Sot, Universiteti “Haxhi Zeka” pati nderin të mirëpresë dy bashkëvendës afaristë të suksesshëm të diasporës, të cilët me punë, përkushtim dhe vizion kanë ndërtuar dhe zhvilluar bizneset e tyre në Gjermani dhe Austri. Bëhet fjalë për z. Ylber Shabaj dhe z. Bashkim Krasniqi, vizita e të cilëve shënon një moment të veçantë falënderimi, respekti dhe shprese për bashkëpunime konkrete në shërbim të studentëve dhe të rinjve tanë.
Z. Shabaj, afarist i njohur në sferën e patundshmërive, ofrimit të shërbimeve të kontabilitetit dhe auditimit, me degë të kompanisë së tij edhe në Prishtinë ku punësohen të rinj kosovarë, si dhe z. Krasniqi, i specializuar në Graz të Austrisë në fushën e ndërtimit dhe patundshmërive, vizituan universitetin tonë me qëllimin e qartë për të ofruar bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet bizneseve të tyre dhe programeve studimore të Fakulteti i Biznesit. Ky bashkëpunim pritet të shtrihet edhe në aktivitetet e FERD, si dhe në projekte të përbashkëta që do të zhvillohen nga UNI NOVA, veçanërisht në fushën e start-up-eve dhe inkubatorëve të biznesit.
Mysafirët u pritën nga Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”, Dr. sc. prof. asoc. Ylber Januzaj, Dekan i Fakultetit të Biznesit, si dhe Dr. sc. Petrit Hajradi, profesor i angazhuar në Fakultetin Juridik. Në një atmosferë të hapur, miqësore dhe bashkëpunuese, u diskutuan mundësitë konkrete për ndërlidhjen e dijes akademike me përvojën praktike të biznesit, duke e vendosur studentin në qendër të këtij partneriteti.
Kjo vizitë përfaqëson më shumë sesa një takim protokollar: ajo është dëshmi e lidhjes së fortë emocionale dhe profesionale të diasporës sonë me atdheun, si dhe e gatishmërisë për të investuar kohë, dije dhe ekspertizë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj. Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohjen më të sinqertë për këtë vullnet bashkëpunues dhe mbetet i përkushtuar që, përmes partneriteteve të tilla, të krijojë ura të qëndrueshme ndërmjet arsimit të lartë, biznesit dhe zhvillimit rajonal, njofton UHZ, transmeton helveticALforum.ch





