udhëtim i zakonshëm. Ishte një nisje me barrë përgjegjësie, krenarie dhe misioni kulturor.

Na priste Milano, për të marrë zotin Darling Vlora – pasardhësin e drejtpërdrejtë të Ismail Bej Vlorës – dhe krijuesin e njohur Arsim Molliqaj. Qëllimi ynë ishte i qartë: të vazhdonim drejt Zvicrës, për promovimin e librave “Udhëtim drejt Rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një Rrugëtimi Diplomatik”, të autorëve Dr. Dashnim Hebibi dhe z. Florim Useini, libra që nuk janë thjesht faqe të shtypura, por dëshmi mendimi, përvoje dhe identiteti si dhe dorëzimin e Ikonës së Diasporës nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore me qendër në Zvicër.

Që në momentin kur u kuptua se në këtë udhëtim ishte me mua edhe nipi i Ismail Bej Vlorës, telefoni nuk pushonte. Miq, bashkatdhetarë, veprimtarë të mërgatës – të gjithë shprehnin të njëjtën dëshirë fisnike: “Duam ta kemi mysafir”. Ishte ajo ndjenjë e lashtë shqiptare, ku miku nuk pyetet kush është, por nga vjen dhe çfarë përfaqëson. Dhe kur miku përfaqëson historinë, sakrificën dhe themelet e shtetit shqiptar, mikpritja bëhet nder.

Rruga nga Milano drejt Zvicrës u shndërrua në një udhëtim reflektimi. Bisedat nuk ishin të zakonshme: flitej për historinë, për peshën e emrit Vlora, për përgjegjësinë e mërgatës, për gjuhën që duhet ruajtur, për librin që duhet promovuar dhe për brezat që nuk duhet të harrojnë rrënjët.

Kulmi i këtij rrugëtimi ishte mbrëmja kulturore në Langenthal, një ngjarje që tejkaloi kornizat e një promovimi libri dhe u kthye në një manifestim identiteti. Mbrëmja iu kushtua Ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri, një figurë që përfaqëson me dinjitet diplomacinë shqiptare në Evropë. Në sallë ishin mbi 300 bashkatdhetarë, nga të gjitha trevat shqiptare, të bashkuar nga fjala shqipe, libri dhe respekti për vlerat kombëtare.

Fjalët e autorëve, reflektimet mbi rrugëtimin diplomatik, kujtimet dhe analizat krijuan një atmosferë të ngrohtë, por njëkohësisht solemne. Ishte një mbrëmje ku fjala kishte peshë dhe heshtja kishte kuptim.

Por ky udhëtim nuk do të ishte i plotë pa mikpritjen – atë vlerë që shqiptari e bart me vete kudo. Me të marrë vesh se ndodheshim në Milano dhe se po shkonim drejt Langenthalit, Remzi Durmishi, veprimtar i njohur i mërgatës shqiptare në Zvicër, nga një familje me traditë atdhetare, na ftoi në shtëpinë e tij, “për një gotë ujë”. Por ajo “gotë ujë” u shndërrua në një pritje që të kujtonte shtëpitë shqiptare në atdhe: konak i hapur, sofrë e shtruar me zemër dhe biseda që ushqenin shpirtin.

Vizita në Morcote, në sheshin ku pritet të vendoset busti i Aleksandër Moisiut, i dha udhëtimit një dimension tjetër kulturor. Zoti Darling Vlora mbeti thellësisht i prekur nga përkushtimi dhe vizioni për ruajtjen e figurave shqiptare në hapësirën evropiane.

Në konakun e familjes Durmishi, koha rridhte ndryshe. Aty ishin bashkë breza, histori dhe emocione. Për të rinjtë – Redonin, Olisin, Klevisin dhe Erisin – ky takim ishte një mësim i gjallë historie. Ata nuk po lexonin për Ismail Qemalin në libra; ata po shihnin trashëgiminë e tij përballë.

Nga Lugano deri në Cyrih, zoti Darling Vlora kujtonte me mall e respekt këtë mikpritje, duke theksuar se mërgata shqiptare po e ruan gjuhën, librin dhe traditat, por se kjo duhet bërë edhe më me vetëdije dhe përkushtim. Ky udhëtim, kjo mbrëmje dhe kjo mikpritje nuk ishin ngjarje të zakonshme. Ishin dëshmi se shqiptari, kudo që jeton, nuk e harron kush është. Sepse shqiptari e ka traditë mikpritjen, e ka borxh historinë dhe e ka amanet identitetin.

Ky rrugëtim, i nisur në orët e para të mëngjesit nga Milano e i përmbyllur në zemër të Zvicrës, nuk ishte thjesht një lëvizje nga një qytet në tjetrin. Ishte një udhëtim kujtese, identiteti dhe përgjegjësie. Ishte dëshmi se historia jonë nuk jeton vetëm në libra, por në njerëz, në familje, në mikpritje dhe në përkushtimin e mërgatës shqiptare.

Takimi me pasardhësin e Ismail Bej Vlorës, promovimi i librit si mjet i ruajtjes së kujtesës kombëtare, nderimi i figurave diplomatike dhe mikpritja fisnike e familjeve shqiptare në mërgim treguan se lidhja me rrënjët nuk është këputur. Përkundrazi, ajo po forcohet përmes fjalës, veprës dhe shembullit.

Mbrëmja kulturore në Langenthal dhe pritja në familjen Durmishi dëshmuan se shqiptari, edhe larg atdheut, e ruan me fanatizëm traditën e mikpritjes, respektin për librin dhe nderimin për historinë. Këto janë vlera që nuk plaken dhe nuk treten me kohën apo largësinë.

Në një botë që ndryshon me shpejtësi, këto momente na kujtojnë se identiteti kombëtar mbahet gjallë vetëm kur përjetohet, trashëgohet dhe kultivohet me dashuri. Dhe ky rrugëtim ishte pikërisht kjo: një amanet për brezat që vijnë, se shqiptari e ka traditë mikpritjen, e ka borxh historinë dhe e ka detyrim ta ruajë shpirtin e vet kombëtar, kudo që jeton. / helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme